FBI i bastisi banesën, reagon ish-presidenti Trump: Po më sulmojnë politikisht

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ish-presidenti Donald Trump pretendon se kontrolli nga FBI-ja në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida të hënën, është i motivuar politikisht. Kontrolli duket të jetë pjesë e një hetimi nëse ai ka mbajtur dokumenta zyrtare në vend që t’i dorëzonte në Arkivin Kombëtar, kur la detyrën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, njofton lidhur me pasojat e mundshme politike të kësaj ngjarjeje, përfshirë se si mund të ndikojë në ambicjet e mundshme të ish-presidentit për të kandiduar përsëri për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Pas kontrollit të FBI-së në Mar-a-Lago, ish-presidenti tha se ishte viktimë e një gjuetie politike shtrigash nga demokratët.

“Duke parë fitoret e mëdha të kandidatëve që kam mbështetur unë dhe se unë kryesoj të gjitha sondazhet, ata po përpiqen të frenojnë edhe një herë Partinë Republikane dhe mua,” tha zoti Trump në një email për mbledhje fondesh të martën.

Kontrolli, bazuar në një urdhër të miratuar nga një gjykatës federal, nuk ishte koordinuar me Shtëpinë e Bardhë dhe Presidenti Joe Biden u njoh me të përmes lajmeve, tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre.

“Nuk kishim njoftim paraprak për veprimin e FBI-së. Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë që përpara se të zgjidhej president dhe gjatë gjithë kohës në detyrë që Departamenti i Drejtësisë i kryen hetimet në mënyrë të pavarur. Ai beson në sundimin e ligjit”, tha ajo.

Kontrolli i paprecedentë i FBI-së shënoi një përshkallëzim të hetimit federal ndaj ish-presidentit.

“Është e lehtë ta interpretosh këtë si një lojë politike, përmes së cilës administrata Biden përpiqet të frenojë një fushatë të mundshme presidenciale nga Donald Trump. Por këtu bëhet fjalë thjesht për ligjin. Ligj i vitit 1978 për të Dhënat Presidenciale, parashikon që të gjitha materialet e përdorura nga presidenti të dorëzohen në Arkivin Kombëtar. Ish-presidenti Trump, nuk e ka respektuar atë”, thotë Todd Belt, drejtor i programit të Menaxhimit Politik në Universitetin George Washington.

Lexo edhe :  Netanyahu falenderon Trump pas thirrjes së anulimit të gjyqit për korrupsion

Në fillim të këtij viti, Arkivi Kombëtar njoftoi Kongresin se kishte gjetur 15 kuti me dokumente të Shtëpisë së Bardhë në Mar-a-Lago, duke përfshirë materiale të klasifikuara.

Por republikanët dolën menjëherë në mbështetje të ish-presidentit dhe përqafuan qëndrimin se kontrolli ishte i motivuar politikisht.

Anëtari republikan i Kongresit Michael Turner tha se i ka kërkuar në një letër drejtorit të FBI-së Christopher Wray, që të paraqesë në Kongres arsyet e vendimit për kontrollin e rezidencës së ish-presidentit.

“Shqetësimi këtu është padyshim lidhur me politizimin e Departamentit të Drejtësisë dhe komunitetit të zbulimit. Departamenti ka kapërcyer një kufi me bastisjen e shtëpisë së një ish-presidenti”, thotë ai.

Zoti Trump vazhdon të dërgojë sinjale publikisht se mund të kandidojë sërish për president.

Dhe në të ardhmen e afërt, hetimi mund të jetë i favorshëm për fatin e tij politik.

“Do ta ndihmojë me mbledhjen e fondeve. Ai po mbështetet nga baza. Por në planin afatgjatë, mund të jetë problematike. Kjo çështje nuk do të zhduket nëse ai vërtet ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme dhe ka të dhëna që mbështesin një ndjekje penale. Nuk është diçka që mund të fshihet”, thotë Shannon Bow O’Brien, profesore e politikës presidenciale në Universitetin e Teksasit në Austin.

Ish-presidenti përballet gjithashtu me një hetim për rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol dhe akuzat për veprime të paligjshme të lidhura me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Të fundit

Prodhimi për orë pune në Shqipëri, 35% më i ulët se rajoni

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vijojnë të përballen me nivele të ulëta produktivitetit të punës krahasuar me mesataren e Bashkimit...

Miratohet vendimi për rekrutimin e detyrueshëm, Danimarka fut gratë në ushtri

Teksa agresioni dhe investimet ushtarake ruse rriten, Danimarka ka miratuar për herë të parë rekrutimin e detyrueshëm edhe për gratë në ushtri. Ky veprim...

Shtohen zjarret në makina, eksperti: Gabimet nisin që në servis, ndikon edhe i nxehti

Makinat që përfshihen nga flakët, e sidomos teksa janë në ecje, po regjistrohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Javët e fundit,...

Po vjen epoka e re e administrimit të pallateve, Mazniku prezanton projektligjin

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”. Ai synon...

Shfaqet sëmundja e Brucelozës në Dibër, izolohen dy familje të zonës

Pas sëmundjes së Murtajës në Dibër është shfaqur edhe sëmundja e Brucelozës. Janë dy familje të cilat janë izoluar në Njësitë Administrative Kastriot dhe...

Lajme të tjera

Web TV