Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kristaq Kume, ka komentuar projektvendimin e dalë nga KQZ, i cili ende nuk është hedhur në tryezë për diskutim. Kume tha se procedura që do të ndiqet është shumë e paqartë, sidmomos në pjesën e indentifimit biometrik dhe se ky projektvendim quhet nul nëse nuk do të marrë dakordësinë e politikës.
Vota e emigrantëve është hedhur gjithmonë në trezën e politikës sa herë që kanë bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kësaj here nismën e mori vetë Komisioni Qendror Zgjedhor, i cili bëri një projekt draft që do i vihet në tryezë politikës dhe diasporës mbi rregullat dhe mënyrën e votimit. Ky draft ende nuk ka kaluar për diskutim në mbledhjen e komisonit. KQZ ka 5 vite kohë që të marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e këtij procesi. Por zërat që propozojnë nuk kanë munguar që në ditët e para të publikimit të draft-projektit. Eksperti zgjedhor Kristaq Kume shprehet se për shkak të situatës politike, Celibashi ka lënë në draftin e tij të padefinuar plotësisht mënyrën se si do bëhet identifikimi biometrik i zgjedhësve jashtë vendit. “Ajo çka është shkruar në atë procedurë, është në zbatim të kërkesës së Kodit Zgjedhor. Dispozita përkatëse e kufizon të drejtën për të votuar nga jashtë territorit të vendit me pasjen domosdoshmërisht të adresës së përhershme të tij në vendin ku ai banon në regjistrin e emigrantëve këtu në Shqipëri”, tha Kume. Ai nënvizoi se: “Nëse nuk e ke këtë adresë të bërë në funksion dhe duke zbatuar kërkesat e ligjit për adresarin e emigrantëve, e drejta për të votuar nga jashtë s’mund të fitohet. Ajo që është bërë kujdesje në këtë draft, është përcaktimi i rrugës që duhet ndjekur. Në ndryshim nga ajo që është diskutuar përpara zgjedhjeve parlamentare që kishte të bënte me faktin se cila do të ishte rruga, përmes “e-Albania”- s apo përmes një produkti informatik të prodhuar dhe të administruar nga KQZ, me këtë draft i ka dhënë zgjidhje”. Duke undalur tek identifikimi biometrik, Kume tha se: “Do të bëhet me një produkt informatik që do të administrohet nga KQZ. Problemi nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare, është lënë evaziv lidhur me momentin që ka të bëjë me identifikimin biometrik të zgjedhësve. Si do të bëhet ky identifikim? Thuhet përmes asaj që do të ofrojë KQZ, ose mundësive të tjera që mund të jenë programe të instaluara në pajisje të ndryshme”. Ndërkohë, Kume solli në vëmendje se ndonëse Celibashi po përmbush detyrat e tij, Kuvendi nuk po e bën një gjë të tillë. Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur vetëm një herë për konstituim dhe nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje tjetër për të prodhuar një produkt. Për këtë situatë, Kume bën përgjegjës Gjykatën e Apelit që, sipas tij, nuk shprehet për situatën brenda opozitës. Ndërkohë shprehet se pa vullnetin politik, pavarësisht punës që mund të bëj KQZ, votimi i emigrantëve do të dështojë. “Veç kësaj, komisioni ka një handikap të madh. Opozita është e përçarë edhe në këtë komision. Ky komision zor se do të arrijë në një produkt pa u zgjidhur problemi me të cilin përballet Partia Demokratike. Në të kundërtën, çdo gjë që prodhohet nga ai komision do të jetë shumë lehtë i goditshëm nga pala tjetër. Fakti që ky komision ndeshet me këtë situatë dhe po punon duke mos bërë punë, është një kambanë alarmi për sistemin në përgjithësi. Thënë kjo, kam parasysh veçanërisht sistemin gjyqësor. Duhet t’i japin ata përgjigje dhe ta zgjidhin problemin. Është shumë e rëndësishme që komisioni duhet të përgatisë ndryshimet ligjore që të kenë efekt për zgjedhjet vendore. Mund të ndodhë që ky komision të zvarritë gjërat në funksion të Reformës Territoriale. Dhe si rezultat, të kemi tjerrje politike të çështjes dhe jo të zgjidhjes së problemit”, tha Kume.
Vota e emigrantëve/ Krashi: Do punojmë që të gjejmë gjuhën e përbashkët me opozitën
Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi është shprehur se në votën e emigrantëve duhet të ketë një koordinim mes Ministrisë së Jashtme, Ambasadave, Konsullatave, Gjendjes Civile, pasi sipas tij impenjimi i KQZ-së nuk mjafton. Krashi duke iu referuar propozimit të KQZ-së, tha se do ishte një fatkeqësi nëse do kishte një numër të vogël emigrantësh që do të regjistroheshin për të marrë pjesë në zgjedhje. “Ambasadat dhe Konsullatat të marrin masat të regjistrohen të gjithë shqiptarët mbi 18-vjeç që jetojnë jashtë, ministria e jashtme dhe ambasadat t’i regjistrojnë, fatkeqësi nëse KQZ do bënte punën dhe do regjistrohej një numër qytetarësh shumë të vegjël. Nuk e bën do vetëm KQZ, është gjendja civile, ministria e Jashtme, duhet ndërgjegjësim i jashtëzakonshëm”, tha ai. Ai tha se kjo votë duhet të ketë të njëjtën vlerë me votën e çdo qytetari shqiptar. “Vota e tyre ka aq peshë sa ka vota e një qytetari shqiptar”, theksoi Krashi. Duke u ndalur te opozita, Krashi tha se mazhoranca do të punojë shumë fort që të gjejnë gjuhën e përbashkët me palën tjetër. “Shpresoj që të gjejmë fort dhe do punoj me energjitë e mia personale për të gjetur gjuhën e përbashkët me kolegët e opozitës”, tha ai.
Deputeti i PD: Duhet të bashkohemi për të rrëzuar Ramën
Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja ka zhvilluar një takim me demokratët e degës nr. 7 në Tiranë. Në një postim në Facebook, Gështenja bën me dije se gjatë takimit është shtruar domosdoshmëria për bashkimin e PD-së. Sipas tij, zgjidhje për PD-në është vetëm një process gjithëpërfshirës i bazuar në votë dhe meritokraci. “Mes demokratëve në Degën 7, folëm mbi nevojën urgjente të bashkimit të Partisë Demokratike. Të gjithë flasin për bashkim, por askush nuk zbret në terren të dëgjojë realisht zërin e demokratëve. Shumë shpejt vijnë zgjedhjet lokale dhe nëse vazhdohet kështu përfituesi më i madh është Edi Rama. Situata në Partinë Demokratike ka vetëm një zgjidhje, një proces gjithëpërfshirës i bazuar në votë dhe meritokraci!”, shkruan Gështenja.