“Kur të gjithë ne, të jemi vetëvrarë”: 1.25

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Nëse deri në faqen e 15-të, autori nuk vendos diçka që do ndryshonte rrjedhën e deriatëhershme atëherë diçka nuk shkonte në skenar. Me këto fjalë, autori Makoçi fillon tranzitimin e subjektit por me gjykimin e personazhit të vet, që shqyrton skenarin e një shqiptari. Libri i ri “Kur të gjithë ne, të jemi vetëvrarë” synon t’u ngjajë pak kutive kineze, që do hapin njëra pas tjetrës histori të historisë shqiptare. Dhe bash në faqen e 14-të, autori na ka marrë përdore në një udhëtim që një personazh i krijuar nga ai prej SHBA-së me emrin Rollo e kërkon në Shqipëri me sensin e një Gjenerali por këtë herë jo eshtrash por arketipesh. Por kujdes: lexuesi duhet të përgatitet se nuk është thjesht një roman linear veçse një bashkësi rrëfimesh që në një matricë realiteti shumë të prekshëm për ne, ndërkallin rrëfime bashkëkohore. Për t’u dhënë një vend edhe më të arsyeshëm ato kanë lidhje dhe me të shkuarën. E kudo, ora fiksohet në numrat fatalë 1.25. Është pikërisht ky element që t’i kupton se autori me një kulturë shumë të mirë të shkrimit administron lëndën e tij, si edhe mban kadencën e veprës. I gjithë rrëfimi ka elementë të një Realizmi Magjik, që autorit ia bën jo thjesht më të lehtë por më të arsyeshëm një histori me ngjarje plot elementë surealë.
Autori, në romanin e tij të fundit “Kur të gjithë ne, të jemi vetëvrarë”, e ka mbrujtur prej vitesh ose për një periudhë prej plot 20 vitesh. Me këtë mund të kuptohet sepse lirizmi i theksuar në disa vende ka ngutje narracioni kurse zhvillimet e personazheve kryesore duken pak si në formë asimetrike. Vetëm se ndjenja e masës dhe logjika e skenaristit (autori e ka këtë formim) është ajo që ndoshta edhe ardhur nga pavetëdija e tij, e frenon.
Ora ishte dy e natës. Vetëm atëherë e kuptoi se kur ishte nisur nga shtëpia e kishte parë orën gabim. Akrepi i vogël kishte qenë numri një, ndërsa i madhi tek numri pesë. Pra ndërsa atij i ishte dukur sikur të ishte ora pesë, në të vërtetë kishte qenë 1 e 25-së…”
Narratori është i vendosur në vetën e tretë dhe kjo është sfida e autorit të menaxhojë në formë sa më racionale mozaikun e personazheve të veta. Duke i parë nga sipër ka mundësi t’i drejtojë kah një ngjarje, që mund të jetë e marrë edhe nga jeta reale por që ai i ka dhënë karakter pak surreal. Kuptohet se drejtimi më së shumti post ’90, si edhe drejt kohëve tona tregon pak a shumë edhe moshën fizike të autorit, por më shumë se kaq habitatin se ku do të veprojë.
Falë një leksiku të mirë dhe deridiku edhe përzierë me lokalizma, që i shkon vendit të origjinës, një kulture për t’u admiruar që e përcjellin edhe sintezat e tij, autori na sjell një histori të Shqipërisë së tranzicionit dhe remineshenca të së shkuarës. Mozaiku i vogël i personazheve i jep jetë një areali që e bën krejt të gjallë çmendurinë shqiptare…
Duke e përmendur kaq vonë si emër, e jo pa qëllim, Vasil Makoçi sjell romanin e tij normalisht pas krijimeve në zhanret e poezisë, tregimeve, novelës. Një rrugë që tregon arsye por edhe logjikën pse ka vendosur të kalojë në një gjini kaq korale si romani. Që kërkon përveç njohurive të kompozicionit dhe elementë të tjerë të narracionit dhe mbi të gjithë fuqinë e bërjes së një sinteze. Nëse pika ngjitëse është djali që jep skenarin për ta bërë në SHBA dhe pastaj udhëtimi i skenaristit amerikan, që e vlerëson, dy figura periferike sa i përket peshës së romanit por edhe përbashkuese me të gjithë lëndën; në kahun tjetër na ofrohen Visari dhe sidomos Albenci dy personazhet që shtjellojnë fabulën e autorit. Ku elementët gati të pabesueshëm por fare normalë për ata që e kanë përjetuar pas ’90 shpalosen lehtësisht. Duket se elementë autobiografikë i ndërkallen normal dhe kjo i jep besim Makoçit që të lundrojë i qetë në veprën e vet. Gjetja me simulimin e shpërthimit të Visarit që e bën për shfaqje publike dhe që lidh dy skajet e veprës, kur përballet me Rollon është edhe trungu ku del edhe historia e jashtëzakonshme e Albencit, që duket si një lloj alter ego e autorit. Mënyra poetike sesi e ndjen jetën ky i fundit dhe si përfundon me një nga bandat e qytetit jep paradokset shqiptare, ku e gjithë gama jetësore dhe përvoja të ndryshme që s’kanë lidhje fare me njëra-tjetrën arrijnë edhe mund të bashkëpunojnë. Dhe, ku përmes një përfytyrimi por edhe një ngjarje për të cilën skenaristi nga SHBA do ta prekë me elementë realë. Vetë Albenci përfundon keq. Ëndërr e ndërprerë dhe përfundon tragjikisht. Ashtu si para tij, paraardhës të tij në një nga ngjarjet më të pabesueshme në libër. “Ngjarja kishte ndodhur në vitin 1948. Kishte qenë data njëzet e muajit Dhjetor, pesë dita para Krishtlindjeve, pra nata më e gjatë e vitit. Gjyshi i Albencit në atë kohë i nxirrte të ardhurat e jetesës prej shitjes së ullirit dhe të agrumeve…”.
Nga ana tjetër, në librin e autorit, ti kupton një pjekuri letrare, pasi në disa vende ke shfrime lirike tejet simpatike: “Thuhej që një natë, gjatë baticës, në shtëpitë buzë ujit, kishin zbarkuar bashkë me krijesat e tjera edhe sy sirena,-njëra mashkull e tjetra femër-, të cilët qenë kryqëzuar me vajzën dhe djalin më të pashëm të fshatit. Pastaj, përpara se ndonjëri prej këtyre të kuptonte se çfarë kishte ndodhur qenë tretur mes stërkave të zbaticës së agimit. Ishte diçka që askush nuk mund ta vërtetonte, por edhe që askush nuk mund ta mohonte dot, sepse gjithçka kishte ndodhur gjatë kohës kur fshati përkundej i përgjumur si një djep mes ardhjes dhe tërheqjes së valëve, me një fjalë, gjatë një kohe ku si në ëndrra çdo gjë ishte e mundur”…
Ka një sens eklektik që Vasilit i rrëshqet prej nevojës për të futur sa më shumë elementë të dijes por edhe të realiteteve që ka përjetuar dhe kjo e bën romanin që ta lexosh me kujdes edhe për mënyrën sesi i fut këto elementë. Dhe, përpos gjërave interesante që lidhen disi me detajet e Realizimit Magjik kemi edhe kategori të tjera estetike si të shëmtuarën që tregohet përmes të keqes që e kaploi vendin tonë; ashtu si edhe të bukurën, që përfshihet te pjesa shpirtërore e Albencit, tek përshkrimet lirike por edhe një përkëdhelje që i bëhet stilit, sidomos atij leksikor. Këtyre i bashkohet edhe humori që është organik, por që vende-vende ndihmon të shpaloset më lehtë paradoksi që e kanë elementët e Realizmit Magjik, e që kuptohet se nuk ruhen në të gjithë veprën. Dhe, gjetja e kohës, atë që nis me shtjellën e fabulës, vdekjen e një personazhi, dhe hasjen shpesh dhe gati me ritmin e një partiture muzikore të konceptit kohor 1.25. Kjo e fundit më shumë i ngjan një elementi masonik, por që duket se është një nga interesat e shumta të autorit, kurse mënyra sesi i ka shkrirë përgjatë veprës ia vlen të përgëzohet. Mbase mund të ishte pak më i kursyer me elementët e përshkrimeve të socializmit sepse e kthen në një Realizëm klasik, por kjo është zgjidhja e tij dhe me sa duket një angazhim për të nxjerrë një subjekt, që e “ka torturuar” për gati dy dekada dhe që na jepet me atë që shpalos Visari me atë fund fatalist. Interesant është edhe layout i kopertinës, por autori ka menduar që përballjen e parë lexuesi i tij i shekullit XXI ta ketë qysh me të çarën e çelësit, ku mund të abstragohet për gjithçka. Tek e fundit, lexuesit i intereson futja në këtë botë, si edhe sfida e tij, që ashtu si personazhi kryesor, donte të gjente arketipin e skenarit të tij apo vetë autori në realitet ta shndërroj këtë subjekt në një skenar. Por, kuptohet para se edhe lexuesi të kuptojë ndryshe se ku të përcjell fakti i fabulës se “Kur të gjithë ne të jemi vetëvrarë”…e bash në kohën 1.25

Lexo edhe :  Tradita dhe kultura çame bën bashkë të rinjtë në Sarandë

Të fundit

Një Kosovë, i njëjti Grenell, por Trump tjetër

Nga Frrok Çupi Për tre ditë, këtë të diele, në Kosovë mbahen zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare. Kosova i bën këto zgjedhje...

Samiti “Pact of Free Cities”/Rama:Transformimet në Tiranë, fillimi i një gjerdani veprash

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në samitin “PACT OF FREE CITIES”, ku kryebashkiakë dhe përfaqësues nga metropolet më të mëdha të Europës dhe...

Bixhozi, ekonomia dhe tradhtia, shkaqet kryesore të divorceve!

Thuajse në të gjitha gjykatat e vendit, paditë për zgjidhje martese janë dyfishuar gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin paraardhës. A2 CNN ka marrë të...

A e largon kafeja dhimbjen e kokës? Ja këshillat që duhet të ndiqni

Dhimbja e kokës ka efekt ngadalësues për të gjithë organizmin. Njeriu kërkon shpëtim të menjëhershëm kryesisht tek medikamentet si paracetamoli, por në disa raste...

Protesta e 8 Shkurtit/ Ministri Hoxha: Kemi marrë të gjitha masat

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në një deklaratë për mediat u pyet se a ka marrë masa policia për protestën e PD më 8...

Lajme të tjera

Web TV