Nga Nesip Kaçi
Pilo Shanto, autori i librit: “E vërteta mbi radiolojën “Liqeni i Vajkalit “, që punoi me vite në shërbimin sekret shqiptar, në kundërzbulim, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në këtë aksion 16 mujor, nuk e tepërojmë të themi se është emblema apo stema e tij. Ai i përshkruan dhe i jep lexuesit radiolojën, që mori emrin “Liqeni i Vajkalit”, e cila u zhvillua ndërmjet Sigurimit të Shtetit nga njera anë dhe CIA-s e Inteligjent Servisit nga ana tjetër. Dr. Perlat Çaushi, që ka shkruar parathënien e këtij libri, midis së tjerash thotë: “Libri i Pilo Shantos është një përshkrim i vërtetë e i saktë dhe hedh poshtë të gjitha shtrëmbërimet rreth rolit të Sigurimit të Shtetit në asgjësimin e bandave të armatosura të dërguara nga shërbimet e huaja.
Zoti Pilo Shanto, hap pas hapi dhe në mënyrë bindëse nxjerr në dritë gjithë rrjedhën e këtyre ngjarjeve. Me një vërtetësi të pakundërshtueshme dhe profesionalizëm të lartë, ai tregon në mënyrë krejt të thjeshtë e pa asnjë zbukurim atë çka ndodhi në vitet 50-të. Organet e Sigurimit, si një armë në duart e shtetit në fuqi, iu kundërvunë bandave të armatosura, kriminelëve, agjentëve, terroristëve të dërguar nga jashtë, që synonin destabilizimin e vendit tonë edhe të gllabëronin pjesë të Shqipërisë apo të viseve shqiptare sidomos Greqia. Në këtë kontekst, libri i zotit Pilo Shanto flet për një të vërtetë, flet për një kundërvënie legjitime “. Për këtë kundërvënie të Sigurimit, lordi konservator anglez Nikolas Bethel, në librin e tij “Tradhëtia e madhe”, bën, ndër të tjera, këtë vlerësim: ”Sigurimi e kishte bërë shkëlqyeshëm punën e vet…”. Në parathënien e librit “MI 6, e titulluar: “CIA, SIS-i dhe Sigurimi i Shtetit”, të autorit anglez Stephen Dorril, ai shkruan se kam bërë disa përpjekje për të hedhur poshtë tezën e autorëve të ndryshëm perëndimorë dhe lindorë se disfata e këtyre operacioneve erdhi si rezultat i tradhëtisë së agjentit të KGB-së Kim Filbi. Për destabilizimin e Shqipërisë, CIA dhe MI 16 (Inteligjent Servisi) kanë vepruar aktivisht dhe në periudha të caktuara veprimtaria e tyre u bë agresive, sidomos në vitet 1949-1953, kur “ Lufta e Ftohtë” ishte në kulmin e zhvillimit të saj.
Në këtë kohë Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë jetë programit për zhvillimin e një operacioni për shkëputjen e Shqipërisë nga Blloku Sovjetik dhe ngarkuan shërbimet e tyre sekrete, CIA dhe MI 16, për të rrëzuar me forcën e armëve qeverinë legjitime shqiptare, megjithëse kjo ishte shkelje e së Drejtës Ndërkombëtare. Këtë operacion CIA e emërtoi “FIEND “ (Djalli), ndërsa MI 16 e emërtoi “ VALUAEBLE) ( I çmuar ). Zbatimi i këtij operacioni iu ngarkua Zyrës së Koordinimit Politik, OPC, në krye të të cilit CIA vuri zbuluesin Frank Lindsai, ndërsa MI 16 vuri zbuluesin e saj Kim Filbi, agjent potencial me vlera të pallogaritshme për shtetin sovjetik. Me këtë operacion u solidarizua edhe Shërbimi Sekret i Francës. Zbulimi francez në atë kohë vepronte i maskuar në funksionin e diplomatit pranë ambasadës franceze në Tiranë. Për destabilizimin e Shqipërisë, krahas zbulimeve të mësipërme intensifikuan veprimtarinë e tyre kundër vendit tonë edhe tre zbulimet e vendeve fqinjë, Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë. Ato ishin në mbështetje të CIA-s dhe MI 16. Zbulimi grek dhe italian, përveç veprimtarisë që zhvillonin kundër Shqipërisë, pranuan që në vendet e tyre të vendoseshin qendrat e CIA-s dhe MI 16, për të vepruar kundër Shqipërisë. Nga këto dy vende futeshin shumica e bandave në Shqipëri dhe po nga këto dy vende bëhej edhe furnizimi i tyre. Zbulimet e mësipërme kontigjentin e duhur të agjentëve e gjetën në kampet e përqëndrimit të emigrantëve shqiptarë, ish bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë dhe nazistë. Me krerët e këtij emigracioni në perëndim u krijua “Komiteti Shqipëria e Lirë”.
Në Jugosllavi u formua “Komiteti i emigrantëve politikë shqiptarë”, i cili do të shërbente për të fshehur dorën e vërtetë të titistëve kundër Shqipërisë. Në Greqi këtë rol do ta luante “Sillogu (Shoqata) e Vorioepirit”, krijuar shumë kohë më parë për këto qëllime. Nga këto kampe u tërhoqën një numër i madh emigrantësh shqiptarë të cilët u rekrutuan, u pregatitën si agjentë me kurse të shumta zbulimi. Ata të inkuadruar në banda u futën në Shqipëri nëpërmjet kufirit tokësor, detar e ajror. Detyra e këtyre bandave ishte rrëzimi me forcën e armëve i pushtetit popullor e qeverisë së ligjëshme të popullit shqiptar. Futja e bandave të shumta u shoqërua me provokacione të armatosura. Në gusht të vitit 1949 ushtria greke kreu sulme të armatosura në rrethin e Devollit por ushtria shqiptare i dha grushte të rënda monarkofashistëve grekë. Pra, mund të themi se nqs në gjithë botën zhvillohej “Lufta e Ftohtë”, në Shqipëri zhvillohej edhe “Lufta e Nxehtë”. Ndërsa gjatë kufirit të Shqipërisë Jugosllavia zhvilloi manovra ushtarake në shkallë të gjërë për të na frikësuar, por nuk i eci.
Kundërzbulimi shqiptar e vlerësoi drejt rrezikshmërinë që paraqiste veprimtaria e zbulimeve të huaja në atë kohë kundër Shqipërisë dhe iu kundëvu me sukses. Sigurimi shqiptar njihte nga afër çdo shqiptar të përfshirë në operacione diversioniste. Shërbimi i fshehtë shqiptar e dinte me përpikmëri se kur dhe ku do futeshin apo do hidheshin me parashutë grupet e banditëve, divesantët, por kjo i takon periudhës, pas kapjes së grupit të parë, pra, grupit të Zenel Shehut, i cili pasi u zbërthye, tregoi gjithçka, deri në kodet dhe shifrat. Tashmë, Sigurimi, i kishte të gjitha të dhënat për të filluar Radiolojën duke e patur vetë komandën. Që Radioloja të fillonte mbarë dhe të zhvillohej me sukses, grupi operativ që u krijua të drejtonte Radiolojën, iu referua përvojës pozitive, që kundërzbulimi shqiptar kishte fituar gjatë zhvillimit të radiolojës “Buza e Bredhit” me italianët tre vite më parë. Grupi operativ që drejtoi radiolojën e dytë, që u quajt “Liqeni i Vajkalit”, kishte këtë ndarje pune: 1.Pilo Shanto, do merrej me mashtrimin që do t’i bëhej qëndrës së zbulimit të huaj me të cilën do luhej. 2. Fejzo Kasimati, do merrej me kontrollin e punës së agjentit-radist, Tahir Preçi, për të mos i dhënë mundësi atij që gjatë procesit të ndërlidhjes me radistin e CIA-s të njoftonte se transmetonte i komanduar nga kundërzbulimi shqiptar. 3. Banush Goxho, ish kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Peshkopisë, i cili do merrej me reagimin e lidhjeve që kishin krijuar para se t’i arrestonin dy agjentët Zenel Shehu dhe Tahir Preçi në zonën e Bulqizës, do merrej me shkëputjen e kontakteve të kapobandës Zenel Shehu me ta, të justifikonte pamundësinë e takimit të tyre me të dhe t’i qetësonte se kapobanda ishte “shëndoshë e mirë”, por vepronte në zona të tjera “me urdhër” të mbretit Zog dhe të amerikanëve. 4. Asim Aliko, do merrej me sigurimin e agjentëve, sidomos me sigurimin e agjentit radist dhe për të kryer detyra të tjera gjatë zhvillimit të radiolojës për të cilat do t’i nevojiteshin më shumë njerëz. Asim Aliko ishte trim i rrallë dhe shumë i fuqishëm, ai i vuri hekurat shumë prej diversantëve që sapo binin me parashutë në tokë. 5. Kadri Hazbiu, zëvendësministër i punëve të brendshme, që do merrej me drejtimin e grupit operativ. Grupi operativ i porsa krijuar duhej të arrinte që agjentët Zenel Shehu (kapobanda) dhe agjenti radist Tahir Preçi të pranonin bashkëpunimin me kundërzbulimin shqiptar dhe të vepronin kundër zbulimit që i kishte dërguar në Shqipëri. Agjentët pranuan bashkëpunimin. Për të filluar dhe vazhduar radiolojën ishte e domosdoshme që dy agjentët të vazhdonin ndërlidhjen me Qendrën e zbulimit që i kishte dërguar me mision në Shqipëri, por tashmë ata do punonin nën drejtimin e Grupit operativ të kundërzbulimit shqiptar. Vëmendj e posaçme iu kushtua agjentit radist, sepse po të mos bindej ai të vazhdonte ndërlidhjen, radioloja nuk mund të fillohej. Asnjë radist tjetër, sa do i kualifikuar që të ishte, nuk mund ta zëvendësonte atë. Specialistët e ndërlidhjes, ashtu siç njohin zërin e të afërmve të tyre, njohin edhe dorën e radistit.
Zenel Shehu kishte qënë oficer shërbimi me gradën kapiten në Pallatin e mbretit Zog dhe ishte larguar jashtë shtetit bashkë me familjen mbretërore në prill të vitit 1939. Zanafilla e kësaj bande lidhej me një vizitë që kishte bërë në SHBA mbreti Zog në vjeshtën e vitit 1951. Atij iu kërkua nga drejtues të CIA-s, me të cilët u takua, t’u rekomandonte kandidatura të afta, të sigurta dhe me influencë për t’i dërguar me mision në Shqipëri. Dhe ai midis së tjerëve u rekomandoi dy ish oficerë të gardës së tij, Zenel Shehun dhe Halil Branicën si dhe Haxhi Gjylën, një shqiptar tjetër, i arratisur mbas çlirimit nga Shqipëria që jetonte në Egjypt dhe ishte bërë i afërt me Zogun. “Pak ditë pasi u kthye Zogu nga Shtetet e Bashkuara, deponoi në hetuesi Zenel Shehu, – më thirri dhe më njoftoi se kishte vendosur të më dërgonte në Shqipëri në mënyrë të fshehtë, si kaçak, së bashku me Halil Branicën dhe se do të viheshim në dispozicion të amerikanëve e do të vepronim sipas udhëzimeve të tyre. Gjithashtu Zogu më tha se amerikanët do të na japin një radist me radio transmetuese nëpërmjet së cilës do të ndërlidheshim me amerikanët dhe me të”. Të tre të përzgjedhurit nga Ahmet Zogu, të shoqëruar nga Hysen Selmani, ish adjutant i parë i Zogut dhe një zbulues i CIA-s u nisën për në Athinë dhe atje u vunë në dispozicion të Qendrës së CIA-s, që vepronte kundër Shqipërisë. Në këtë qendër u bashkua me tre agjentët e sipërm edhe i katërti, Tahir Preçi, nga Reçi i Peshkopisë, i cili do të ishte ndërlidhësi i tyre. Kështu banda mori formën e saj të plotë. Dukej se CIA dhe mbreti Zog kishin llogaritur që të arrinin shumë nëpërmjet kësaj bande. Përgatitja e agjentëve në Athinë zgjati një muaj. Banda e shoqëruar deri në kufirin shqiptar nga agjentë grekë, dhe kur ishte duke u ngjitur në malin e Gramozit drejt kufirit shqiptar, ndodhi e papritura: Halil Branica u sëmur. Banda pa hyrë akoma në Shqipëri humbi një agjent, mbetën vetëm tre. Zeneli, që e njihte mirë Branicën, dyshoi se ai po simulonte me qëllim që të tërhiqej nga kryerja e detyrës që i ishte ngarkuar nga Zogu dhe amerikanët. Zbuluesit e CIA-s vendosën që ai të kthehej në Athinë dhe pasi ta shëronnin, do ta nisnin për t’u bashkuar me bandën. Agjenti Branica nuk do të shpëtonte dot nga zbuluesit e CIA-s, përderisa ata e kishin vlerësuar atë të aftë për të ngritur me armë krahinën e Matit kundër qeverisë.
Banda, pasi u fut në Shqipëri, filloi nga aktiviteti i saj në rrethin e Matit, por pjestari i bandës Haxhi Gjyla, të cilit, i ishte ngarkuar detyra që të përgatiste për kryengritje të armatosur Zonën e Martaneshit, nuk gjeti asnjë bazë ku të strehohej, asnjë nga familjarët dhe miqtë e tij nuk pranuan ta ndihmonin për asgjë, gruaja e tij i dha një copë bukë dhe i tha të kthehej nga kishte ardhur. Agjenti Haxhi Gjyla u kthye në Greqi nga kishte ardhur. Kështu banda mbeti me dy vetë, Zenel Shehu (kapobanda) dhe Tahir Preçi (radisti, ndërlidhës). Sigurimi iu vu në ndjekje bandës por pa i rënë asaj në sy, i la të lirë të vepronin që të zbulonte me kë i kishte lidhjet brënda vendit. Më 7 maj 1952 “Fatosi” (njeriu ynë) raportoi se G.M., kishte kërkuar ta takonte urgjent dhe i kishte thënë se ke të fala nga miku dhe kolegu yt i vjetër Zenel Shehu, i dërguar nga mbreti Zog dhe amerikanët me një mision të rëndësishëm. (G.M. e mbante me ushqime Zenel Shehun) dhe “Fatosi”, i udhëzuar me kujdes nga ne mori kontakt me Zenel Shehun. Mikrokurthi i ngritur disa kohë më parë e dha në këtë rast rezultatin që pritej. Kështu u bë e mundur futja e një bashkëpunëtori tjetër në lidhje direkt me dy agjentët, të cilit iu vu pseudonimi “Shqiponja”
Qendra e CIA-s në Athinë ishte e kënaqur me punën e bandës së Zenel Shehut për të “ngritur në këmbë” me armë në dorë krahinën e Matit dhe krahina të tjera kundër qeverisë dhe vazhdonte të dërgonte me parashuta armë, municione, veshje, dollarë, flori, kartmonedha dhe plotësonte të gjitha kërkesat që i bënte “rezistenca” në prag të “shpërthimit” antikomumist. Tani, Radioloja vazhdonte mashtrimin se kishte ardhur koha të viheshin në krye të “rezistencës “drejtues të tjerë të aftë si Hamit Matjani dhe të tjerë, sa më shpejt të jetë e mundur, para se të shpërthente “lufta”. Pas pesë ditëve Qendra e CIA-s nga Athina njoftoi: dërgoni kordinatat dhe paralelet për zbarkim njerëz, do dërgojmë 5 parashuta, tre me njerëz me në krye Hamit Matjanin dhe dy me materjale. Këtej iu përgjigjën: të përdorni DZ DZ, (fushen), ku u zbarku Halili (Branica). Sipas njoftimit të Qendrës së CIA-s nga Athina më 1 maj 1953 ora 21.00 grupi operativ u vu në pritje të Hamit Matjanit dhe dy shokëve të tij në Fushën “Guri i Vashës”. Aeroplani fluturoi katër herë mbi fushë. Herën e dytë lëshoi tre parashuta, në të cilat dukeshin qartë tre njerëz që vareshin në to, herën e tretë lëshoi dy parashuta me materiale dhe herën e katërt iku. Të ngarkuarit me arrestimin e tre agjentëve, të veshur me rroba si të fshatarëve të asaj zone u nisën në drejtimin e vendit ku po uleshin parashutat, në të cilat varreshin agjentët dhe duke u “uruar” atyre mirëseardhjen i arrestuan, i vunë në hekura. Agjentët nuk patën mundësi të kundërvepronin kur po i lidhnin dhe as të pinin helmin që u ishte vendosur në jakën e xhaketës. Edhe “legjendari” Hamit Matjani nuk bëri as gëk as mëk. Tre agjentët ishin: 1.Hamit Matjani, i dërguar gjashtë herë me mision në Shqipëri nga shërbimet sekrete greke dhe CIA. 2.Naun Sula, i dërguar në vendin tonë tre herë nga zbulimit grek e më von në shërbim të CIA-s. 3.Gani Malushi, në shërbim të zbulimit grek dhe CIA-s, i dërguar dy herë në Shqipëri.
Radioloja pas kapjes së bandës së Hamit Matjanit vazhdoi mashtrimin me dy kanale ndërlidhjeje. Por edhe pse muajt kalonin asnjë program, i përcaktuar nga CIA më parë, nuk tregonte ndonjë konkretizim në praktikë. Në vitin 1953 deri në fund të tij seria e mesazheve (radiogrameve) të koduara kishin filluar të ndiheshin false, shkruan në librin e tij lordi anglez Nikolas Bethel. Goditja ndodhi natën e vitit të Ri 1954, kur radio Tirana shpalli se të gjithë njerzit e stëvitur me kujdes për pjesën më vitale të operacionit: Zenel Shehu, Hamit Matjani, Halil Branica, Naun Sula, Gani Malushi dhe disa dhjetra miq vendas të tyre ishin në duart e Sigurimit e po i priste gjyqi. Faktet që dolën gjatë procesit të madh gjyqësor të prillit 1954 në Tiranë zbulonin një katastrofë të plotë për spiunazhin angol-amerikan, nuk kish më keq, shkruan në fund të librit të tij lordi anglez Bethel. Dështimi i këtij operacioni, shkruan Pilo Shanto dhe në këtë kuadër edhe zhvillimi me sukses të plotë i Radiolojës “Liqeni i Vajkalit” është një vepër madhore e kundërzbuluesve shqiptarë dhe puna më e suksesshme që kundërzbulimi shqiptar ka zhvilluar kundër zbulimeve sekrete të huaja gjatë periudhës 1945-1990. Vlera e këtij veprimi rritet edhe për faktin se ai u zhvillua kundër CIA-s, që siç dihet ka qënë dhe vazhdon të jetë një nga shërbimet sekrete me mundësi shumë të mëdha. Mashtrimi 16 mujor nuk ishte vetëm një dështim operativ por dhe një goditje e rëndë morale dhe politike për CIA-n. Një konstatim të tillë e ka konfirmuar edhe kryeministri anglez Toni Bler, i cili i konsideron inkursionet ndaj Shqipërisë si “një nga dy dështimet më të mëdha të spiunazhit britanik që nuk do t’i shlyejë kurrë historia”.
Hipoteza se dështimi i operacionit “Djalli” apo “I çmueshmi” dhe zhvillimi i suksesshëm i Radiolojës “Liqeni i Vajkalit” ishte rezultat i informacioneve që kundërzbulimi shqiptar mori nga Kim Filbi nëpërmjet KGB-së, nuk i përgjigjet së vërtetës. Në kohën kur u përgatit dhe filloi ky operaion kundër Shqipërisë organet e sigurimit të shtetit nuk kishin asnjë lidhje me KGB-në, ato lidhje u vendosën më vonë. Duhet nënvizuar se sovjetikët nuk morën pjesë dhe nuk kishin gisht në rrjedhën e këtyre operacioneve. Specialistët e KGB-së kanë shkruar se projekti dhe realizimi i këtij kundëroperacioni shqiptar u projektua dhe u zbatua vetëm prej shërbimit sekret të kundrazbulimit shqiptar. Të gjitha veprimet operative, kombinacionet e kurthet u projektuan e u zbatuan nga kundërzbuluesit shqiptarë. Lidhur me “meritat” që i vishen Filbit, ai në librin e tij “Lufta ime e fshehtë” përmend rolin e tij në përgatitjen dhe zbatimin e mjaft operaioneve të tjera të shumta, ndërsa për operacionet ndaj Shqipërisë ai nuk e merr këtë përgjegjësi. Veç këtyre fakteve, duhet thënë se në kohën kur u krye Radioloja “Liqeni i Vajkalit” Kim Filbi ishte kthyer në Londër në mbikqyrje të kundërzbulimit anglez me dyshime si agjent i KGB-së dhe nuk merrte dot informacion për çështjen shqiptare. Por le të supozojmë se Kim Filbi, nga Uashingtoni, para se ta kthenin në Londër me dyshime si agjent i KGB-së, diçka u ka dhënë sovjetikëve për atë çka projektohej kundër Shqipërisë, por jo për operacionin “Liqeni i Vajkalit”, por për “Buzën e Bredhit”, mirpo edhe për këtë pa dhënë hollësira. Nuk na e merr mendja që, qoftë Filbi, qoftë kolegët e tij të rangut të lartë, të kenë patur haber se ku ndodhet Karaburuni apo malet e Kurveleshit apo Martaneshit, kush do të hidhej me parashutë, kur do të hidhej dhe cilat ishin bazat e tyre në Shqipëri. “Përfundimisht, shkruan Dr. Perlat Çaushi në parathënien e këtij libri, operacione të tilla si “Buza e Bredhit”, “Liqen i Vajkalit” etj janë një pasuri ekskluzive e organeve shqiptare të zbulimit. Ato shkëlqejnë për mëndjemprehtësinë, shpirtin krijues, kurajon e jashtëzakonshme dhe janë krejtësisht shqiptare”.
Në kuadrin e organizimit të Organeve të Sigurimit të Shtetit, që u bë në pranverë të vitit 1949, iu kushtua kujdes i veçantë forcimit të sektorit të kundërzbulimit. Kështu, Dega e IX do merrej me organizimin e punës kundër bandave që vepronin brenda vendit dhe atyre që dërgoheshin nga jashtë. Në atë kohë sektori i bandave u kthye në një sektor kundrazbulimi. Në çdo Degë të Punëve të Brendshme në rrethe u ngrit Sektori i Kundrazbulimit, që mbështetej kryesisht në rrjetin informativ, që informonte për praninë e bandave në vendet ku bashkëpunëtorët sekretë jetonin dhe punonin. Krahas kësaj pune për kërkimin e bandave, u përdor me shumë sukses edhe një rrugë tjetër: organizimi i pritjes së bandave në vendet ku mendohej se ato do të dërgoheshin për të vepruar, dhe në mënyrë të veçantë, midis personave që ishin të predispozuar për t’i pritur dhe bashkëpunuar me ta. Pra, kundërzbulimi duhet të ishte vazhdimisht i ndjeshëm dhe të parashikonte ku mendon të hedhë armiku agjenturën e vet. U praktikua, kështu, me sukses ngritja dhe funksionimi i “kurtheve agjenturore”, në të cilat ranë banda të tëra ose pjestarë të veçantë të tyre. U përgatitën “mikrokurthe” dhe për këtë qëllim u aktivizuan bashkëpunëtorë sekretë të zgjedhur nga rrethi informativ ekzistues ose u tërhoqën në bashkëpunim bashkëpunëtorë të tjerë sekretë nga radhët e rrethit të tyre familjar e miqësor dhe të personave që për vetë të kaluarën e tyre politike dhe të qëndrimit të tyre politik ishin të predispozuar për t’i pritur bandat dhe për të bashkëpunuar me ta por nën drejtim tonë. Vëmendje e veçantë iu kushtua “mikrokurtheve” për personat që ishin jashtë shtetit për të cilët Dega e Parë, (Zbulimi) informonte se tërhiqeshin nga kampet ku jetonin dhe dërgoheshin për t’i përgatitur si agjentë me destinacion Shqipërinë. Ngritja dhe funksionimi i këtyre “mikrokurtheve” i dhanë mundësi kundërzbulimit shqiptar për t’u vënë shpejt në dijeni për futjen e bandave, u bë i mundur kontrolli i veprimtarisë së tyre dhe arritja deri në arrestimin ose asgjësimin e tyre. Në një “mikrokurth” të tillë ra dhe banda e drejtuar nga Zenel Shehu. Rezultate shumë të mira dhanë sidomos “kurthet” e përmasave të mëdha siç ishte ai që u quajt “Fronti i Rrezzistencës”, mbeturina fashiste, që menduan se kishte ardhur koha të vepronin në Shqipërinë e Mesme, të lidhura me bandat që ndodheshin brenda vendit, që dërgoheshin nga shërbimet e zbulimeve të huaja për të kryer vepra terrori e diversion. Kundërzbulimi ynë u vu shpejt në dijeni të kësaj veprimtarie, hodhi në dorë provat e nevojshme, nuk i goditi por i la të lirë duke i mbajtur nën kontroll të plotë. U mendua që të shfrytëzohej edhe ky rast për t’u futur më thellë në veprimtarinë e tyre me synimin që të krijohej një “kurth” i përmasave të mëdha ku do të binin banda që vepronin brenda vendit dhe ato që do të dërgoheshin nga shërbimet e huaja të zbulimit. Synohej gjithashtu që edhe kundërshtarë të tjerë, të shtetit, që ishin prirur të ndërmerrnin veprimtari aktive armiqësore, të binin në këtë “kurth”. Dhe qëllimit iu arrit nëpërmjet futjes së bashkëpunëtorëve sekretë dhe më pas edhe të punëtorëve operativë në rradhët e drejtuesve të kësaj veprimtarie. Kështu drejtimi i saj u mor plotësisht në dorë nga kundërzbulimi ynë dhe drejtuesit e saj u arrestuan. Në të vërtetë drejtimin e kësaj organizate që quhej “Fronti i Rrezistençës” e kryente një grup punëtorësh operativë, i cili mori emrin “Grupi Special” që ishte në përbërje të Degës së IX. Për gati dy vjet që funksionoi ky “kurth” i madh agjenturor u bë i mundur asgjësimi i disa bandave në Shqipërinë e Mesme. Kështu zbulimi italian, grek, anglez e jugosllav dërguan agjentët e tyre për t’u lidhur me këtë organizatë, gjë që krijoi mundësitë për të arrestuar ose asgjësuar disa prej këtyre agjentëve. Gjatë këtij operacioni u asgjësuan edhe agjentët e MI 6 (Inteligjent Servisit) anglez dhe njeri prej tyre u kap i gjallë. Për të marrë lidhje me këtë “organizatë” ishin të ngarkuar edhe banda e Zenel Shehut, i cili sapo mbriti në zonën e Martaneshit kërkoi të lidhej me bandën e Xhafer Memës, e cila ishte shpartalluar dhe drejtuesi i saj ishte vënë në shërbim të Kundërzbulimit Shqiptar. U përdor me sukses gjithashtu edhe futja e bashkëpunëtorëve sekretë në radhët e bandave. Një shembull i shkëlqyer për mënyrën se si u veprua për futjen e bashkëpunëtorit sekret në përbërjen e bandave dhe për mënyrën se si drejtoheshin ata, është ai i bashkëpnëtorit sekret “Furtuna”, që ishte “Heroi i Popullit” Pal Mëlyshi. Nuk ishte e lehtë të qëndrohej ditë të tëra bashkë me bandat që përbëheshin nga banditë të rregjur dhe agjentë të pergatitur në kurse zbulimi jashtë vendit.
Një rol të rëndësishëm në luftën kundër shërbimeve sekrete që vepronin kundër Shqipërisë luajtën edhe organet e Zbulimit Shqiptar. Ai arriti të kontrollojë mirë emigracionin politik shqiptar, gjë që i dha mundësi për t’u informuar për gjithçka që kurdisej kundër Shqipërisë. Me të marrë këto të dhëna Kundërzbulimi ngrinte “kurthet” agjenturore. Zbulimi në disa raste mundi të infomohej edhe për dërgimin e ndonjë bande. I tillë ishte rasti kur zbulimi informoi se nga spiunazhi italian përgatitej një bandë që do të drejtohej nga Alush Lleshanaku për t’u futur në Shqipëri. “Mikrokurthi” i ingritur në pritjen e kësaj bande, që kishte hyrë edhe një herë tjetër në Shqipëri , u përforcua me masa të tjera agjenturore-operative, gjë që bëri të mundur asgjësimin e të gjithë bandës. Zbulimi arriti gjithashtu të fusë në përbërje të bandave bashkëpunëtorët e tij, të tërhequr në bashkëpunim brënda vendit dhe të dërguar me mision jashtë shtetit, ose të tërhequr në bashkëpunim jashtë. Në përbërjen e bandës së Xhevdet Mustafës, që u dërgua me mision zbulimi në Shqipëri ishte dhe Halit Bajrami, bashkëpunëtor i zbulimit. Gjithashtu një bashkëpuntor i zbulimit i tërhequr në bashkëpunim jashtë vendit shoqëroi agjentin B.A., kur ai u dërgua me mision në Shqipëri. Zbulimi Shqiptar arriti atë që kërkohej prej tij : krijimin jashtë vendit të vijës së parë të mbrojtjes kundër veprimtarisë së shërbimeve të huaja sekrete. Këtë të vërtetë e kanë pranuar edhe drejtues të shërbimeve sekrete që kanë vepruar kundër Shqipërisë. Kështu William Kollbi, ish drejtor i CIA-s, ka shkruar: “Operacioni “Djalli” dështoi sepse autoritetet shqiptare kishin infiltruar në organizatat e emigracionit dhe lokalizonin shumë grupe pothuajse që në kohën kur ata zbarkonin nga deti, ose hidheshin me parashutë”.
Në punën agjenturore-operative në luftën kundër bandave Forcat e Ndjekjes u përdorën me efikacitet të lartë duke u mbështetur në të dhënat e rrjetit informativ për vendin ku ndodheshin bandat, shtigjet nga ato do të kalonin etj. Si forcë e armatosur kundër bandave vepronin edhe Forcat e Kufirit, të cilat ruanin 1083 km vijë kufitare tokësore e detare nga futeshin bandat. Ndihmë në luftën kundër bandave jepnin dhe Forcat e Policisë, sidomos ato që ishin të vendosura në lokalitete. Për t’iu kundërvënë me sukses bandave dhanë kontribut të çmuar qytetarë të shumtë që me inisiativën e tyre, informonin për gjithçka të dyshimtë. Ndihmë shumë të rëndësishëme në luftën kundër bandave dhanë Grupet e Bashkëpunimit Vullnetar (GBV) të përbërë nga civilë të armatosur – një pjesë e tyre ish partizanë që, vullnetarisht dhe papagesë, sa herë që ishte e nevojshme, viheshin në ndjekje të bandave, menjëherë në kushtrim. Këto grupe përbënin një forcë të madhe që vepronin afërsisht në 2500 fshatra të vendit ku desantonin apo qarkullonin bandat. Politikanët perëndimorë sot e pranojnë me gjysëm zëri se duke u përpjekur në kohë paqeje të ndërhynë me forcë në punët e brendshme të vendit tonë, kanë kryer shkelje të rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare. Anglia dhe SHBA e kanë ruajtur fshehtësinë e veprimeve të tyre të dhunshme ndaj Shqipërisë në vitet 1949-1954. Lordi konservator anglez Nikolla Bethel në librin e tij “Tradhëtia e Madhe” shkruan: Të dy qeveritë ruajnë akoma fshehtësinë dhe duan të mos bëhen kërkime rreth operacioneve të dërgimit të bandave në Shqipëri. Ato u shmangen detajeve dhe emrave të pjesëmarrësve të përfshirë në këto operacione. Ato nuk duan t‘i lejojnë njerëzit të njohin veprimet e tyre, të mësojnë nga gabimet e tyre.” Dështimet e tyre në Shqipëri CIA dhe MI 16 ia faturojnë tradhëtisë së Kim Filbit dhe disfatën e tyre të hidhur dhe të turpshme e fusin nën ombrellë e Filbit.