Shirat vdesin bashkë me ylberet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“O mik, më tha zemra ime
Veç prej teje trëndafili është i kuq”
– Emerson –

Nga PIRRO LOLI

Mbi emra shokësh e miqsh të rremë jeta të dikton të heqësh edhe viza të kuqe. E, në heshtje kundër dëshirës, të duhet t’i shtysh në honet e harresës. Por ata janë peshë e rëndë mbi shpatulla edhe në ikje, dhe mungesë. Pseudo miku të vret gjumin. Miqësia midis krijuesve është një investim i kristaltë shpirtëror, lehtësisht i lexueshëm. E xhantë që, po u thye nuk ngjitet më. Ajo tenton të bashkojë shije e prirje të përbashkëta ose të të përafërta estetike, kulturore, pa i përjashtuar karakteret. Poeti është një mënyrë e të qenit ndryshe edhe nga më i afërti mik. Kjo nuk e pengon miqësinë, sidomos në grup, ama, poeti i vërtetë është dhe investim i vështirë shpirtëror për t’u ndarë propocionalisht. Duhet kuptuar ç’do të thotë thotë të jesh i barabartë me ata që e pranojnë epërsinë e tjetrit. Kështu, poeti ecën gjithmonë e më tepër drejt vetmisë. Dhe ngec nëpër klithma violinash e gërmadha poezish të harruara.

POEMË E PA MBARUAR
Miqësia është investim shpirtëror tepër delikat, marrdhënie në kërkim të vetvetes si shëmbëlltyrë tek një tjetër. Njeriu kërkon te miku atë që nuk e ka e kështu bëhet më i plotë; por dhe për të ndarë me tjetrin atë që e ka si verifikim të vetvetes. Carlo Fuentes, në kërkim të rrënjëve të këtij koncepti thotë se miqësia është lidhja më e madhe fillestare midis vatrës dhe botës. Personi dhe vatra familjare synojnë aleanca me të tjerët që nevojat e tyre biologjike e shpirtërore, të shoqërizohen si shkëmbim përvojash. Të pashoqërizuara përvojat nuk e kapërcejnë dot as pragun as të paditurisë. Njeriu pamvarësisht nga stadet e zhvillimit dhe nivelet personale, kërkon një dalje nga e zakonshmja e marrdhënieve (ndryshimet, dashuritë, vlerësimet, urrejtjet, pengesat,kundërshtimet) dhe mundohet t’i harmonizojë ato. Ai synon t’u iket rrugëve të pjerrta që përgjithësisht janë tipike të përditshmërisë që njeriu s’i përballon dot i vetmuar. Dhe miqësia vjen edhe si mburojë shpirtërore. Miqësia është rrugë drite. Vaksinim kundër çdo mole që ha qeliza të gjalla ndjenjash pa u ndjerë. Ajo bëhet pasqyrë e vetvetes. Një statujë e bukur midis. Por gjithmonë e kërcënuar. Miku që i thotë vetes poet apo artist, duhet të ndërgjegjësohet për ca gjëra elementare që shpesh bëhen shkak i prishjes. Midis të barabartëve statuja e miqësisë nuk rritet sepse në krijimtari nuk ka barazitizëm, por hierarki. Barazia është përjashtim. Hierarkia ligj. Por ky ligj objektiv, i ashpër në dukje, aspak nuk e përjashton miqësinë. Nëse kuptohet, ai bëhet rrethanë frymëzuese dhe pozitive. Miku që mban mikun me të drejtë më të aftë se veten, është jo vetëm më i fituar, por futet në relata reciproriteti dhe detyrime. Krijimtaria artistike është një hapësirë pa anë e pa fund. Në të ka vend për të tërë ata që marrin këtë rrugë të përpjetë e pa krye. Krijuesi e ndien nevojën e mikut si partner, oponencë, mësues e nxënës shpirtëror. Shumë talente janë shpallur edhe nga miku. Dhe në largësi. Dhe me korrespodencë, që jo rrallë midis krijuesish mbeten pamflete të paharruara eseistike e miqësore. Jo rrallë talentet e lidhura me miqësi bëhen profesorë, redaktorë e çensorë të njeri tjetrit. Miqësia ndërtohet edhe me karaktere të ndryshme e të kundërta, kur, midis, ka diçka më të qenësishme që i afron subjektet e veçuara, të destinuar për vetmi. Politika, diplomacia artificiale e buzëqeshjeve, lajlelulet, nuk prodhojnë miq. Kush e do mikun për lajka e për interes, humbet dhe mikun dhe karriken. Miqësia presupozon ndihmën respektive, por dhe harmoninë e pikpamjeve të ndryshme. “Miqësia poetike” është poemë në ndërtim, gjithmonë e pambaruar. Në problemet e artit miqtë e mirë midis krijuesve, bien dakord në heshtje, për të mos qenë dakord (agree to disagree). Nuk ka peshore për miqësinë, as gjyqe kur prishet. Miku ka nevojë të plotësohet përditë, paçka se përsosmëria e poemës është mizore. Jargavan që do ujitur e plehëruar sistematikisht, përndryshe var kokën e të bën fajtor për braktisje.

STATUJA TË BRISHTA
Midis miqve ndërtohen statuja të bukura, por të brishta. Sepse të thyeshme si kristali, lehtësisht të tradhtueshme. Me statujën e mikut nuk luhet hidh e prit. Ajo, po u bë me baltë, bie, plagoset dhe rrëzohet. Vetëm midis fëmijve ajo bëhet lojë ping-pongu hidh e prit me humbës dhe fitues të çastit. Ç’kupton ti me fjalën “mik”, i thanë Sokratit të lashtë. “Një tjerër si unë”, u përgjigj ai. E, me që s’ kish Sokrat të dytë, ndoshta filozofi donte të thoshte, se nuk ka miq, miq të vërtetë, të përhershëm. Ose, unë si mik jam i përafërt me një tjetër e anasjelltas, por jo i njëjtë. Në mijëra vite më pas filozofë, shkrimtarë, psikologë të panumurt kanë shkruar libra të tëra rreth miqësisë. Me sa duket intelektin njerëzor e ka shqetësuar, jo vetëm domosdoshmëria e miqësisë, por dhe prishja e saj. Emocionet i zbehin argumentet. Poeti është një mënyrë e të qenit ndryshe edhe nga më i afërti mik. Kjo nuk e pengon miqësinë, ama, poeti i vërtetë është dhe investim i vështirë shpirtëror për t’u ndarë propocionalisht. Miqësia midis poetëve ka ndjeshmëri të veçantë dhe është shumë afër gjendjeve dhe situatave afektive, sepse poeti, më tepër se i llogjikshëm, është emocional..Kush vuan identitetin e rremë dhe sulmon tjetrin, është i pambrojtur. Shembuj ka plot midis shoqatave të krijuesve, pa përjashtuar askënd, Brenda dhe jashtë vendit. Krijuesit cilësorë janë të ndërgjegjëshëm se talentet e fuqishme kanë “një të metë të madhe” që stonon nëpër mardhënie të brishta kolegësh. Është ndikimi psikologjik i hijes së rëndë. Kjo dukuri fatkeqësisht është e përgjithshme. Personalitetet “fitojnë” pushtetin dhe humbasin miqtë. Ata duhet pranuar ashtu siç janë e miku i mirë, edhe në qoftë më pak i talentuar, duhet ta pranojë pushtetin e hijes që krijon arti. Natyrisht talenti është baza e miqësive midis krijuesve, por, nëse nëpërkëmbet hierarkia, vjen një ditë që miqësia ngatërron këmbët e veta. Miqtë që s’pranojnë vërejtje për veprën e tyre, veç të tjerash, kanë ardhë artificialisht ose rastësisht në art. Ata nuk duan të binden se dhe kryeveprat, nëse janë të tilla, kanë ardhë nëpër rrugën e mospranimit, të diskutimit e kundërshtive të ashpra. Le më pastaj për bejtexhinjtë e amatorët. Sensi kritik është kushti themelor i integrimit të jetës së njerëzve me talent që i dedikohen artit si shfaqja më sublime e intelektit njerëzor.
Nuk duhet të habitemi që personalitetet priren për egoizëm. Dhe janë të paktë ata që pranojnë bashkëjetesë shpirtërore duke ndihmuar edhe të tjerët të gjejnë vetveten. Midis nesh s’ ka personalitete, por e shumta talente relativë, që gjithsesi e meritojnë vëmendjen, miqësinë dhe mirkuptimin. Është madhështore statuja e mikut, por jo gjithnjë e vërtetë. Miku që nuk mundohet të rritet, braktiset gradualisht se poetët janë armiq të rutinës dhe mediokritetit. Miku i sinqertë ta jep mundësinë e verifikimit të unit dhe është i zoti të kapërcejë ndryshimet, duke kaluar me modesti, bujari e imagjinatë edhe shijet e kundërta dhe mediokritetin. Vetëm midis miqve të mirë dialogu dhe debati i mospranimeve bëhet natyrë dhe kulturë dialogu. Nëse në festat miqësore mungon sinqeriteti i analizave shkencore të veprës, që, fatkeqësisht, jo rrallë, zëvendësohet me tullumbace lavdërimesh, e pastaj dhe miqësinë e shtyn era .. e aq më keq nëse, autori thartohet e luan heroin e situatave alibike, të cilat rrjedhin nga kompleksi i inferioritetit, e ky, i rrëzon vetë statujat e ngritura me mundim. Amatorizmi i mikut priret nga mospajtime artificiale dhe bëhet mosmirënjohës, rrënjëdalë.

Lexo edhe :  Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

***
Duke qenë investim shpirtëror mardhëniet miqësore kërkojnë energji shpirtërore, kohë e tolerancë. E prandaj miqësia është dhe peshë që duhet ta mbash mbi shpinë. Solidariteti është përmasë e miqësisë, por dhe iluzive, dhe sakrificë për ta pranuar atë pa kushte. Kjo imponon kënaqësi intelektuale, është një dashuri pa flatra, por që vjen një kohë që miku të bëhet vetvete duke i dhënë emër kohës tënde. Njeriu mbart fytyrën e mikut e jo më kot thuhet “më thuaj me kë rri, të të them se cili je”. Por viruset janë sheshit, rreth ambjentit dhe thellësive të padukura të personit. Dhe fytyra e mikut është gjithnjë e rrezikuar, organizëm i mishtë, i pavaksinuar, miqësia sëmuret, zbehet, thyhet dhe vdes pa diagnozë. Por ka dhe miqësi që mbeten të tilla gjatë gjithë jetës. Asnjë miqësi nuk është e përkryer por të voglat, hipokritet, amatoresket sidoqoftë prishen, zhvokshen. Trishtueshëm për vetë ata.

MOS FOL PËR ATË QË IKËN.
Jeta provon miq të humbur. Miq të rremë. Miq me maska. Por mikut që ikën nuk duhet t’i bësh biografinë me laps të zi. Mjafton që iku. Dhe braktisja ka këngën e vet. Kjo është shumë. Dhe dhëmb shumë. Denjësisht për baladë. Si të vdekurit që, paçka se ia dinim të metat, nuk ia zëmë më në gojë. Shirat vdesin bashkë me ylberet. Miku shpesh të vdes në duar. Dhe ikën si një mëngjes që nuk përsëritet. Miqësitë e humbura janë më tipiket se të fituarat e gjithnjë për njeriun mbetet një vend bosh e kërkesa për miq të rinj mbetet e hapur. Asnjë miqësi nuk është e trëndafiltë. Dhe miku më i mirë nuk spërkatet me pluhur floriri. Mbi petale lulesh ka gjithmonë bletë të vdekura. Bujaria, toleranca e zbukuron marrdhënien. Pranvera vjen për të e miku e ka vendin në ballë të shtëpisë sate. Është si të thuash pemë e lartë. Pemë e gjelbëruar. Pemë që çel lule në zemër. Miku vjen e bëhet stoli e rrallë e papajteshme me demonët e urrejtjes, egoizmat, kapriçot, brutalitetin, thashethemet, mediokritetin, të cilat, të gjitha së bashku, e bëjnë njeriun vetanak dhe molepsin rrethinat, duke izoluar shkaktarët. [Në mendësinë shqiptare miku është institucion shpirtëror mbi të gjitha marrdhëniet e tjera, gati gati me vlerë kushtetuese…, (por, kjo meriton trajtim të veçantë, si çdo ligj e kanun që duhet të ndryshojë e të përmirësohet, pa mundësi përspsjeje. Dhe rruga e gjatë e artit i fton të gjithë për ecje. Tjetër punë sa arrijmë përpara e tjetër ç’gjurmë lëmë pas. Ama, shijet letrare nuk janë si frutat. Ato vërtet janë subjektive, (Kjo është e bukur se më pëlqen mua), por shijet e prapambetura i ngjajnë stokut të harresës; frutave të kalbura ose e shumta turshive që, që përsëriten çdo vit, që veç kripës dhe mezes për raki, janë pa vitamina jetëgjatësie. Shijet të ndajnë dhe kjo është e natyrshme në diferencimin e niveleve. Nëse mbi këtë ndarje jemi dhe miq, atëhere dialogu bëhet kulturë dhe mospranimet shkallë për të ecur më tej, por edhe domosdoshmëri e niveleve distancuese. Në realitet miqësitë në grupe karakterizohen nga mos aprovimi i urtë e i fshhehtë i afinitetit dhe i ndërvarjeve hierakike. Prandaj shoqata e shkrimtarëve “Miqtë e fjalës së lirë”, në përvojën time këtu në Athinë, mbeti në esencë zhgënjim dhe iluzion. E mbështetur në dy shtylla delikate, miqësinë dhe lirinë, ajo u venit nga mos pranimet e lirisë dhe e miqësisë së keqkuptuar. “Sa herë pikturoj ndonjë portret e humbas një mik”, thoshte Sargenti. Kjo është shqetësuese. Me sa duket njeriut i pëlqen t’i thuash “ti je i bukur”. Nëse s’është i bukur, mos guxo t’i bësh portret se e humbet. E kam fjalën për vepren, jo për autorin. Të gjithë kemi provuar humbjen e mikut, por jo rrallë dhe plagët që të hap pseudomiku. Ato dhëmbin më shumë se të armikut, i cili di t’i ruajë distancat. Duke qënë tepër e brishtë, miqësia midis krijuesve, është vazhdimisht e kërcënuar. Sëmundja kanceroze e saj është xhelozia dhe smira. Atë që e verbojnë sukseset e tjetrit, s’përballon dot mikun dhe priret drejt shpellës së vetmisë. Miku nuk preket me thonj të paprerë. As me aluzione. Gishtat e pistë lënë njolla mbi xham. Ata nuk të lënë ta shijosh kënaqësinë e afrimeve shpirtërore, ta shkurtojnë diapazonin e një disipline të gëzueshme, aq të domosdoshm për të mos e mbyllur investimin. Miku duhet mbrojtur nga atentatet. Dhe miku i mirë të kritikon në sy, nuk i mbledh vërejtjet si qelbi nën këmbë. Ai të flet dhe në vesh, në intimitet e, kështu krijon atmosferë besnikërie. Jo thyerje të pasqyrës.
“Më mbro nga miku -thotë fjala e urtë-se nga armiku ruhem vetë”
Wiliam Blake i tha një miku poet: “Miqësia jote më plagos, të lutem, ji armiku im” Kjo do të thotë: Më shiko në sy, të lutem! Shëroma vetminë! Më ndihmo të njoh vetveten!.. Dhe miku i mirë të bëhet dhe avokat mbrojtës dhe prokuror. Avokatët e interesave meskine, janë të përkohshëm dhe pas nuk lënë asnjë gjurmë kur ikin.

* * *
Në rrugët e buta të mikut poet, ecet me pandofla të mëndafshta, jo me këpucë me baltë e me gozhdë, që lënë plagë edhe në kalldrëm. Aktet brutale, sharjet, akuzat, thashethemet, insituatat të bëjnë të shohësh ëndrra me gurë. Këta nuk e njohin fytyrën e mikut dhe bëjnë harakiri. E thashë plaga e mikut të dhëmb më shumë, por poetët e vërtetë dinë të falin e të mos i përgjigjen gurit me gur…Dhe ja Borgesi : “S’ka rëndësi kush plagë më jep/S’ka rëndësi lumturia dhe fatkeqësia ime/ Unë jam poet..”
Është lapidare fjala kanunore e shqiptarit se: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut,.. megjithse përvojat tona historike kanë treguar dhe të kundërtën e shpirtit shqiptar – se ne kemi bërë miqësi me Zotin dhe me dreqin e gjarpëri nuk mbahet në gji – miku nuk është i barabartë me Zotin. Kjo meriton hiperbolë kërkon trajtim tjetër.

Të fundit

Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse pini shafran të Indisë çdo ditë!

Shafrani i Indisë është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të marrë të gjitha përfitimet e mahnitshme...

Ja cilat janë universitetet më të mira në Europë

36 nga 100 universitetet më të mira globale janë në Europë, një rritje disi e konsiderueshme në krahasim me 28 universitetet që kishte Europa...

Po afron 14 shkurti dhe ti je single? Ja 5 arsye për të festuar

14 shkurtin zakonisht çiftet e kalojnë bashkë, por kjo datë është gjithashtu dita më e mirë që ju të dashuroheni me veten. Është koha...

FOTO/ Familjarët e Loredanës ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre

Nuk ndalen familjarët e Loredanës/ Pas largimit të Jozit nga shtëpia, ata e ‘thumbojnë’ kështu ‘dhëndrin’ e tyre Ata kanë publikuar një imazh të saj...

Donald Trump planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën

Presidenti Donald Trump po planifikon të marrë pjesë në Super Bowl në New Orleans të dielën, duke shënuar herën e parë që një president...

Lajme të tjera

Web TV