Kryeministria njoftoi paraditen e së hënës se sulmi kibernetik që ka prekur platformat qeveritare ka nisur që të premten në mesditë, por falë izolimit të infrastrukturës dhe sistemeve është bërë e mundur që të garantohet mbrojtja e të dhënave. Rreth 1. 7 shërbime nuk mund të merren dot online.
Platforma qeveritare e-Albania ka paralizuar të gjitha shërbimet që merren online, sidomos ato të Kadastrës, shëndetësisë, por edhe të ISSH-së, të cilat janë aplikime që i vijnë më së shumti qytetarëve në funksion. Ditën e djeshme Kryeministria ka reaguar sërisht duke qetësuar qytetarët se kjo “ngrirje aplikimish” nuk do të zgjasë shumë. Nëpërmjet një statusi në Tëitter, kryeministri Edi Rama deklaron se kundërofensiva e AKSHI-t dhe aleatëve ndaj sulmit kibernetik po rezulton e suksesshme. Duke përdorur terma lufte, kreu i qeverisë shkruan se agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje. Sipas tij, nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt. “Kundërofensiva e AKSH-it dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë, po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme! Agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje! Nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt!”, shkruan Rama. Ministria e Brendshme deklaron se Shërbimet esenciale të Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse. Reagimi ka ardhur pas bllokimit të e-Albania dhe shërbimeve online. “Në vijim të komunikimit të mëparshëm të Ministrisë së Brendshme duam të theksojmë se njoftimi lidhet vetëm me shërbimet esenciale të Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile të cilat do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse për qytetarët deri në përfundim të kundërsulmit. Kjo është një situatë tërësisht e përkohshme e diktuar nga sulmi kibernetik i sinkronizuar jashtë Shqipërisë, për të cilin po kryhet një kundërofensivë nga AKSHI dhe aleatët tanë për t’u rikthyer në normalitet shumë shpejt. Shërbimet qeveritare online janë një histori suksesi në Shqipëri pavarësisht ngërçit momental të krijuar prej sulmit kibernetik. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë e krijuara”, deklaron Ministria e Brendshme. MEPJ, njofton shqiptarët jashtë vendit se shërbimet konsullore online janë ndërprerë përkohësisht deri në një njoftim të dytë. “Sulmi kibernetik ka dëmtuar sistemin online, i cili mundëson aksesin e qytetarëve dhe strukturave përgjegjëse për aplikimin dhe dhënien e dokumenteve biometrikë për të gjitha konsullatat shqiptare në botë. MEPJ është në kontakt të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila po punon për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së pazakontë dhe i bën thirrje qytetarëve të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike”, njofton MEPJ. Po ashtu Ministria e Arsimit shkuruan se në mungesë të sisitemit online të e-Albania do të shtyhet edhe procesi i regjistrimit npër shkolla. Pas Kryeministrisë, AKSHI-t, Ministrisë së Arsimi, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme edhe Kadastra njofton qytetarët për bllokimin e punës për shkak të sulmit kibernetik mbi shërbimet online. Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton qytetarët se nuk mundësohet aplikimi për shërbimet kadastrale nëpërmjet e-Albania, deri në një njoftim të dytë. “Të nderuar Qytetarë! Sikurse jeni në dijeni, Platforma Qeveritare po përballet me sulme kibernetike nga jashtë vendit. Të ndodhur në këtë situatë Agjencia Shtetërore e Kadastrës me keqardhje Ju bën me dije, se nuk mundësohet aplikimi për shërbimet kadastrale nëpërmjet e-Albania, deri në një njoftim të dytë. Ju falenderojmë për mirëkuptimin!”, deklaron Kadastra.
Kostoja e shkaktuar
Për dy ditë qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht sipërmarrjet nuk po marrin më shumë se 1 mijë e 200 shërbime publike të cilat ofrohen vetëm nga portali qeveritar e-Albania, si pasojë e sulmit kibernetik. Përfaqësues nga biznesi në vend pohojnë se në fakt problematikat në marrjen e shërbimeve nga e-Albania kanë qenë prezentë edhe para sulmit kibernetik, ndaj nevojitet gjetja e një zgjidhje më afatgjatë. Ndërkohë për ekspertë të teknologjisë së informacionit, bllokimi i shërbimeve pritet të zgjasë. Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, rënia e e-Albania i kushton shqiptarëve 17 milion transaksione të munguara çdo ditë, kosto këto që shtohen nga mungesa e shërbimit. Ndërkohë deri ne rikthimin e sistemit, Ministria e Jashtme njoftoi ndërprerjen e shërbimeve konsullore. Ministria e Arsimit shtyu pa afat regjistrimin e klasave te para dhe të dhjeta. Ndërsa Ministria e Brendshme theksoi se shërbimet esenciale të Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse deri në përfundim të kundërsulmit.
Reagon Meta: Vazhdimisht kam kërkuar masa për sigurinë kibernetike
Presidenti Ilir Meta reagon për sulmin kibernetik në “E-Albania”, që ka bllokuar të gjitha shërbimet publike online, duke e quajtur situatën tepër të rëndë. Kreu i Shtetit Shqiptar apelon për marrjen e masave menjëherë dhe në mënyrë serioze, ndërsa kërkon mobilizimin e ekspertizës së nivelit më të lartë profesional. “E vlerësoj tepër të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike online, që ka krijuar vështirësi të jashtëzakonshme për qytetarët, bizneset dhe për shumë veprimtari të tjera të lidhura me këtë sistem. Në mënyrë të përsëritur edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare përpara agresionit kundër Ukrainës, kam kërkuar marrjen e të gjitha masave për rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar ngjarje të tilla. Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti”, shkruan Meta. Ai apeloi për marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.