Selia blu i është rikthyer pamjes së saj të mëparshme që ka pasur para prostatës së dhunshme të 8 janarit. Godina sot është pa dyer të blinduara që u vendosën nga Basha për të mbrojtur selinë nga sulmet e dhunshme më 8 janar që erdhën pikërisht nga grupi i Rithemelimit, dhe sot me vendim të gjykatës Tiranë kanë marrë drejtimin e PD-së.
Tashmë godina është ‘zhveshur’ nga çdo logo dhe adezivët që vishte xhamat, ndërsa dera kryesore është hapur, ku tashmë deputetët do të hyjnë aty dhe jo më nga dera e pasme. Heqja e dyerve të blinduara është parë edhe si një simbol për të bashkuar demokratët.
Një ditë më parë u boshatis edhe zyra e Lulzim Bashës, i cili dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, pas 9 vitesh si drejtues i kësaj partie. Vendimi i Bashës për dorëheqjen erdhi pas humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku jo vetëm nuk fitoi asnjëra nga 6 bashkitë, por u rendit edhe forcë e tretë.