Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), ka thënë se ka dështuar Reforma Zgjedhore. Në optikën e tyre ata mendojnë se kjo është një kambanë alarmi për zgjedhjet e ardhshme dhe proceset e tjera reformuese të nevojshme për vendin.
Dita e enjte shënoi përmbushjen e afatit 6 mujor të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ky Komision u ngrit nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 10 shkurt 2022, plotësimi i anëtarësisë së tij u bë 4 muaj më vonë më datë 9 qershor 2022, dhe seanca e parë për konstituimin e tij që u zhvillua më datë 17 qershor 2022 ishte njëkohësisht seanca e fundit e tij, duke shënuar përfundimin e tij pa nisur ende punë. Pavarësisht deklarimeve dhe angazhimeve të marra gjatë së vetmes mbledhje të zhvilluar, prej atëherë e deri ditën e enjte (10 gusht) nuk pati asnjë reagim nga asnjë prej anëtarëve të Komisionit apo partive politike të përfaqësuara aty, duke lënë në heshtje dhe shënuar dështimin e tij. Ky dështim i punës së këtij Komisioni, nuk është i pari në historikun e funksionimit të Komisioneve të Posaçme të ngritura pas miratimit të Kushtetutës, por në raport me kontekstin e gjendur dhe nevojat imediate që paraqiten, angazhimet politike të ndërmarra, sjelljen politike të treguar dhe ecurinë e tërë procesit, përbën një moment absurd, totalisht joserioz dhe mjaft shqetësues për institucionin më të lartë të vendit, Kuvendin e Shqipërisë. Shteti shqiptar, në Samitin e Stambollit të vitit 1999, është angazhuar për të “zbatuar në mënyrë të menjëhershme vlerësimet dhe rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet”. Mospërmbushja e këtij detyrimi së bashku me moszhvillimin e përgjegjësive të ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji përballë qytetarëve dhe vendit, si dhe mosmbajtja e angazhimeve politike e institucionale ndaj organizmave dhe aktorëve ndërkombëtarë e vendas, ngarkon me përgjegjësi tërë klasën politike në vend, në mënyrë të drejtëpërdrejtë faktorin politik parlamentar dhe, në veçanti, mazhorancën socialiste, e cila po lejon denatyrimin në mënyrë të paprecedentë të funksionimit normal të Parlamentit të vendit. Merita kryesore e Zgjedhjeve Parlamentare 2021, megjithë problematikat serioze që u shënuan, qëndron pikërisht në faktin e kthimit në shtratin institucional të komunikimit dhe dialogut politik, pas krizës së tejzgjatur politike 2017 – 2020, e cila kulmoi në vitin 2019 me daljen e opozitës nga parlamenti, braktisjen prej saj të zgjedhjeve vendore të atij viti e tërë ngërçet e tjera institucionale e politike që i paraprinë apo pasuan.
Agenda politike
Përpara Legjislaturës aktuale të Kuvendit të Shqipërisë shtrohen dhe pritet të zhvillohen përgjegjësi madhore politike e kushtetuese, duke kthyer në normalitet funksionimin e shtetit dhe sistemit tonë demokratik, duke e funksionalizuar siç duhet atë, si dhe duke nxitur, dhënë jetë e institucionalizuar dialogun e nevojshëm politik për të adresuar sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi dhe ndërmarrë reforma kuptimplote e të duhura. Një qasje e tillë duket se mungon, përsa kohë deputetët shqiptarë ngurrojnë të pranojnë fuqinë dhe luajnë rolin e tyre të dhënë nga Kushtetuata e Republikës, se ata përfaqësojnë në Parlament vullnetin e deleguar të sovranit dhe janë aty për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej vetëm interesat e qytetarëve dhe të së ardhmes së vendit. Sjellja verbërisht dhe reagimi sipas dhe në funksion të interesave të ngushta të partive politike që i kanë kandiduar, apo të lidershipeve të tyre, nuk është as kushtetuese, as ligjore, as demokratike dhe as morale. Tërë krizat politike të prodhura nga klasa politike, por edhe krizat dhe ngërçet institucionale të prodhura sërish prej saj apo edhe dështimi i qëllimshëm i zhvillimit të një procesi të mirëfilltë në reformat që nevojiten të ndërmerren, rëndojnë mbi qytetarin shqiptar dhe të ardhmen e tij. Po ashtu, tërë proceset zgjedhore, nëpërmjet të cilave legjitimohet pushteti qeverisës i politikës, e sidomos ato tre të fundit, kanë dëmtuar dhe vazhdojnë të rëndojnë vetëm mbi qytetarët, të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese, pavarësisht propogandës, angazhimeve dhe premtimeve të bëra në emër të tyre dhe në interes të tyre.
Shqetësimet e KRIIK
Nëpërmjet një Qëndrimi Publik, të publikuar më datë 11 qershor 2022, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ngriti shqetësimin pikërisht për mungesën e këtij angazhimi serioz dhe të vërtetë në adresimin e problematikave madhore për të siguruar integritetin e votës dhe të procesit zgjedhor. Madje, në këtë Dokument, KRIIK renditi edhe disa shqetësime e rekomandime imediate që, sipas tij, nevojiten të ndërmerren për të mundësuar përmirësimin e standardeve, si dhe minimizimin e problematikave të mëparshme, vërejtur në zgjedhjet e pjesshme vendore të pranverës 2023. Dështimi i qëllimshëm i Komisionit duket se është në vazhdën e zhbërjes së aspiratave dhe Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020, shmangies nga diskutimi publik e institucional të problematikave madhore që prekin lirinë e votës dhe integritetin e zgjedhjeve, si dhe ruajtjes së status quo-së në demokracinë shqiptare, rrjedhimisht edhe të të njëjtave standarde dhe pritshmëri që do t’iu ofrohen qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Roli i mazhorancës në zgjedhje
Mos adresimi i një sërë çështjesh lidhur me problematikat e vërejtura nga zbatimi dhe praktika ligjore e ndjekur në zgjedhjet parlamentare të shkuara dhe ato të pjesshme të 6 marsit 2022, mbi drejtimin e votës, financimin e fushatës zgjedhore, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, fushatën në media, përfshirë median sociale, fushatën nga palë të treta, etj, në gjykimin e KRIIK, në procesin e ardhshëm zgjedhor duket se do t’i sigurojë sërish avantazh elektoral mazhorancës qeverisëse socialiste. Mos ndjekja e parimeve të premtuara dhe angazhimeve të shprehura për futjen e votimit parapëlqyes për kandidatët e këshillave vendorë, ecuria e deritanishme e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, si dhe mos deklarimi qartazi për aplikimin ose jo në zgjedhjet vendore të 2023-it të ndarjes së re administrative, nëse do të ketë një të tillë të dakordësuar nga Komisioni, përbën një qasje shqetësuese të mazhorancës dhe opozitës parlamentare në vazhdimin e konsiderimit të Pushtetit Vendor veç si një shtojcë apo zgjatim elektoral të pushtetit qendror. Në këto momente shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë, në raport me sfidat rajonale e ndërkombëtare, është e domosdoshme që politika shqiptare të tregojë vizion e maturi të lartë, duke dalë sa më parë nga politika konfiktuale e interesave minore, personale dhe nga propaganda e ditës, duke i dhënë hapësirën e duhur e nxitur funksionimin normal ligjor e demokratik të mekanizmave, institucioneve dhe të gjithë aktorëve dhe faktorëve në shoqëri në funksion të një demokracie të gjallë e funksionale. Partitë Politike nevojitet të reflektojnë thellë mbi rolin e tyre kushtetues dhe madhor në shoqëri, për të prodhuar një politikë koherente, vizionare në funksion të interesave më të mira të qytetarëve dhe të së ardhmes demokratike të vendit.