Liderët e qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të nënshkruajnë sot në Ohër katër marrëveshje bashkëpunimi. Çfarë pritet të sjellë ky bashkëpunim dhe përse Ballkani i Hapur ende nuk po përkrahet nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosje Hercegovina.
Kryeministri Edi Rama rrugës për në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku do të marrë pjesë në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, është ndalur në Pikën Doganore të Qafë-Thanës ku i shpreh se “Open Balkan” ka dhënë rezultate të lehtësimit të tregtisë. Kryeministri Edi Rama, ka publikuar një video në Qafë Thanë, ndërsa shprehet se Open Balkan ka dhënë rezultate të lehtësimit të tregtisë. Kryeministri gjithashtu tha se do të vijojnë lehtësimet për të gjithë ata që prej vitesh tregtojnë. “Besoj që sa më shumë shembuj të jenë përpara syve aq më e qartë bëhet gjithçka. Do të lehtësojmë të gjitha ata që prej shumë vitesh bëjnë tregti në këto vende”, tha Rama. Kujtojmë se pjesëmarrës të nismës “Open Balkan”, u mblodhën pasditën e djeshme në Ohër, ndërsa sot do të zhvillohen takimet e nivelit të lartë të përfaqësuesve të tre shteteve pjesëmarrëse Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut. Ndërkohë Kosova, Bosje Hercegovina dhe Mali i Zi hezitojnë të jenë pjesë e kësaj nisme, me argumentimin se çdo projekt jashtë BE-së fuqizon Serbinë si ekonomikisht ashtu edhe politikisht.Sit pritet që të nënshkruhen katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Rrugët e Ballkanit Përendimor…
Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor për Rrugët u zhvillua dje në Tiranë nën moton “Të formësojmë të ardhmen me rrugë të sigurta, inteligjente dhe të qëndrueshme”. Samiti mblodhi së bashku ministra të vendeve të rajonit për transportin, përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së, organizatave ndërkombëtare, institucioneve rajonale, kompanive rrugore dhe përfaqësues të industrisë, në një diskutim mbi projekte të përbashkëta strategjike, të cilat do të afrojnë edhe më shumë vendet me njëri-tjetrin. Kryeministri Edi Rama iu adresua Samitit me një fjalë, ku theksoi se zhvillimi i projekteve strategjike ka hyrë në një fazë te re, falë mbështetjes europiane përmes planit ekonomik të investimeve, si edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda për brenda rajonit për të bashkuar forcat, në funksion të së ardhmes. Në Tiranë u zhvillua samiti rajonal i transportit, për projekte strategjike që na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku. Në fjalën e tij kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi një zhvillim ndërmjet vendeve. Rama tha se jemi në një fazë të avancuar për punën e ndërtimit të korridorit blu. Jemi besimplotë tha Rama, se në harkun e këtij mandati të tretë qeverisës do të shohim frytet e këtij kantieri shumë të madh. “Është një ditë që nis këtu me transportin, sigurinë e rrugëve, qëndrueshmërinë e zhvillimit të gjithë sistemit tonë të transportit dhe që vazhdon më pas për mua në Ohër me një tjetër samit të Ballkanit të Hapur, në funksion të ecjes sa më shpejt drejt realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve dhe jetësimit sa më shpejt në këtë rajon të katër lirive të Bashkimit Europian. Këto 4 liri të lëvizjes së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor janë pas asnjë diskutim ajo çka për ne është jetike, ajo çka për sigurinë në këtë rajon është jetike, ajo çka për paqen dhe për zgjidhjen e konflikteve në këtë zonë të Europës është jetike”, tha Rama. Ai është ndalur edhe në projektet që do të zbatohen në Shqipëri nga Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin. “Nuk dua të zgjatem me projektet, por më vjen mirë që sot ne kemi hyrë dhe në një fazë tjetër edhe falë planit europian të investimeve, planit ekonomik të investimeve edhe falë rritjes së mbështetjes së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të vetë Bankës Europiane të Investimeve, edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda për brenda rajonit dhe një kuptimi shumë të thellë dhe shumë konkret të domosdoshmërisë për të bashkuar të gjitha këto forca në funksion te së ardhmes. Ne jemi në një fazë të avancuar tanimë të punës për Korridorin Blu, një nga segmentet e këtij korridori është tanimë në rrugën e ndërtimit. Segmentet e tjera janë në fazën përfundimtare të daljes në tender ndërkombëtar dhe jemi shumë besimplotë që në harkun e këtij mandati të tretë qeverisës, ne do të shikojmë shumë frutet e këtij kantieri shumë të madh dhe mbase jo krejt përfundimin e këtij aksi kaq të rëndësishëm”, tha Rama.
Korridori blu
Kreu i qeverisë shqiptare ka besuar dhe shpresuar se Bashkimi Europian do të mbështesë Malin e Zi për të finalizuar Korridori Blu. “Shpresoj shumë që Bashkimi Europian të mbështesë Malin e Zi sepse nëse segmenti që lidh Kroacinë me Shqipërinë përmes Malit të Zi për ta finalizuar Korridorin Blu do të mbetet i pazhvilluar njëkohësisht, atëherë sigurisht një pjesë e kuptimit e këtij korridori si një korridor i sistemit europian të transportit do të humbasë. Nga ana tjetër, na vjen shumë mirë që Korridori 8 ka hyrë në agjendën e diskutimeve dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut, me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ne jemi të koordinuar dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë projekt që nënkupton praktikisht një kantier në të dyja anët e kufirit, mbështetja e planit ekonomik të investimeve dhe institucioneve financiare nuk do të mungojë dhe as do të vonojë”, tha Rama.
Porti i Durrësit
Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe tek investimet strategjike siç është Porti i Durrësit. “Ndërkohë, jemi duke finalizuar projektin e madh të Portit të ri të Durrësit, i cili praktikisht do të jetë porti i krejt Ballkanit Perëndimor dhe do të garantojë një aksesueshmëri shumë herë më të lartë me kushte absolutisht të tjera dhe më standarde tërësisht bashkëkohore, standarde të Bashkimit Europian për mallrat në të gjithë rajonin dhe përtej rajonit. Kjo e kombinuar me hekurudhën Durrës-Prishtinë ndërkohë që mbas një kalvari të gjatë kemi mundur të zhbllokojmë dhe projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës si dhe me portin e Thatë te Prishtinës, projekt të cilin ne do ta paraqesim në mbledhjen dy qeverive në fund të muajit qershor, do t’i japë një fuqi të madhe të re krejt rajonit”, tha Rama. kryeministri ka atakuar edhe financimet e Bashkimit Europian. “E vetmja gjë që unë do thoja në fund dhe do doja ta mbanim mend të gjithë miqtë që kanë ardhur këtu nga Brukseli apo nga krahu perëndimor i rajonit, është që mundësisht të humbasim më pak kohë sepse ne nuk kemi kohë për të humbur. Natyrisht kemi shumë më pak kohë për të umbur sesa koha që ka për të humbur Bashkimi Europian dhe vendet e mëdha që e kanë rentabilizuar më së miri kohën për shumë e shumë dekada por është absolutisht e rëndësishme sot më shumë se asnjëherë tjetër që ecuria e Ballkanit Perëndimor dhe ritmi i kësaj ecurie dhe shpejtësia e kësaj ecurie të jetë pjesë e vëmendjes dhe të jetë pjesë e mbështetjes së strukturave të Bashkimit Europian sepse të presësh nuk e di se sa vite për të bërë një segment hekurudhor nga Tirana në Durrës, që është një segment hekurudhor i një lagjeje të një metropoli të madh, për shkak të burokracisë në institucione europiane, kjo është diçka që realisht dhemb shumë dhe realisht krijon shumë frustrim dhe shkon komplet në të kundërt të qëllimeve të mëdha të përbashkëta dhe natyrisht edhe qëllimit të madh në vetvete të Bashkimit Europian për të inkurajuar sa më shumë që njerëzit tanë të qëndrojnë këtu”, tha Rama.