SPAK është kritikuar nga Rama se nuk po heton “palën tjetër”, duke iu referuar Sali Berishës dhe Ilir Metës. Po ashtu edhe opozita e ka vënë prej kohësh në shënjestër, duke e cilësuar si “të kapur nga qeveria”. Si i konsideroni këto qëndrime? A është normale që një institucion i pavarur të vihet në kritika dhe komente politike, nga të gjithë anët?
Po, duhet të jetosh në një vend normal, që të pretendosh më pas që kësi kritikash dhe kërcënimesh të të duken anormale. Ne nuk jetojmë në një vend të tillë. Shqipëria e sotme nuk do të kishte asgjë më shumë se disa vende afrikane, parë kjo në një kontekst tjetër, atë të demokracisë dhe të drejtave themelore shtetformuese. Është njësoj sikur të shkosh në një shtëpi publike dhe aty të kërkosh një mërrëdhënie me një femër të virgjër. A ndodh kjo? Sigurisht që jo. Në kësi kushtesh jemi edhe ne sot: me një klasë politike të korruptuar deri në palcë; me një qeveri-mazhorancë që ka treguar qartazi sesi “vidhet me ligj”; me një opozitë të shitur dhe pa asnjë opsion real në ndihmë të votuesit; me një shoqëri civile të kapur (edhe për shkak të infektimit nga ana e politikës); dhe natyrisht edhe me një sistem gjyqësor, tejet të konsumuar deri në degjenerim. Madje, nuk do ishte aspak e tepruar nëse nuk do të kishte qenë për ndërkombëtarët dhe veçanërisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot do të kishim një drejetësi akoma edhe më të korruptuar. Sigurisht që ngritja e organeve të reja në drejëtsi kanë pasur vështirësi të panumërta. Sigurisht që janë bërë edhe shumë gabime gjatë procesit të vetingut, por ngritja e SPAK-ut ka qenë domosdoshmëri, pasi personalisht e shikoj si të vetmin organ që mund ti bëjë ballë kësaj klase politike. Dhe besojeni ose jo: nëse SPAK lihet i qetë, që të bëjë detyrën e vet, dhe të hetojë sa majtas dhe djathtas, në këtë vend nuk do të mjaftonin burgjet për politikanët. Pa dashur të absolutizoj gjithçka, unë mendoj se nuk ka politikan (deputet, kryebashkiak, ministër, apo qoftë edhe drejtor), që në këto 30 vite nuk ka ngjyer qoftë edhe një herë të vetme gishtat në tavën e fondeve publike. Ndaj kur dëgjoj Ramën, Berishën, Metën, Bashën, Veliajn, apo gjithkënd tjetër që flet kundër organeve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht ndaj SPAK-ut, afërmendsh gjykoj se gjithë ky nervozizëm vjen për shkak të ndonjë hetimi, pasi arsye tjetër nuk mund të gjej. Kryeministri nuk ka nevojë fare që të cytë SPAK-un, por mjafton që të luftojë korrupsionin mes vehtes. Mjafton të lejojë që prokurorët të hetojnë çdo letër në PPP-ve të famshme. Të çdo procedure tenderuese koncesionare ose jo. Mjafton që dëmin galopant ekonomik që raprton çdo vit Kontrolli i Lartë i Shetetit ta referojë në organin e akuzës. Mjafton të bëjë kaq, për të qenë ballë-lart përpara shqiptarëve. Ndërsa sa i përket pjesës opozitare, nuk arrij të kuptoj sesi është e munudr që akoma 9 vjet pas ndryshimit të pushtetit nuk kemi ende drejtorë, ministra apo edhe deri kryeministër nën hetim. Kjo po, që është shqetësuese, por sigurisht që nuk mund të zgjidhet me demagogji, kërcënime dhe deklarata politike.
SPAK edhe pse në thelb u krijua gati tre vjet më parë për të hetuar kryesisht korrupsionin edhe në nivele të larta dhe krimin e organizuar, a i ka arritur pritshmëritë, jo vetëm publike por edhe juridike për çështje të caktuara?
Mos kërkojmë prefeksionin në një vend si Shqipëria. Unë besoj fort tek puna e SPAK-ut. Ky organ ka në strukturën e vet prokurorët më të mirë që ka sot për sot vendi ynë dhe në rast se ata lihen të qetë në punën e tyre, unë jam i bindur se rezultatet do të vijnë. Sigurisht, pritshmëritë e shqiptarëve janë të larta, pasi kemi të bëjmë me 30 vite tranzicion, 30 vite probleme të krijuara nga një klasë politike e korruptuar, por asesi nuk mund të pretendojmë që vendi do të pastrohet nga kjo gangrenë sa hap e mbyll sytë. E rëndësishme është që organet e drejtësisë, SPAK-u në veçanti të lihet i qetë, larg çdo ndikimi politik dhe oligarkik.
A rrezikohet që një dosje mirëfilltas hetimore të kthehet në lojë politike. Nëse SPAK merr nën hetim ish-zyrtarët e lartë Sali Berisha dhe Ilir Meta, a mund të degradojë çështja duke e cilësuar si “sulm politik”, apo “të urdhëruar nga Rama”, për aq kohë sa ka deklarime publike prej tij, edhe për çështje specifike si tragjedia e Gërdecit, vrasja e katër qytetarëve më 21 Janar 2011, etj?
E thashë edhe më lart: kur flitet për emra si Berisha, Meta, Rama, Basha, Veliaj, unë mendoj se drejtësia është e vonuar. Është e kuptueshme që nëse këta personazhe merren në hetim, atëherë do të mundohen që të mbrohen me petkun e politikanit, por personalisht mendoj se më mirë të nisë një hetim gjysmak, sesa të mos ketë fare hetime. Më mirë të ketë një start, një akuzë me qëllim që të tillë politikanë, nëse kanë bërë korrupsion, minimalisht të dalin nga skena politike, sesa të “rrahin gjoksin” ende përpara shqiptarëve sikur janë njerëzit më të kulluar të këtij vendi. Për shembull, mua nuk më ka interesuar shumë nëse akuzat ndaj Saimir Tahirit legjitimoheshin në gjykatë apo jo. Perceptimi im ishte se ish-ministri i brendshëm ishte i korruptuar, ndaj më mjaftonte edhe fakti që ndaj pati akuzë dhe ai përfundimisht doli nga skena politike. Të njjëtën gjë duhet të kërkohet minimalisht edhe për politikanë të tjerë të këtij rangu apo edhe më lart sesa kaq. Shqipëria duhet të shpëtojë nga kjo klasë politike dhe këtë gjë e bën të mundur vetëm SPAK-u.
E gjithë kjo situatë është frikë e politikës se po preket në përballje me ligjin, apo është një mënyrë për të nënshtruar gjithë Reformën në Drejtësi, pavarësisht se është nisur dhe ngritur me trysninë e vazhdueshme ndërkombëtare? Cili do të jetë qëndrimi ndërkombëtar nëse kjo betejë deklaratash vijon?
Që ekziston frika e shprehur qartazi me nervozizëm kjo duket në çdo deklaratë. Madje e çuditshme është fakti se Rama më shumë sesa për faktin se po i krijohet një grup parlamentar në qelitë e burgut, po yshtet që të adresojë punën e SPAK drejt opozitës, kur ka pasur kohë plot 8 vjet që ta mbushte organin e akuzës me dosje korrupsioni. Pra, deklarata të tilla veçse dëmtojnë vetë politikën dhe tregojnë qasjen që si mazhoranca dhe opozita kanë ndaj drejtësisë së re. E thashë, kjo drejtësi nuk është perfekte; ka 1001 gabime, sidomos në mënyrën e vetingut, por gjithsesi është më e mirë dhe më e shoshitur sesa ajo që kishim deri pak vite më parë. Në këtë kontekst, duhet thënë faleminderit Amerikë dhe Bashkim Europian që na kanë mbështetur. Nëse do ishte për politikanët tanë, kjo reformë asqë do kishte shkuar në komisionin e ligjeve, dhe jo më të miratohej në parlament dhe të implementohej. Unë jam besnik i idesë: më mirë një drejtësi e cunguar, sesa padrejtësi pafund!