Rama paralajmëron një Kongres të ri: E gjithë partia do të ftohet të japë opinionin me një fletë sekrete

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër Kongres të PS, i cili pritet të mbahet në vjeshtë. Sipas kryeministrit ky duhet të jetë kongresi i llogaridhënies.

Kreu i qeverisë u shpreh se e gjithë partia do të ftohet dhe të japë opinionin e vetë me anë të një flete sekrete.

Rama u shpreh se të gjitha opinionet kritike duhet ti kthejmë në kulturë forumesh.

“Është e udhës që ne pas në vjeshtë të bëjmë një tjetër kongres që ti përkushtohet llogaridhënies lidhur me cka thamë sot dhe lidhur me një periudhë që do të jetë sa sfiduese aq edhe provë për të gjithë. Unë propozoj që ne të nisim punën me zgjedhjen e kryetarëve të partisë nëpër bashki.

Duhet të ndërtojmë një mekanizëm të marrjes së opinionit të anëtarësisë së partisë për institucionet qendrore dhe vendore. Marrje mendimi me shkrim. E gjithë partia do të ftohet që të japë opinionin e vet me një fletë sekrete për të gjithë drejtuesit dhe performancën. Partia duhet të jetë syri që ndjek në emër dhe për llogari të zgjedhësve të saj. Edhe drejtuesit e qarqeve do të japin llogari në Kongresin e llogaridhënies.

Opinionet kritike duhet ti kthejmë në kulturë forumesh. Këtu janë të gjithë të barabartë”, tha Rama.