Nga Pirro Loli (mjeshtër i madh)
…Romani (poemë) i Gogolit ”Shpirtra të vdekur” është një nga librat e rralla, i më i gjithkohëshmi, aq sa, për personazhet e tij vazhdon të shkruhet edhe sot e kësaj dite. U botua më 1841 si pasqyra e një Rusie të kalbur bujkrobe dhe në çdo lexim, kudo në botë duket sikur është botuar edhe pas 100 vjetëve, më 1941, dhe më aktuale, për vitin 2021 e në vazhdim për gjithnjë…
***
Kodi i njohur ky i Çiçikovit – para, pasuri me çdo kusht, e me çdo mjet. Qenka i babëzitur xhepi i njeriut dhe kurrë nuk thotë, mjaft.. .Ai që fëmijë dhe në rini njohu servilizmin, përuljen dhe merrte maksimumin e notave, edhe pse, nuk kishte asnjë zotësi të veçantë. As stërvitjet e detyruara ushtarake nuk i bënte të rregullta si të gjithë…Sepse dinte të bënte lajka, shtirej si i zellshëm, buzëqeshte; kur filloi një punë dosido, bënte plot marrëzi e batakçillëqe. Por dhe kur dështonte e binte në llum, nuk dëshpërohej, mendja i punonte si të ngrihej. Dhe ishte aq i djallëzuar, në lajkat e shumta sa nuk harronte ta krahasonte eprorin e tij me figurën më të lartë të kombit. (Fjala vjen me Carin (si ndonjë tek ne me Skënderbenë). Vetëm hipokrizi, maska në çdo kohë e në çdo vend. Gënje, shpif, provoko, guxo, premto. Diçka mbetet nga mashtrimi gjithmonë. Vetëm kështu mund të zhvatësh jo vetëm pasuri , por dhe pozicione të larta shoqëroe. Dhe nga punë të vogla të pa rëndësishme Çiçikov arriti nëpunës dogane. (E kush punoi në doganë a në zyrat e taksave e tatimeve dhe nuk doli me xhepet plot!). Babëzi, mashtrim, batakçillëk … Dhe armët janë sheshit, të njohura të pandryshueshme, me plot efekt…hipokrizi, lajka, guxim, durim, hazërxhevap… Çicikovët kanë më për zemër kontrabandën. (tek ne, lavdi Zotit, kontrabandistët, i kemi të moralshëm.) Por Çicikovi rus gjeti një rrugë tjetër – atë që do t’í pillte dhe kokoshi, jo si në përralla, jo, por – ja, burimi i florinjtë – : Fshatarët që kanë vdekur, bujkrobërit, mund të ”ngjallen” dhe mund të lihen peng për t’í shitur e për t’í blerë. Shteti gjithnjë ka para për batakçinj. Këto frymë nuk është nevojë të jenë gjallë. Në këtë shtet të kalbur nuk dihet sa lindin e sa vdesin. Askund nuk ka inventar për të vdekurit. Për Çiçikovin frymët e vdekur janë mall. Mall me targë. Të heshtur. Pa zë. Një numër në gurin e varrit. Një emër në hi. Një burim kredie( po të flasim me gjuhën e batakçijve të sotshëm) Ja, kjo është një nga minierat e zbuluara të specialistëve Çicikovë. Bli dhe shit skelete bujkrobërish. Zbulim i rrallë i një metali të çmuar. E kështu, i pajisur e i babëzitur me një përvojë krejt të re , Çiçikovi ynë u nis për në qytetin e madh “NN” se atje na qenkej bërë deti kos. Kontrabanda ka shumë fytyra. Po ca gjera të reja akoma nuk ishin zbuluar si fjala vjen, veting, larje parash, drogw, trafik, leje ndërtimi, … PPP, KÇK. OQF- Dhe as i shkonte në mendje njeriut për SPAK, Dajak e përvëlak.
PUSHKINI DHE CENSURA
Pushkini, poeti i horizonteve të gjera, njëkohësisht ishte dhe frymëzues i shkrimtarëve të mëdhenj të Rusisë, Gogolit, Dostojevskit, Turgenjevit, apo ndonjë tjetri. “Shkruaj për frymët e vdekura, i tha poeti gjenial, Gogolit, “shkruaje dhe mbetu i famshëm si Servantesi me një libër”. Në fakt Gogoli ishte shkrimtar i njohur edhe para këtij romani. Ai kishte shkruar vepra të famshme si “Revizori, Manteli, Portreti , Taras Bulba” etj . Dhe kish shumë miq – me në krye Bjelinskin por, dhe shumë armiq në pushtet me në krye Carin. Ata që kishin ndjerë mizën në kësulë, nga shfaqja e famshme e “Revizorit”, të gjithë ishin kundërshtarë të tij. Romani “Frymë të vdekura”, do të trondiste Rusinë. Çdo rus në çdo cep të vendit do të gjente vetveten përpara asaj pasqyre të pistë.
***
rasja gjëmëmadhe e Pushkinit ia preu krahët Gogolit,(dhe Dostojevskit), dhe për shumë kohë nuk e mori penën në dorë. Të gjithë inteligjencës krijuese të Rusisë i kishte ikur mendja dhe shpirti frymëzues. Pushkini ishte krijuesi i ndjenjave të holla e horizonteve të gjera sa njerëzore, aq kombëtare e artistike. Madje Gogoli thotë se kur shkruante i shfaqej në krah Pushkini si një shenjtor. Më vonë, për nder të tij ,Gogoli e quajti romanin “poemë” dhe e trajtoi si “Dhjatën e Shenjtë”’ E mbaroi vetëm pas gjashtë vjetësh në vitet (1835- 41.) por, Censura ruse e priti romanin me këmbët e para dhe në shtyp e quajti Gogolin , shkrimtarin e madh, armik të Rusisë. Dikush në shtet propozoi që ky shkrimtar duhej lidhur me hekura dhe të dërgohet në Siberi. Gogoli, që udhëtonte shumë nëpër Evropë u shkruante miqve se po ta përfundonte këtë libër siç e përfytyronte, do shfaqet Rusia lakuriq me të gjitha karakteret e saj. ( Ai kish në plan të shkruante dhe vëllimin e dytë)
Çiçikovi i Gogolit, u bë personazh si Don Kishoti dhe përfaqësonte një dekadencë tipike, të kalbur mbarë shoqërore e shtetërore që do bëhej sinjal i një trokitjeje kundër degjenetimit feudal dhe borgjez. Sepse ai gjithsesi na dha mesazhin kozmik, të zhvillimit shoqëror duke na vënë në dorë çelësin e jetës, atë çelës që, fatkeqësisht bëhet babëzia e shtresave drejtuese, të çdo kohe e vendi, etjen për pushtet e pasuri me çdo kusht. Çiçikovi është personazh i gjithë botës. Mund të quhet dhe ”Batalioni Çiçikov” e, pse jo, pa frikë , mund të përfytyrohet e gjithë administrata e mesme dhe e lartë e shtetit që përfaqëson atë batakçiun skurpulloz, një farë fisniku me meta të mëdha. Kritika letrare e quajti romanin “Aventurat e Çiçikovit”..
Frymët e vdekura nuk përbëjnë vetëm një galeri të madhe portretesh tipikë rusë, pikturuar aq mjeshtërsisht si Rembrandi, por dhe struktura, të tëra shtetërore, rrethana e mjedise të gjera shoqërore me frymë më tepër të gjalla se të vdekura. Në romanin (poemë), gurgullon një shoqëri e vrullshme, absurde e tronditëse në portat e bujkrobërisë shekullore jo vetëm ruse. Para syve të lexuesit parakalojnë në ekran njerëz e pamje nga satira e thiktë tek lirizmi i kulluar, nga portretizimi piktoresk i personazheve tek tragjizmi i hidhur, nga dëshpërimi më i zi deri te shpresa pa shpresë. Arti i madh gogolian na shtyn të kuptojmë shumë më tepër se sa shkruan autori. Dhe sot e kësaj dite, nuk e tepërojmë të themi, se çdo vend ka Çiçikovët e vet me korpuset, batalionet, që përfshijnë të gjithë administratën që nga guberna më e humbur deri te administra e lartë rreth e rrotull oborrit carist. Pra, shpirtra tw gjallw dhe tw vdekur.
BATALIONI ÇIÇIKOV…
Bjelinski, kritiku i madh rus, e quajti romanin “Skota e Çiçikovit”, Në shqip kjo fjalë e ngushton kuptimin. Le ta parafytyrojmë si një batalion të zgjedhur që ngërthen të gjithë gubernën shtetërore. Poema “Shpirtra të vdekur” ka shumë urrejtje dhe shumë dashuri; është zemra e madhe e një poeti me ndjeshmëri të rrallë, është e qeshura pikë e helm për fatet e njeriut dhe të shtetit. Poema gogoliane futet në grupin e kryeveprave me një vlerë artistike të pa shoqe, është pena e një mjeshtri që përfton lexues të përjetshëm. Çiçikovi Ishte dhe është me prejardhje të errët, që, as nga fytyra nuk u ngjan prindërve. Kur e kish lindur nëna kishte klithur se ai nuk ngjante me të atin por me një trim rrugëtar të rastësishëm. ( Ne, këtej nga anët tona i themi “kopil” ose “doç”). I ati që e rriti e mësoi që të vogël të mos tutet përpara çdo, ndohtësie, i tregoi dhe armët e fitores servilizmin, lajkat hipokrizinë, guximin, durimin, maskat përkatëse, pozat e mirësjelljes, kontrabandën që mbush xhepat. Dhe ja Çiçikovi ua kaloi dhe të atit që e rriti dhe e edukoi me aq pasion, por dhe atij trimit të rrugës që e njihte vetëm e ëma. Shitja dhe blerja e bujkrobërve u bë miniera e pashtershme pasurisë së tij. Ata, të vdekurit e të gjallët, ngritën vlerën e mallit të zakonshëm që shiten dhe blihen me copë. Të vdekurit, ky mall pa gojë madje nuk është fare në inventar, kështu, batakçiu ynë u bë pronari i varrezave ne qytetit të madh “NN”. Dhe nuk gabojmë të themi se, ustai shiste me një stil të ri – shitjen dhe blierjen disa herë të të njëjtit mall. – ( zbulimi i dytë)- më vonë do t’i shiste edhe si pjesë këmbimi – kafka, brinjë, gjymtyrë…pra, Shitja dhe blerja bëhet dhe me “mbishtresime pjesësh”, ose “pjesw këmbimi” se , e thamë, të vdekurit nuk kanë gojë.
Vend i çuditshëm Rusia kur një bujkrob i gjallë a i vdekur kushtonte 400 rubla ndërsa fustani i damave të aristokracisë vetëm për në mbrëmje kushton 1000 rubla ! Se kjo botë ka dhe “Rusi” të tjera ku, roga e një Çicikovi është 100 deri në 200 herë më e madhe se e një punëtori a specialisti të thjeshtë.
STRUKTURA E “BATALIONIT”
Poema ka disa kapituj e në secilin ka në krye nga një batakçi , fjala vjen, si biçim kryetari. Në shkallët më lart cicikovët janë më të majmur, ca farë këshilltarësh, një farë ministri, zëvendësi a drejtori të madh, a të mesëm, të tërë batakçinj, por që ndryshojnë nga njeri tjetri vetëm nga mënyrat e grabitjes ose nga cilësi personale të vizatuar mjeshtërisht. Dallohen që nga karrocieri i Çiçikovit, Selifani që u mban fjalime morale kuajve të tij paçka se ndonjëherë dehet dhe përmbys karrocën; pas tij shërbëtori Petrushka që kutërbon erë djersë dhe vodka, që thur dantella e shpërndan karamele, që nga prokurori që të vetmen aftësi ka vetullat e trasha dhe gruan e bukur; pastaj Manillovi sylesh e mendje lesh, që sheh ëndrra me sy hapur me të vdekur, e pas tij Nazdriovi, gënjeshtar , kokëshkretë e kumarxhi i zot, e me radhë Sabakioviçi , llupësi , afarist i lumtur që nën hijen e Çiçikovit shet e blen të vdekurit e provincës, e vjen më pas e mirënjohura, Koroboçka, skllave e bestytnive që ankohet gjithnjë për kohën, ndërkaq grumbullon para metalike nëpër qeska dhe ka mbushur qoshet e shtëpisë. E gjora, i quan robërit që shet e blen “mall” si me thënë sallam, miell, tranguj…etj, etj e të gjithë këta kanë çifliqe, troje, vila banimi e pushimi, dhe para të thata pa hesap. ( E kuptohet, tani batakçinjtë modernë kuptohet, nuk udhëtojnë me karrocën e Selifanit.
Thelbi i jetës së tyre – zhvat sa të mundesh ( në shqip akoma nuk e kanë fjalorët por mund të quhet kap çfarë të kapësh, KÇK) e gjithçka, pazaret bëhen për çmimet e “mallrave”. Sobakieviçi pohon se një bujkrob i gjallë mund të shitet e të blihet me më pak se një i vdekur. Çmimi i tyre u bë objekt edhe në komitetin e çensurës nga frika se do na përqeshi Anglia e Franca, por u hodh Bjelinski duke mbrojtur rreptas autorin dhe arsyetoi me këmbëngulje se nuk ka pse të çuditet Londra e Parisi me frymët tona të vdekura, se ata kanë të tyret, madje, – të vdekura dhe të gjalla. Por, Efekti antiçensurë është më i madh edhe se romani madhështor “Frymët e vdekura”. Personazhet e galerisë gogoliane u shtuan e u shumuan mijërafish, por thelbi i Çiçikovit nuk mdryshon. .(Shtoj në këtë listë çdo vend, dhe për ata që kanë shembur bujkrobërinë dhe, të gjitha të ashtuquajtura demokraci, ku, nuk shiten vetëm të vdekurit por dhe të gjallët – pa gabuar mund të themi se kodi i fitimeve dhe i shumicave drejtuese edhe në rendin demokratik qëndron tek zgjedhjet , tek premtimet e pa mbajtura, tek blerja dhe shitja e votës. Që vende vende janë quajtura “masakra elektorale”, si, fjala vjen, në Abisini Stamboll ose në Amerikë… Ndryshimet sipas vendeve janë të pakta dhe varet nga shkalla e qytetërimeve ose nga distancimet që duhet të kenë nga diktati i pashallarëve të kohës moderne të tipit Putin, Lukashenko, Toni Bler, Erdogan apo Vuçi-ço man ,… Çicikovët modernë ndryshojnë nga emri, madje, ka nga ata që, atje diku, që nuk e thonë fare emrin e tyre, po gojët e liga thonë se, janë rreth 300 Çicikovë me grada e pa grada, që kanë vjedhur e fshehur 3.5 trilion dollarë në ca hapësira të panjohura që më duket se quhen “of-shore…” e që … buzëqeshin e japin konferenca për drejtësinë dhe demokracinë. Amin!
MESAZHET AKTUALE ARTISTIKE
Është një thikë kirurgjikale që, pa frikë mund dhe duhet të operojë në mishin e çdo pushteti të kalbur shoqëror. E pse jo, dhe në trup të vet sistemit demokratik. Edhe sot, pas më se 250 vjetësh shiten frymë të vdekura dhe të gjalla. Kujtojmë psh, në Greqi para pak vitesh, veç vjedhjeve në stil të gjerë, nga qytetarët në të gjitha shkallët, më tepër se 250 mijë pensionistë të vdekur, merrnin pensionin mujor në zyrat e shtetit. Të vdekurit në shumë vende pseudo demokratike punojnë, votojnë dhe fitojnë , dhe kjo, edhe në demokracitë e vjetra dhe në të rejat. Sot paraja nuk ka nevojë të fitohet me kod të fshehtë pasurimi, jo, sot vidhet derrçe ose dhe gomarçe, në mes të ditës, me firmë të ministrit, të kryeministrit, dhe të Çiçikovëve më të vegjël në çdo bashki. Sot milionat lahen nëpër banka, dogana, ndërtime, troje, kulla, PPP-ra e KÇK-ra, konçensione, kontrabanda, trafiqe gjithfarësh, droga, madje dhe nëpër sekuestrimet e sekuestrimeve nga ata që kanë dhe vulën dhe firmën…Dhe këto plagë që kanë sjellë polaritetin e skajshëm shoqëror, na i tha aq qartë e aq bukur një shkrimtar dyqind e ca vjet më parë me emrin “Gogol”. Ky roman vazhdon të shkruhet e të shkruhet…me të njëjtit personazhe veç veshja ka ndryshuar, mjetet dhe rrethanat. Tani Çiçikovët nuk lëvizin me kuaj dhe karrocën e Selifanit por me makina mbretërore dhe me avionë e Kapo-Çiçikovi, i madhi fare, i dyti a i treti, edhe me luksozin ajror Çarter e, larg qofë, rrallë e për mall, dhe të shoqëruar me ndonjë damë të nderçime..
Çiçikovët e Gogolit si Sobiakeviçi herë herë ia grisin maskën të madhit – kryetarin e gjyqit e quan “budalla me brirë” , shefin e policisë batakçi që të shet e të blen pastaj të fton të hani darkën bashkë, Guvernatorin “kusar” që njihet që në fytyrë si kusar e kështu me radhë cep më cep të Rusisë…Batakçiu rri përballë batakçiut dhe ndjek gjurmët e batakçiut, E të gjithë janë me dëftesa e diploma me firma e vula e dieta të majme por, o Zot sa të vrazhdët, të babëzitur, mediokër, cinikë, gjysmë analfabetë ! Dhe sa krahëgjatë për të vjedhur, energjikë , llafozanë e memecë me diplomë, oratori e doktoratë profesori, që kanë dalë nga inkubatori si qëmoti e si i sormi…. Shumë e goditur është fytyra e shefit të policisë si kryebandit, që Gogoli e quan “Bamirësi” dhe ”mirëbërësi i qytetit”, Kryetarit të gjyqit i thotë çudibërës sepse një herë të duket në treg, sa t’u shkelë syrin tregtarëve dhe sakaq shtëpia e tij mbushet me gjithfarësh të mirash, havjar të zi, verë, vodkë, vaj, shampanjë madje dhe arka me peshk të kapur në mes të detit…Kudo sobakieviçët intrigojnë dhe kundër njëri tjetrit duke i çjerrë maskat Çiçikovit që ka si epror, ata grabisin jo vetëm të varfrit por dhe grabitësit e vegjël, duke gërmuar dhe në mëkatet e mëkatarëve të tjerë poshtë tyre, ama këtu, me lezet, buzagaz sepse bëhen dhe kumbarë e u pagëzojnë fëmijët. Ndonjëherë Nozdriovi çirret kundër Çiçikovit dhe shprehet se ka qejf ta varë në një pemë, paçka se me të dëgjuar e flakin si leckë nga këshilli, ku të gjithë mbrojnë shefin Çi-Çi… Një çudi artistike- nga autori: Çiçikovi vishet me plot virtyte që nga gjatësia e trupit, nga këpuca e madhe deri te koka shumë e madhe…Dhe kjo shaka e trashë i shton shitjet dhe blerjet në treg.
…Në galerinë e personazheve gogoliane nuk lihen jashtë valles as zonjat e larta të gubernës, të lara e të lyera që ndërrohen dy herë ditën, të ngejshme për çdo thashethem dhe ca punë të tjera ashtu e kështu si punë sekreti. Pse jo, mor vëlla, E kujt i hyn në punë ç’bën nuni me zonjën nunë? Zonjë e këndshme ama, nga të gjitha pikëpamjet, të gjitha thjeshtësisht të këndshme, çuditërisht të nderçime… Dhe një zonjë tjetër që nuk po ia themi emrin sepse e posedon shefi i madh i gubernës qendrore; epo, është e bukur dreqka, me atë fustanin e gjerë zapton gjysmën e kishës. Në ballo, korbi burrë i saj, e demaskon, veçse, jo direkt zonjëzën e nderçme e shumë të kolme, por vetë ballon – që qenka marrëzi. Po po, marrëzi; ja një burrë i pjekur hidhet e përdridhet, përplas këmbët si djall me brirë, duke e shtrënguar damën në gjoks.. Ma mban veten dhe patriot, pa le!..
Gogoli vdiq në 4 mars 1852. Dhe mbi varrin e tij është shkruar ky epitaf: “Me fjalën time të hidhur mund të qeshni përjetë”.