1 prilli, kur ne gënjejmë një ditë dhe ata na e rrasin një vit!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

“Gënjemë po përkëdhelmë”. Sentenca është proverbiale dhe nuk dihet kush e ka thënë i pari, ndonjë kokë si Volteri për shembull, Shekspiri… apo Volfgang Amadeus Mozart. Por me shumë gjasa do ta ketë thënë ndonjë anonim, e sot i vishet popullit. Pra, populli ka thënë: Gënjemë por përkëdhelmë! Dhe kjo sentencë në formë testamenti është zbatuar një më një.

Jemi në 1 prill dhe jemi në ditën e gënjeshtrave.

Kjo është një datë që shumë e shumë e presin me qejf të madh, ovacione e thirrje patetike. Sepse në mënyrë legjitime u jepet e drejta të gënjejnë. Domethënë, të thonë ca rrena të vogla e të padëmshme. Dhe gënjeshtra gjithmonë e ka intriguar njeriun. Sepse kur gënjehet për qejf e pa ndonjë qëllim të keq, ka njëfarë lezeti e sjell ca humor të shëndetshëm. Pastaj edhe testohet robi: sa e ka nivelin e inteligjencës për të gënjyer me elegancë aq sa tjetri ta besojë pa bërë as gëk, as mëk.

Puna është kur trashet gënjeshtra… Por këtë e bëjnë marifetçinjtë. Ata që e kanë kthyer në profesion.

-Zot, mbaj dorën! Se njerëzve po ua vulose me ferman, – që jo po të gënjejnë e tërci-vërci, – të bëjnë gjëmën.

1 Prill. Data është epokale. S’ka rëndësi se kujt i shkrepi në mendje ta kthente këtë ditë pranverore në ditë ku për shaka mund të marrësh dhe haberin se ta ka vdekur një i afërm që e doje shumë. Dhe pasi të të bjerë të fikët, të thonë lajmin e gëzuar, se ai ishte top me shëndetin, por ndoshta ti duhet të bësh një vizitë tek kardiologu se të është dobësuar zemra e nuk i mban dot shakatë e gënjeshtërta.

Ja, kështu është përjetuar në vazhdimësi dita e gënjeshtrave. Sepse tek e fundit është ligjëruar e është kthyer në festë.

Ca thonë se kjo punë nisi në kohën e Perandorit Konstantin të Romës e ca të tjerë në vitet e Mbretit Karl të Francës. Në të gjitha rastet ka qenë një njeri me peshë të madhe që ua ka varur njerëzve këtë këmborë. Dhe ata e tundin çdo 1 prill. Se më tej nuk u lejohet. Më tej se kaq të kap ligji. E po të kapi ligji, të kapi tartakuti. Se të dënojnë për mashtrim dhe… evazion fiskal, po deshën. Ndaj duhet me e mbajt gjuhën brenda. Prandaj ka dalë dhe shprehja tjetër: Mos i jep llapës!

Më tej se kaq e për të gjitha ditët e vitit në vazhdim, pa pushim të dielave, janë mbretërit e perandorët ata që gënjejnë mbarë e prapa. Dhe ç’është e vërtetë, kjo nuk është se ka ndodhur vetëm në lashtësinë dekadente apo në mesjetën obskurantiste, ato kanë vazhduar dhe në epokën e iluminizmit, atë të kibernetikës dhe energjisë nukleare.

Jemi në 1 Prill.

Në fakt, për ca të tjerë, kjo datë nuk personifikon asgjë, sepse ata gënjejnë në 364 ditët e tjera sa të shuajnë fare. Dhe janë rrena të rënda, jo si ato të kalamajve. Fjala vjen: Ne na gënjejnë se jemi vendi me të ardhura shumë të mira për frymë. Na gënjejnë kur na thonë se mesatarisht me një rrogë prej 135 eurosh në muaj, ne mund të hamë, të pimë e të fluturojmë…  – jo me pras – me avion kudo në botë për të bërë pushime në “luxury hotels”. Pavarësisht se bileta e avionit e kalon këtë shifër të pagës mujore dhe dhoma e hotelit për një natë është po aq.

Lexo edhe :  Elbasani, turizëm gjithëvjetor

Por mbajmë ne Populli i Thjeshtë, nuk ndihemi. Ja ashtu… mendojmë se i kemi bërë pushimet në një hotel me pesë yje, buzë… govatës me ujë bashkie.

Jemi në 1 Prill.

Haleluja!

O po gënjeni sa të mundni, se nuk u vjen radha më. Se në 2 prill ka kush gënjen.

Rrofshin gënjeshtrat, poshtë gënjeshtarët!

-E, e… sa fjalë ka bota…

Ne edhe më parë na kanë shqepur me gënjeshtra. Fjala vjen: na thoshin se po ndërtonim socializmin me forcat tona.

Hajde qyfyr, hajde.

Por nuk është se kjo gënjeshtër i prishte punë njeriu. Pastaj na thanë se Shqipërisë i kishin dhënë një çmim me vlera ndërkombëtare për punë ushqimi. Këtu po, na prishej ca puna, se ishte kur ishim në ditë të zezë e mbaheshim te kotherja dhe talloni na kish mbetur në dorë.

Jemi në 1 Prill.

Sot ka ndryshuar strategjia. Na rrisin çmimet dhe na thonë se çmimet nuk janë rritur, pasi kriza po përballohet nga paratë e buxhetit të shtetit e të qeverisë. Po qeveria ku i gjeti paratë?

-Hë mor, sa shumë pyetje bëni dhe ju gazetarët.

Pa na thonë se do ta pastrojnë Shqipërinë cep e më cep e do ta bëjnë “sharp”, demek si ato saçat, të cilët i kthenim nga Dajti që të kapnim ndonjë stacion të italianit. Dhe mbetjet nuk do t’i djegin me shkrepëse, por me një makineri fringo të re, që kushton ca por na nxjerr nga halli. Dhe pastaj na gënjejnë duke na thënë se do plasin brenda të gjithë horrat dhe maskarenjtë që vjedhin popullin fukara. Por “peshku i madh” nuk duket e nuk duket gjëkundi.

Vetëm për çmimin e karburantit mos na gënjeni mor aman. Pa ngrënë rrimë ne, se ja, mbajmë dhe Ramazan në të njëjtën kohë. Por pa e bërë një xhiro me makinë nuk shtyhet.

Është 1 Prill. Dita e gënjeshtrave.

Po ne na gënjejnë tërë ditën e ditës. Edhe në mëngjes kur sapo hapim sytë bashkë me fejsbukun, edhe në drekë përpara vaktit që të mos na bëjë dëm, edhe në darkë, por këtë herë pasi kemi ngrënë bukë e kos jemi të lehtshëm.

Por dhe ne kusur nuk u lëmë. Se bëjmë sikur i besojmë. Ose na pëlqen të gënjehemi nga pak dhe i pranojmë gjithë qejf ato.

Fundja, me gënjeshtra vërtet barku nuk mbushet, por po të të thonë më shumë se pesë herë që ke qenë për vizitë në Hënë, patjetër do të të duket vetja astronaut. Dhe s’ka burrë nëne që pas kësaj të të mbushë mendjen që nuk ke as patentë zetori.

Ja kështu: gënjemë, por përkëdhelmë!

Ndaj jetojmë të gjithë të lumtur e të gëzuar.

Të fundit

Shenjat më me fat të muajit qershor

Stina e verës sjell energji të reja për të gjitha shenjat e horoskopit. Universi ju ofron një mundësi të...

100 mijë shqiptarë me portofol në monedha digjitale, të ‘fiksuar’ pas Bitcoin

Eksplorimi i parasë digjitale duke blerë e shitur kriptomonedha nuk është më tabu për shqiptarët. Mjafton të kesh një telefon me internet, dhe regjistrohesh...

Vrau me thikë vajzën e tij dhe të dashurin e gruas, prokuroria: Dënim të përjetshëm!

Prokuroria e Foggia-s në Itali ka kërkuar dënim të përjetshëm për 47-vjeçarin shqiptar, Taulant Malaj i akuzuar për vrasjen e dy personave dhe mbetjen...

Spitali ditor në QSUT, shërbim 24 orë për pacientët pa nevojë shtrimi

Prej afro 1 viti në QSUT ka nisur nga funksionimi spitali ditor i cili iu mundëson terapi pa qenë nevoja e shtrimit, pacientëve me...

A po afrohet një Luftë e Tretë Botërore?

Dy javë pasi ish-aleatët, në një botë gjithnjë e më e ndarë, përkujtuan veçmas 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë,...

Lajme të tjera

Web TV