Profesori grek: Në Greqi në vitet 90’ kishte albanofobë, tani Shqiptarët quhen si “tanët”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit Panteion të Athinës, Profesor Dimitris Christopulos, vizitoi Universitetin Mesdhetar të Tiranës, ku foli për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe integrimin e Shqiptarëve në Greqi, sidomos brezi i dytë që ka lindur atje. Si i sheh zhvillimet politike mes vendeve dhe a i përgjigjen ata harmonisë mes qytetarë të dy vendeve?

Profesor Dimitris Christopulos është Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit Panteion të Athinës. Javën që kaloi ai ishte në Tiranë bashkë me një grup studentësh të nivelit Master, fëmijë emigrantësh shqiptarë të lindur dhe rritur në Greqi. Gjatë kësaj vizite ai mbajti leksione në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë me të cilin Universiteti Panteion është në bashkëpunim të ngushtë në lidhje me mobilitetin e stafit pedagogjik dhe studentëve. Profesor Christopoulos zhvilloi një sërë takimesh dhe u shfaq në emisione televizive ku promovoi një dokumentar të prezantuar në Greqi disa muaj më parë mbi krijimine një identiteti i përbashkët greko-shqiptar që po formohet në Greqi vitet e fundit përmes proceseve të socializimit dhe integrimit të brezit të dytë dhe të tretë të emigrantëve shqiptarë në vendlindjen e tij.
Profesor, zoti Christopulos, çfarë ju sjell këtë herë në Shqipëri? Them “këtë herë” sepse e di që jeni vizitor i rregullt i vendit tonë.

– Keni të drejtë. E dua Shqipërinë dhe, me aq sa mundem, luftoj për ta njohur. Më intereson shoqëria e saj, natyra e saj, kultura e saj, historia e saj, politika e saj. Por më shumë më interesojnë njerëzit. Njerëzit këtu – ata pak që kanë mbetur – por më intereson edhe diaspora shqiptare me të cilën, siç e merrni me mend, kam shumë kontakte në Greqi.
Si profesor në Universitetin Panteion, cila është përvoja juaj me studentët shqiptarë?
– Në Panteion jap mësim që nga viti 2000. Në atë kohë nuk kishte ende fëmijë emigrantësh shqiptarë që studionin. Studentët e parë u shfaqën pak nga pak në mesin e viteve 2000 dhe që atëherë ata janë bërë gjithnjë e më të shumtë. Sa më i madh në numër bëhet komuniteti studentor shqiptar, aq më i padukshëm bëhet pasi asgjë nuk e dallon nga të tjerët. Prej shumë vitesh, vetëm gjatë sezoneve të provimeve – kur shikoj kartat e studentëve – kuptoj nga emrat që studenti është nga Shqipëria. Performanca e tyre është e njëjtë me të tjerët – ndonjëherë edhe më mirë sepse janë mësuar me punë të palodhur – veshjet dhe zakonet e tyre janë identike dhe natyrisht greqishtja e tyre është si ajo e të gjithë grekëve.

Kjo në dëm të shqipes?
– Shikoni: kjo varet nga familja. Ka familje shqiptare në Greqi të cilat i shtynë fëmijët e tyre të mësojnë kryesisht greqishten dhe anglishten si gjuhët e nevojshme që duhet të flasim sot të gjithë, në dëm kjo të gjuhës shqipe. Ka fëmijë që janë plotësisht dygjuhësh dhe ka fëmijë – por këta janë dukshëm më pak – greqishtja e të cilëve duket se është gjuhë e dytë, sepse gjuha e tyre amtare mbetet shqipja. Imazhi që përshkruaj është imazhi i komunitetit shqiptar në Greqi, por besoj se është i njëjti në të gjitha komunitetet e emigrantëve në mbarë botën. Qofshin këta grekët në Gjermani, rumunët në Itali e kështu me radhë. Dua ta them këtë sepse e di që gjithmonë kemi një tendencë për të besuar se ajo që po ndodh me ne është unike, se sjelljet e emigrantëve të brezit të parë dhe të dytë kanë shumë të përbashkëta. Brezi i parë has vështirësi në integrim dhe sakrifikon jetën e mirë për brezin e dytë; brezi i dytë integrohet – edhe pse me probleme– dhe problemet e tij nuk janë të njëjtat më ato të prindërve të tyre , por me ato të brezit të tij, të moshatarëve vendas. Kështu edhe në Greqi: djali apo vajza e një emigranti shqiptar ka problemet me të cilat përballet çdo i ri grek i moshës së tij dhe plus kësaj mban mbi shpinë –herë më shumë e herë më pak- edhe vështirësitë që rrjedhin nga origjina e emrigrantit.
Këto vështirësi në Greqi, sipas vlerësimit tuaj, janë të mëdha apo të vogla?

Lexo edhe :  Të mungon dikush? Si ta përballosh ndjesinë e vetmisë

– Këto vështirësi ishin të mëdha në vitet ’90 kur albanofobia mbizotëronte në Greqi por me fillimin e integrimit, problemet u zbutën. Mund të cuditeni me këtë që do ju them, por që kur Greqia u bë destinacion i emigrantëve nga Azia dhe Afrika, greku i mesëm kur flet për “emigrantë” nuk i referohet shqiptarëve por emigrantëve të rinj që vijnë në Greqi nga viti 2000 e në vazhdim. Shqiptarët në njëfarë mënyre konsiderohen “tanët” tashmë, dhe në këtë mënyrë e përjetojnë edhe vetë shqiptarët. Afiniteti kulturore i të dy popujve, afërsia e tyre gjeografike, identifikimi i tyre me mënyrën se si ata duan të ndërtojnë jetën e tyre – beteja e përditshme për jetën – kanë bashkuar tashmë grekët dhe shqiptarët në një fat të përbashkët në Greqi.

A mendoni se problemet e trashëguara nga historia e shekullit të 20-të, luajnë një rol të caktuar? A nuk kanë peshën e tyre persekutimi dhe dëbimi i çamëve, gjendja e luftës, minoriteti grek në Shqipëri, përcaktimi i shelfit kontinental dhe i Zonës Ekskluzive Ekonomike?

– Sigurisht që e kanë; për këtë arsye vihet re se shoqëria greke ka ecur me ritme shumë më të shpejta në integrimin e shqiptarëve sesa shteti grek. Në përgjithësi, besoj se Greqia dhe Shqipëria kanë çdo interes për të gjetur një zgjidhje – një marrëveshje “paketë” për të gjitha këto probleme të trashëguara nga e kaluara – dhe për t’u interesuar për të ardhmen e gjysmë milioni njerëzve me origjinë shqiptare që jetojnë në Greqi. Si Greqia ashtu edhe Shqipëria duhet të kuptojnë se në ditët e sotme po formohet një identitet i ri, një përkatësi e përbashkët, greko-shqiptare apo shqiptaro-greke, quajeni si të doni, që thyen nocionin primordialist të kombit. Besimi se dikush ” lind” dhe “nuk bëhet” është një marrëzi raciale që fatkeqësisht ka ende shumë qëndrueshmëri në Shqipëri dhe më pak në Greqi. Them më pak në Greqi, sepse përvoja e 30 viteve të emigracionit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë e ka familjarizuar tashmë shoqërinë greke me faktin se “grekë nuk lindim por bëhemi”.
Domethënë, për shoqërinë greke, emigrantët shqiptarë të brezit të dytë janë grekë?

– Per mua, ju pergjigjem pa rezerva, po. Nëse dikush dëshiron të jetë grek, ai ndihet grek, ai është grek. Nëse dikush dëshiron të jetë shqiptar dhe ndihet shqiptar, ai është shqiptar. Nëse dikush përjeton qënien e tij si grek me origjinë shqiptare- është gjithashtu zgjedhja e tij. Kështu janë kombet. Kombet nuk janë kope ujqërish por janë komunitete njerëzish që formësojnë jetët e tyre dhe përkatësitë e tyre sipas nevojave të tyre. 85% deri në 90% e personave që kanë marrë nënshtetësinë greke në dekadën e fundit janë shqiptarë, rreth 250 mijë, dhe çdo ditë numri do të rritet. Prandaj, më thoni: çfarë është e rëndësishme për jetën e kësaj pjese kaq vitale të shoqërisë greke? Marrëdhëniet greko-shqiptare në Luftën e Ftohtë dhe çfarë ndodhi në vitet 1940 dhe 1950 me minoritetet, apo gjetja e një pune dinjitoze, e një shoku/shoqeje jete, duke jetuar njerëzisht dhe më mirë se prindërit e tyre? Ju pyes në mënyrë retorike!

Ju falënderoj për intervistën! A do të riktheheni në Tiranë?
Siç ju thashë, jam i kënaqur që vij në Shqipëri dhe besoj se grekët nuk e dinë se sa e rëndësishme është Shqipëria për Greqinë. Siç më tha një grek shumë i rëndësishëm – ndoshta më i rëndësishmi – në Tiranë, “Shqipëria është më e rëndësishme për Greqinë sesa Franca”. Dhe sado që mund t’ju bëjë përshtypje, këtë e besoj edhe unë. Rrallëherë një vend aq i vogël sa Shqipëria ka një popullsi kaq të madhe në një vend fqinj i cili u shndërrua në një destinacion emigrantësh.

Kemi nisur një bashkëpunim të shkëlqyer me Universitetin Mesdhetar, synimi im është që studentë dhe pedagogë nga Universiteti Panteion të vijnë këtu, që pedagogë dhe studentë nga Tirana të vijnë në Athinë dhe në përgjithësi të fillojë një lëvizje dinamike. Kjo është e ardhmja e marrëdhënieve greko-shqiptare në shekullin tonë. Këtë ia kemi borxh këtij brezi të ri. Uroj që të takohemi përsëri!

Të fundit

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

EMRAT/ Kush janë të arrestuarit nga SPAK në Bashkinë e Tiranës

Emrat e dejtorëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës të arrestuar ditën e sotme nga SPAK janë bërë publike. Mësohet se në pranga kanë...

Rryma e oqeanit përshpejtohet me nxehtësinë. Problem për akullin e Antarktidës

Shkenca Rryma Rrethore e Antarktikut intensifikohet me rritjen e temperaturave: është e destinuar të rritet në shpejtësi dhe të hajë akullin.   Elisabetta Intini   Çfarë mbart më...

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund për t’u kuptuar se është...

Lajme të tjera

Web TV