IN MEMORIAM/ Nga rrëfimi i Eqerem Osmënit, ish-drejtori i Zbulimit Ushtarak. Zbulimi, sekretet e Drejtorisë që dinte gjithçka   

Nga Leonard Veizi

Për afro 40 vjet ka shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Është shprehur se në të gjitha detyrat që ka kryer, nga komandant kompanie deri në Drejtor i Zbulimit Ushtarak ka vërejtur: Së pari – ndërtimi i strukturës organike dhe vendosja e reparteve e njësive ushtarake ishte bërë mbi baza shumë të studiuara. Së dyti – pavarësisht se ushtria e repartet e saj ishin në masën 90% të plotësuara me rezervistë, niveli i përgatitjes dhe i gatishmërisë së tyre ishte i lartë”…

 

…Vinte në detyrë duke zëvendësuar drejtuesin legjendë të Zbulimit Ushtarak, Andon Shetin. Këtë shërbim, vite më parë e kishte drejtuar vetë Kadri Hazbiu. Ndërsa Eqerem Osmëni do të qëndronte në krye të këtij pozicioni delikat për të paktën 6 vjet me radhë. Ekipi i oficerëve që drejtonin Zbulimin më të sofistikuar në vend, ishin të shkolluar mirë, kishin kaluar një test inteligjence maksimal dhe kishin të paktën nga dy gjuhë të huaja në veprim. Eqerem Osmëni, ka rrëfyer nëpërmjet një interviste detaje nga jeta e tij në krye të Zbulimit Ushtarak:

 

Si e morët detyrën e Drejtorit të Zbulimit?

Në korrik 1974 përfundova Akademinë Ushtarake. Në 1 shtator u paraqita në Ministrinë e Mbrojtjes ku n/drejtori i Kuadrit, Andon Kote më komunikoi detyrën e re ku shkoja në dispozicion të grupimit të Elbasanit. Por në 12 dhjetori ‘74 më thërrasin sërish në Ministrinë e Mbrojtjes. Salla e kolegjiumit të Ministrisë ishte mbushur plot, me drejtorët e drejtorive, komandantët e korpuseve e mjaft kuadro të larta të ushtrisë. Hyri Mehmet Shehu i cili pa humbur kohë hapi dosjen dhe lexoi me zërin e tij karakteristik se përveç detyrës si kryeministër ngarkohej dhe me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Më tej ai foli për punën armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e të tjerëve. Në vijim tha: Byroja Politike e KQPPSH, Vendosi: Të shkarkoj nga detyra e të lirojë nga ushtria me motivacionin “Të padenjë për të shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë personat: Muhamet Prodani, Andon Sheti, Nikollaq Sallabanda, Todi Naço, Abaz Fejzo, Kiço, Janku, Vaskë Gjino. Lirohen nga detyra: Muharrem Kokomani, Luto Haxhiu dhe Faik Take. Ata që dëgjuan emrat të dalin jashtë e të na lenë të punojmë”. Todi Naço duke dalë tha “Të rrojë partia”. Por Mehmeti ia ktheu “Todi, dil jashtë, ti kurrë se ke dashur Partinë, prandaj nuk ke vepruar si të ka mësuar ajo”. Pastaj Mehmet Shehu lexoi vendimin e Byrosë Politike për emërimet e reja në detyrë ku unë merrja postin e Drejtorit të Zbulimit Ushtarak

 

Si ua dorëzoi detyrën paraardhësi juaj, Andon Sheti?

Të nesërmen shkova në rezidencën e Drejtorisë së Zbulimit që ishte vendosur në territorin e Pallatit të Brigadave. Kur hyra në zyrën e drejtorit, Andon Sheti u ngritë në këmbë, më pyeti për shëndetin dhe më uroi suksese në detyrë. Pastaj më dorëzoi detyrën. Andon Sheti u nda i përlotur nga efektivi prej 30 vetash që kishte drejtoria. Duhet të them se detyrën e drejtorit të Zbulimit e mora në një kohë tepër të vështirë, ku gjithandej flitej për një punë të madhe në dëm të Partisë, sidomos në ushtri. E ndjeva të nevojshme të punoja e flija në zyrë.

 

Besonit në punën agjenturore të paraardhësit tuaj?

Andon Shetin e kam njohur që në vitin 1967 kur drejtoria e zbulimit organizoi një kurs specializimi për oficerët zbulues të një niveli mjaft të lartë. Në dhjetor 1974, unë fillova të njihem nga afër me frytet e punës së tij, megjithëse ai u burgos pak muaj pas zëvendësimit nga ana ime. Gjeta një nivel të lartë të përgatitjes luftarake të zbulimit me trupa, e cila ishte rrjedhojë e futjes së programeve të reja të kohës dhe të eksperiencave të luftërave bashkëkohëse. Duke gjetur këtë nivel, arrita ta përballoj me lehtësi kryerjen e kësaj detyre tepër të vështirë. Kur u emërova, detyra e parë ishte të hidhnim dritë mbi veprimtarinë armiqësore që ishte bëra nga kasta ushtarake. Megjithëse kam shfletuar mjaft dosje dhe dokumente, të cilat i tërhiqja nga sekretaria sekrete, nuk konstatova asgjë të karakterit armiqësor. U përpoqa të shfletoja dhe dosje të “Korridorit të Gjelbër” të sektorit agjenturor të zbulimit ushtarak të jashtëm, që ruheshin ende pranë kësaj drejtorie. Ky sektor i kishte kaluar Ministrisë së Punëve të Jashtme, në vartësi të dyfishtë dhe nga Ministria e Brendshme e asaj kohe, aty nga viti 1965. Drejtoria e zbulimit jepte kontingjentin e vet me kuadro të specializuara. Pavarësisht punës së vëmendshme e kisha të vështirë të gjeja gjurmë të veprimtarisë armiqësore të kësaj drejtorie kur drejtohej nga Andon Sheti. Nuk kaloi shumë kohë dhe një pasdite u bë mbledhja e Organizatës Bazë të Partisë që përbëhej prej afro 20 anëtarësh. I deleguari i KQPPSH ishte i sapoemëruari si Shef i Shtabit të Përgjithshëm Veli Llakaj. Mbledhja u zhvillua në sallën kryesore të Mbledhjeve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë dhe zgjati disa orë. Andon Shetit iu bënë disa dhjetëra pyetje të cilat e akuzonin për veprimtari armiqësore në bashkëpunim me Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Andon Sheti nga fillimi deri në fund, për cilëndo pyetje të bërë, përsëriste shprehjen: “Kam pasur dhe kam bërë gabime pune, por veprimtari armiqësore nuk kam pasur dhe nuk kam dijeni dhe të dhëna të çfarëdo kategorie qofshin ato. Për këtë mbaj përgjegjësi edhe me jetën time” Protokolli i kësaj mbledhje është i arkivuar. Përfundimi im pas mbledhjes ishte se përveç ndonjë sjellje arrogante apo ndoshta ndonjë shpërdorim detyre, asgjë tjetër nuk u konstatua për “veprimtari armiqësore” as nga unë as nga i deleguari Veli Llakaj.

Lexo edhe :  30 shtator 1965 – Grushti i shtetit, vitet e errëta të Indonezisë nën gjeneralin Suharto

 

Në raport me detyrën çfarë keni raportuar para Enver Hoxhës?

Në shkurt 1975 punuam për të përgatitur një raport mbi gjendjen e shërbimit të Zbulimit Ushtarak, për në Këshillin e Mbrojtjes. Në 25 maj ’75, bashkë me Shefin e Shtabit, Veli Llakaj, e drejtorët Hajrullah Muhametaj e Gaqo Pojani u mblodhëm para godinës së KQ. Në orën 10.00 Haxhi Kroi shefi i kabinetit të Enver Hoxhës na ftoi të futeshim në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Mbrojtjes. Komandanti i Përgjithshëm na priti me mjaft përzemërsi. Në tavolinë kishin zënë vendet të gjithë anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes ku ishte Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Kadri Hazbiu. Enveri tha: Po e fillojmë me Hajrullain e Gaqon dhe kur të largohen këta do dëgjojmë drejtorin e Zbulimit”. Raportova në mënyrë të përmbledhur. Enver Hoxha e vlerësoi raportin tim. Ai porositi që të mos zihemi në befasi nga kundërshtari dhe vuri në dukje kujdesin që duhet të tregonim në përzgjedhjen e kuadrit. Porositi që të shikoheshin me përparësi kërkesat për pajisjen me teknikë të radiozbulimit. I vetmi që foli pas Enverit ishte Mehmet Shehu që gjithashtu vlerësoi punën e zbulimit.

 

A keni pasur ndonjë mosmarrëveshje pune me Mehmet Shehun?

Më kujtohet që nga drejtoria u kërkua ngritja e shërbimeve të reja të shërbimit ushtarak. Kryesisht shërbim teknik në disa shtetet si Jugosllavia, Greqia, Italia, Bullgaria, Hungaria. Ky shërbim sipas nesh duhej të ngrihej dhe në transportin detar. Përgatitëm kërkesat me shkrim dhe unë vetë mora guximin t’ia dorëzoja dorazi Mehmet Shehut, zarfin me shënimin “Tepër Sekret”. Pas disa orësh ai më thirri në zyrë. Pa më thënë të ulesha më hodhi rrëshqanthi mbi tavolinë materialin duke më thënë “Nuk bëhen kollaj këto punë”. U detyrova t’i them se koha do tregonte se këto shërbime do të ishin të domosdoshme për shtetin tonë. Të nesërmen përmes telefonit më kërkoi t’ia çoja sërish materialin në zyrë. Më dëgjoi dhe një herë me kujdes dhe më tha se këtë punë do ta bisedonte dhe me shokun Enver. Pas 5 ditësh më njoftoi se propozimi ynë ishte miratuar. Në tërësi në gjithë periudhën time 6-vjeçare në detyrën e Drejtorit të Zbulimit Ushtarak, kam pasur fatin të punoj me Mehmet Shehun, si ministër Mbrojtje e Kryeministër. Për mua si ushtarak Mehmet Shehu mbetet një strateg i madh dhe një teoricien i Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore, jo vetëm për kohën e tij.

 

Cila ishte teknika me të cilën punonte radiozbulimi?

Një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen pas çlirimit ishte krijimi i zbulimit elektronik. Vitet 1965-1975 u njohën si vitet e zgjerimit të shërbimit e zbulimit elektronik. U ngritën pika në skalionin e parë të mbrojtjes së vendit. Zgjerimi i dytë do të ishte ai teknik nëpërmjet kanalit ushtarak me aleatin e asaj kohe, Kinën. Në vitin 1966 në repartin ushtarak 2908 në Tiranë u ngrit Qendra e Pelengimit. Pika pelengatore u vendosen dhe në Sarandë e Shkodër. Me teknikën që u vendos u bë i mundur përcaktimi i komandave dhe i shtabeve, njësive e reparteve në drejtimin lindor dhe atë perëndimor të vendit tonë në thellësi deri në 450 km. Në vitin 1970-1973 shërbimi u pajis me teknikë të kohës, me transistorë, aparaturë radiomarrëse shumëkanalëshe, aparaturë analizuese, etj. Modernizimi i teknikës ndihmoi në efikasitetin, në kërkimin, kapjen dhe përcaktimin e mjaft objekteve të reja.

 

Na jepni një shembull mbi saktësinë që siguronin zbuluesit shqiptarë?

Isha duke dhënë mësim në Akademinë Ushtarake kur më vjen një zarf urgjent “Tepër Sekret”. Brenda ishte radiogrami i dhënë nga një stacion legal, në të cilën thuhej se kishte vdekur Mao Ce Duni. Dhashë udhëzime që kjo të verifikohej menjëherë. Për çudi asnjë agjenci lajmesh nuk e kishte dhënë këtë informacion. Shkova menjëherë në zyrë dhe me telefonin 5-shifror ia komunikova këtë lajm Mehmet Shehut. Ai më kërkoi që radiogramin e deshifruar t’ia çoja menjëherë në zyrë. Agjencitë e lajmeve të mjaft shteteve këtë lajm e transmetuan pas 3-4 orësh. Ndërkohë që Mehmet Shehu i kishte raportuar menjëherë Enver Hoxhës, këtë lajm të siguruar nga kanalet tona të zbulimit ushtarak.

 

————————————————-

 

Organizimi i Zbulimit

Drejtoria përbëhej nga tre degë:

1-Dega e Zbulimit me trupa, e cila kishte në vartësi një regjiment Zbulimi të Shtabit të Përgjithshëm me ushtarët e kuadro aktivë, i shtrirë në të gjithë Republikën, e kryesisht për çdo drejtim operativo-strategjik, gjatë kufirit shtetëror, si në Shkodër, Kukës, Burrel, Korçë, Gjirokastër, Tepelenë, etj. Komanda e shtabit të regjimentit ishte e dislokuar në Zall-Herr të Tiranës; nga një batalion zbulimi efektiv në përbërje të çdo korpusi dhe në çdo brigadë këmbësorie, me ushtarë dhe kuadro aktivë e rezervistë.

2-Dega e radiozbulimit, e cila kishte në vartësi të drejtpërdrejtë 13 reparte speciale dhe një shkollë radiozbulimi, e cila më vonë, me suprimimin e regjimentit të zbulimit, u ngarkua dhe për përgatitjen e kuadrove të zbulimit me trupa dhe atyre sulmuese në shkallë ushtrie.

3-Dega e Informacionit dhe Qendra e Përpunimit dhe Deshifrimit, të cilat bënin përpunimin dhe deshifrimin e të gjitha të dhënave informative, që siguronin repartet speciale si më sipër si dhe të dhënat që siguroheshin nga kanale e burime të tjera të zbulimit me trupa, zbulimit të llojeve të armëve dhe shërbimeve të ushtrisë si të Aviacionit, Flotës Detare, Artilerisë Tokësore e Kundërajrore, Xhenios, Mbrojtja Kundër Ajrore, nga zbulimi i jashtëm sekret ushtarak, i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kufirit shtetëror, etj.