Nga Kujtim Mateli
Kalemi Xhaferaj u lind në Mazhan të rrethit të Përmetit, më 10 gusht 1945, në një familje me tradita atdhetare. Ai që i vogël u njoh me historinë e fshatit të tij, ku guximi dhe trimëria ishte shfaqur në betejat e ashpra, ku Mazhani ka qenë shpesh shesh betejesh. U rrit me këtë frymë luftarake, me dashurinë për dijen dhe dëshirën për t`u arsimuar.
Kalemi mbaroi Institutin Pedagogjik 2-vjeçar, në degën Matematikë-Fizikë, në Shkodër dhe u emërua mësues në shkollën 8-vjeçare Ballaban të rrethit Përmet. Në këtë shkollë drejtor ka qenë Rrapo Dalipi, një nga mësuesit më të përkushtuar dhe më me eksperiencë në rrethin e Përmetit. Stafi mësimor i kësaj shkolle ka qenë në nivele të admirueshme me mësues që e ngritën nivelin arsimor të kësaj shkolle në pararojë të arsimit në zonën e Ballabanit me mësues si: Koço Zhidro, Xhemil Shehu, Selami Këlliçi, Kaso Okolishta e të tjerë. Në vitin 1969 u hap shkolla 8-vjeçare në Mazhan ku Kalemi u emërua Drejtor dhe punoi me mësuesit Hysni Xhani dhe Hektor Radhima.
Traditat familjare edukuan te Kalemi cilësitë më pozitive. Aty formoi personalitetin e tij, aty u rrit dhe krijoi një rreth të gjerë me miq dhe shokë, me të cilët ndante shqetësimet dhe gëzimet e tij. I palodhur dhe i përkushtuar ndaj profesionit si mësues, ka bërë që emri i tij të përmendet edhe në ditët e sotme me respekt nga ish nxënësit, kolegët dhe gjithë ata që e kanë njohur në ato vite. Banorët e Mazhanit dhe të rrethit të Përmetit kanë parë te Kalemi si mësues, përkushtimin e tij për t`u mësuar nxënësve aftësitë dhe shkathtësitë për të depërtuar në nivele të larta të përvehtësimit të dijeve, që edhe fëmijët e bashkëfshatarëve të tij të arsimoheshin ashtu si dhe ai vetë.
Kalemi nuk u kënaq me profesionin e mësuesit. U përballë me sfida të tjera. Në vitin 1970, Kalemi filloi të ndiqte Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, me Komandant Babaçe Faiku dhe Komisar Sali Dibra. Shkolla kishte rregull dhe disiplinë dhe të impononte respekt për drejtuesit e saj e sidomos të komandantatit të saj që pothuaj të gjithë kohën e kalonte aty, që studentëve të mos u mungonte asgjë dhe brenda kohës që do të vazhdonin shkollën të arrinin njohuritë maksimale. Shkolla ishte e pajisur me çfarë u duhej studentëve. Ajo ishte si një qytetezë e bukur dhe studentët ndjeheshin se nuk u mungonte asgjë në plotësimin e kushteve, ndaj përgjegjësia për t`u pajisur me dije maksimale brenda atij programi mësimor ishte e lartë. Në këtë mjedis edhe Kalemi u përgatit si një kuadër i aftë për të përmbushur detyrat që do t`i ngarkoheshin duke treguar pjekuri dhe aftësi profesionale. Cilësia kryesore e Kalemit: respekti për të tjerët, bëri që të rrethohej nga shumë miq dhe shokë.
Në vitin 1972, Kalemi u diplomua Oficer dhe me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, u emërua Teknik Aviacioni në Regjimentin e Aviacionit në Rinas, ku Komisar ishte Çobo Skënderi dhe Komandat Haki Jupasi. Çdo ditë që kalonte, Kalemi ndjehej krenar për vendimin që kishte marrë për t`u bërë pjesë e Forcave të Armatosura. Aviacioni luftarak i Rinasit kishte në përbërjen e tij njerëz të përkushtuar ndaj detyrës. Prej tyre Kalemi mësoi shumë, por u dha edhe disa prej cilësive të tij siç ishte përkushtimi për të mësuar çdo ditë për përgatitjen profesionale. Nuk ka rezultate, nëse nuk e zotëron mirë profesionin. Ngritjet dhe uljet e vazhdueshme të avionëve në të gjitha stinët e vitit, në kohë të mirë apo të rënduar nga rreshjet, tregonte për gatishmërinë e lartë të aviacionit luftarak. Që të mos rrezikohej jeta e aviatorëve, një përgjesi të veçantë kishte edhe Kalemi, që avionët duhet të kontrolloheshin me përgjegjësi të lartë para nisjes për fluturim. Këtë përgjegjshmëri e tregon fakti që gjatë viteve që shërbeu në Rinas në aviacionin luftarak, nuk pati asnjë defekt gjatë flurimeve të këtyre avionëve reaktivë, të cilët ishin gjithmonë të pajisur me armatim luftarak dhe që fluturimet kryheshin si në kushte lufte, të gatshëm në çdo kohë për t`u përballur me shkelësit e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.
Me urdhër të Komandës së Regjimentit të Aviacionit në Rinas, Kalemi u caktua të punonte në Ofiçinën e Aviacionit të Regjimentit, ku Komisar ishte Vasil Bitri, Komandant Janul Jani dhe inxhinierë Fillota Koruni dhe Irakli Çuedari. Po me urdhër të Komandës së Regjimentit, pas dy vjetësh Kalemit iu caktua detyra e Shefit të Prapavijës në Batalionin e Xhenjos pranë këtij Regjimenti.
Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë rritej përgjegjësia në kryerjen me korrektësi të detyrave që iu ngarkuan. I komunikueshëm me të gjithë, përcillte te kolegët cilësitë e tij më të mira: përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë për detyrat që i ishin caktuar. Nuk ka patur rast në karrierën e tij ushtarake që ta ketë neglizhuar detyrën që i është caktuar. Aq më tepër, aty në Rinas, ku çdo gjë duhej të ishte në perfeksionin e vet.
Më pas, ai kreu detyra të ndryshme në Degën e Logjistikës së Divizionit të Xhenjos si edhe në Organizimin e Personelit të Parkut të Veturave të Ministrisë së Mbrojtjes, ku drejtor ishte Kolonel Pëllumb Goxhaj. Në figurën e ushtarakut Kalem Xhaferaj, shihej modeli se si duhej të ishte një ushtarak. Përgjegjësia e ushtarakut është e disafishtë: përgjegjësi dhe përgjegjshmëri ndaj vartësve dhe ndaj eprorëve, por ushtaraku më shumë se kushdo në jetën e tij, ndien përgjegjësinë që ka ndaj Atdheut, sepse nga përgatitja e tij varet, nëse atdheu do të mbetet i paprekur ose jo, nga armiqtë që mund ta sulmojnë atë. Nga përgatitja e ushtarakëve varet fati i popullit, nëse do të jetë i lirë dhe i pavarur apo do të bjerë në robërinë e një vendi agresor. Ndryshe nga gjithë të tjerët që ndihen mirë me detyrën apo punën që kryejnë, mjafton që ata të kenë plotësuar nevojat e familjes së tyre; ushtaraku nuk kënaqet asnjëherë, gjithmonë kërkon që përgatitja luftarake e vendit të tij të jetë mbi përgatitjen luftarake të vendeve të tjera. Ndaj ushtaraku nuk e ndal asnjëherë përgatitjen e tij profesionale, ushtaraku rri zgjuar, edhe kur të tjerët flenë. Këtë e dinë më mirë vetë ushtarakët, por edhe familjet e tyre që kanë parë te bashkëshorti apo djali i tyre ushtarak se çfarë sakrificash kanë përjetuar ata në shërbim të detyrës ndaj popullit dhe Atdheut.
Në vitet e fundit të karrierës së tij, Kalemi punoi në Arkivin Qendror të Ministrisë së Mbrojtjes, ku Drejtorë ishin kolonelët Adem Zyberi, Ramadan Kamberi, Lefter Jarazi dhe Asllan Zemani. Në lirim ai mbante gradën Major.
Në çdo detyrë që iu caktua, tregoi përgjegjshmëri. I ngjiti me guxim shkallët e karrierës, duke marrë gradën e Majorit. Nuk e lodhën vështirësitë e profesionit si ushtarak. Me zgjuarësi dhe mençuri, me aftësi profesionale, kreu çdo detyrë që iu ngarkua. U largua nga jeta ushtarake kur doli në pension, në vitin 2010.
Kalemi u njoh me Melaizen dhe krijuan një familje model, ku mbizotëronte respekti dhe dashuria, virtyte këto që e mbajtën familjen e tyre në harmoni, gjatë gjithë jetës, me gjithë vështirësitë që kaluan. Dy fëmijët e tyre, Neritani dhe Endrita ishin shembull në shkollat ku mësuan. Edukimi i tyre në familje, u reflektua edhe në shkollë ku u shquan për rezultate të larta në mësime dhe, në marrëdhëniet me mësuesit dhe shokët e klasës, treguan virtytet e familjes së tyre. Po jeta u tregua e padrejtë me Neritanin, që e shkëputi shpejt nga gjiri i familjes. Dhimbja për djalin e tyre të vetëm ka qenë e madhe dhe hidhërimi i thellë. Kalemi u nda nga jeta më 21 dhjetor 2021 duke lënë pas shembullin e bashkëshortit dhe babait të mirë. Ai do të mbahet mend për vlerat që krijoi dhe sidomos për dimensionin e pamatë të dashurisë që kishte për njerëzit dhe vendin e tij.