Parlamenti u mblodh dje për procedurë që të digjte raundin e parë të votimit për presidentin e ri. Si mazhoranca ashtu edhe opozita nuk arritën në një emër konsensual, ndërsa duket se palët janë ende larg, ku mund të digjet edhe raundi i dyte. Rama: Nuk kemi se me kë opozitë të diskutojmë. Alibeaj: Opozita të ketë të drejtën të propozojë emra
Raundi i parë i zgjedhjes së presidentit të ri u dogj dje pa asnjë vendim, pavarësissht se procedurialisht parlamenti duhet të mblidhej. Asnjë nga palët, si mazhoranca ashtu edhe opozita nuk u dakordësuan për një emër që të mund të kalonte në votim. Po a mund të sjellë kjo mundësinë që PS ta zgjedhë e vetme kreun e shtetit, në raundin e katërt ose të pestë ku i nevojiten vetëm 71 vota? Këtë mundësi duket se e ka lënë të hapur kreu i qeverisë, ndonëse është shprehur se opozita duhet të sjellë emrat dhe se të vetmin kusht që ka PS është që të mos negociojë me Sali Berishën. Kryeministri Edi Rama ka folur pas seancës së sotme plenare, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. I pyetur nëse PS ka emër për ta propozuar në raundin e dytë dhe të tretë, Rama u përgjigj shkurt, jo. “Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar raundin e parë, të dytë dhe të tretë. Ndërkohë që nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë vullnet nga ana e palëve të tjera për t’u përfshirë në proces deri tani. PS nuk ka emër për President për raundin e dytë dhe të tretë”, tha Rama. I pyetur se PD kërkon nga maxhoranca që t’i japë të drejtën opozitës për të bërë propozime për Presidentin e Republikës, ta diskutojë dhe më pas t’i japë votën për ta kaluar në parlament… “Pse për çfarë arsye duhet të bëjë kështu PS-ja? Të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në këtë proces edhe t’ia kalojë këtë të drejtë kujt? Kujt ekzaktësisht se ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër se kemi lloj-lloj copash dhe çikash. Nuk e shoh dot ku qëndron logjika në këtë, s’ka logjikë. Ne kemi kaluar 2 herë në këtë proces kur kemi qenë në opozitë në drejtimin tim. Një herë kur ne kishim numra të mjaftueshëm për të bllokuar 84-ën, pavarësisht se si shkuan gjërat më pas, por një herë kur ne nuk kishim numrat. Pra, PD kishte numrat për të zgjedhur Presidentin dhe ne kemi kaluar në këtë proces, jemi ulur në tryezë. Kemi thënë gjërat tona, kemi bërë përpjekjen tonë dhe kemi vazhduar përpara pavarësisht se shumica e asaj kohe zgjodhi një president tjetër, që ishte nga radhët e partisë së shumicës”-theksoi Rama.
Me cilën opozitë?
Kryeministri Edi Rama u shpreh se janë të gatshëm të flasin me opozitën për procesin për presidentin e ri, ndërsa saktësoi se mazhoranca e ka shprehur qartë se me cilën palë nuk do të negociojë. Gjatë fjalës së tij, Rama më tej shtoi se mazhoranca ka treguar durim për të zhvilluar këtë proces. “Ne kemi thënë gjërat tona dhe kemi vazhduar përpara. Ky është roli që ka opozita të gjejë rrugë për të gjetur një konsensus të mundshëm me shumicën dhe të jetë e hapur për një dakordësi që mund të jetë e shumicës, se kuptoj këtë që ne duhet ta vendosim vetë, por mirë vendoseni dhe si do vendoset. Nuk ka asnjë nevojë që ne të hyjmë të bëjmë testime për të parë që ne nuk i kemi votat, do presim nëse do ketë dëshirë nga pala tjetër që mesa duket nuk ka. Por nuk do të mbetemi pa ezauruar atë mandate nga kushtetuta”, tha Rama. Ai më tej la të kuptohej se vetëm me Berishën nuk mund të ulej në negociata për të gjetur emrin konsensual për kreun e ri të shtetit. “Dihet se me kë ne nuk negociojmë për asnjë arsye dhe refuzojmë ta marrim në konsideratë. Jemi ta gatshëm të flasim me çdo palë që do të donte të fliste me ne. Por nëse jo do presim me durim dhe në momentin që hyjmë në raundin e katër do përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për të zgjedhur presidentit, s’kemi rrugë tjetër”, përfundoi ai.
Alibeaj” Mazhoranca nuk ka legjitimitet
Në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Al;ibeaj e ka cilësuar procesin e deritanishëm për zgjedhjen e kreut të shtetit si farsë. “Fatkeqësisht që raundi i parë mbaron në 5 min e 27 sekonda dhe kuptohet fare mirë se çfarë që qëndron pas kësaj. Unë e kam thënë që të marrim pjesë në proces. Kjo mazhoranc nuk e ka legjitimitetin për zgjedhjen e presidentit. Qëndrimi ynë është i qartë, kemi bërë një deklaratë të çuar edhe mazhorancë, pra nëse do duhet të zgjedhe presidentit e të gjithë shqiptarëve duhet proces konsensual dhe që të jetë i besueshëm ka sens që procesi të zgjidhet në tre raundet e para”, tha ai. Më tej Alibeaj ishte i prerë që emrin duhet ta propozojë opozita dhe mazhoranca të vendosë nëse do e mbështesë ose jo. “Kemi qenë në pritje të qëndrimit të mazhorancës , ku të zgjidhet në tre raundet e para, ku propozimi të jetë i yni. Jemi në pritje të qëndrimit të mazhorancë. Pra propozimi duhet të jetë i opozitës. Nuk do të duhet që presidenti të zgjidhet në raundin e katërt dhe të pestë sepse zgjidhet me 71 vota që i kanë vjedhur. Ky proces i propozuar nga ne është i hapur për diskutime”, përfundoi ai.
Vasili: “Risia e Ramës abortoi”
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili e cilësoi një farsë 5 sekondëshe dhe një abort të risisë së kryeministrit Rama. Vasili tha më tej se Rama do zgjedhë rripin e tij të mesit për ta çuar në Presidencë. “Risia e Edi Ramës abortoi. E gjithë farsa, komedia e zezë që u luajt këto 2-3 muaj nuk kishte qëllim të krijonte një proces me risi për zgjedh e Presidentit, por zhurmë për të hequr vëmendjen nga aferat. Me gjithë daullet e çara të çingijeve të Rilindjes, patë më në fund që procesi i dhjetëra zarfeve ishte një abort total. Sot gjithë shqiptarët prisnin pas këtyre daulleve, jo ne, por aborti qe i plotë dhe besoj se asnjë shqiptar nuk mund ta imagjinonte që të paktën për sy e faqe të mos kishim qoftë edhe një kandidat, qoftë dhe një kloun sa për ta paraqitur sot në sallën e parlamentit. I gjithë qe një fiasko e vërtetë, një faqe e zezë e vërtetë! Duhet shënuar në rekorde kjo farsë. Rama nuk ka seriozitet dhe nuk është shtetar. Ka atë qëllim të vjetër, etje të pashuar për të rrëmbyer institucionin e Kreut të Shtetit. Me 71 vota sa ka do zgjedhë rripin e tij të mesit për ta çuar në Presidencë. Akti i parë u luajt dhe komedia u luajt sot me 5 sekonda”, deklaroi Vasili për mediat pas mbylljes së seancës.