Firmosen 19 marrëveshje Shqipëri-Kosovë, hiqet kufiri gjatë verës

Ditën e sotme është mbajtur në Prishtinë mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë.  Nga kjo mbledhje u nënshkruan 19 marrëveshje dhe memorandume mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbledhja e së hënës shënon takimin e tetë të tillë mes dy qeverive. Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë.

Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta.

Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve.

Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave.