Nga Sebi Alla
Janë burra aq të fuqishëm sa arrijnë të blejnë dinjitetin njerëzor, lirinë, apo edhe të drejtën për të menduar. Ky është fati i bardhë i liderëve të fortë politik që ka prodhuar vendi ynë në 31 vite të ashtëquajtuar demokraci hibrite, e cila në kohë të ndryshme kalon deri në autoritarizëm të theksuar, gati një hap larg totalitarizmit. Vetë ata janë “Fatbardhë” që mbahen në jetën politike aktive me shumë pushtet nga “fatzinjtë” votues, të çdo bindjeje, që ende nuk e kuptojnë se duke i dhënë madhështi të tjerëve, ulën veten, deri në rrënin. Kulti i individit nuk është më frikë që mund të ndodhë, tashmë ajo ka ndodhur dhe me gjasë do të ndodhë në vijim, për një kohë të pacaktuar. Plot 31 vite Sali Berisha është në politikë aktive, po aq edhe Ilir Meta, vetëm shtatë vite më pak i mungojnë Ramës, që të kapë ata në “kohë pushtetimi”. E megjithatë, e mbulon me superpushtetin që mban prej afër një dekade. “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë, jo t’i bëjnë qejfin këtij e atij shqiptari”. Këto janë fjalët e Faik Konicës, një figurë e njohur e historisë kombëtare, ndër publicistët e artë të vendit që jetoi në kohë të vështira në vitet 20-30’ të shekullit të kaluar. E vërteta e hidhur deri në helmim është se shqiptarët jo vetëm nuk janë shëruar nga “sëmundja” e krijimit të kultit të individit, por me dëshirën e tyre pranojnë të jenë të pashërueshëm duke mbajtur në agoni mendjen.
Kultin e individit në pushtet, apo në opozitë, duke renduar pas emrit dhe jo ideve, e kemi mbjellë që nga viti 1920 duke vijuar pa asnjë shkëputje, edhe atëherë kur ne mendojmë se jemi në demokraci. Dhe i madhi Konica nuk kish si ta dinte se “sëmundja” do rëndohej me kalimin e kohëve edhe një shekull më pas për t’i dhënë formën e një pandemie që nuk ka vaksinë që e zbut, e aq më pak shëron… Këtë mjeshtër të fjalës, diplomat e studiues e citojnë shpesh edhe ata që e dinë se janë “super-individë”, të cilët adhurohen nga shumë qytetarë me të drejtë vote, me pak arsim, apo njerëz të dijshëm që rendin pas kultit të individit. Në debatet mes njerëzve të dhënë fort pas politikës, (sa harrohen të jenë pranë familjes), flitet jo për partitë politike, por për individët që i drejtojnë. Rama, Berisha dhe Meta janë kështu-apo ashtu, dhe pak diskutojnë PS, PD dhe PL (Partia e Lirisë) janë me këtë apo atë program politik. Individi është ngulur më shumë në kokën e shoqërisë. E nisi Ahmet Zogu, i cili provoi postin e ministrit të bredshëm, më pas kryeministrit, presidentit dhe në fund të mbretit. E vijoi Enver Hoxha i cili që nga viti 1944-1985 kur vdiq, vendosi në vend diktaturën më të egër, duke bunkerizuar konceptin e kultit të individit, aq sa ende ka të moshuar apo të rinj me mendje të plakur që e kujtojnë me nostalgji. Po e vazhdojnë edhe të tanishmit që e kuptojnë fare mirë se shprehja: “për aq kohë sa të më duan shqiptarët do të rri” është justifikimi më djallëzor që të “Kultshmit” ia japin vetes, me qëllimin e vetëm për të vazhduar pushtetimin.
Treshja e “kultit”
Këta individë, që janë më pak se gishtat e njërës dorë, me qeverisjen e tyre kanë punuar mirë për të bërë “keq”. U kthyen në “kult” nga votuesit e thjesht, që një herë në katër vite “pretendojnë” se janë të rëndësishëm, duke rendur pas liderit të fortë dhe i ushqyer ata me votë, duke pranuar të zbrazin edhe magjen e kokës. “Kult i individit lind kur regjimi i një vendi – ose, më rrallë, një individ – përdor teknikat e masmedias, propagandës, gënjeshtrës së madhe, spektaklit, arteve, patriotizmit dhe demonstratave të organizuara nga qeveria dhe tubime për të krijuar një imazh idealizuar, heroik dhe adhurues të një udhëheqësi, shpesh përmes lajkave dhe lavdërimeve të padiskutueshme”. Ky është thelbi i përkufizimit të kultit të individit. Për ta vendosur në “kandarin” e vjetëruar shqiptar, pa asnjë dyshim që vijojmë të jemi nën këtë marrinë kolektive, aq sa për t’u dhënë fuqi me pushtet të paktën tre individëve që për tre dekada herë bashkëpunojnë, herë sulmohen fort ashpërsisht mes tyre e herë bëjnë sikur luftojnë secili më vete. Nga populli u është dhuruar kjo forcë me votë të dhuruar nga njerëzit mbi 18 vjeç që “delegojnë pushtetin” nëpërmjet të zgjedhurve deputetë. Nga këtu lind shkëputja e madhe, paçka se në letra quhen “përfaqësues të popullit”, deputetët kthehen në përfaqësues të disa interesave që quhet pushtet dhe interes për të ndarë të mirat që nuk vijnë nga paga…
Të guxojë kush të sulmojë Ramën në Parlament, kur ministra, ministre dhe deputetë sulen me fjalorthin e tyre për të mbrojtur idhullin, liderin, kryetarin. Të tentojë ndonjë të mërzisë Berishën kur vrik nga karriget ngrihen deputetë, bashkëpunëtorë të tij, ish-ministra e ofiqarë të së shkuarës për t’i dalë në mbrojtje kryetarit të së “ardhmes”. Të prekë ndonjë Ilir Metën e të vijnë si grushte të forta fytyrës deklarata dhe mbrojtje deri në vetëmohim të ish-LSI-stave, që brenda një dite ndryshuan emrin e partisë dhe i dhanë pushtet pa zgjedhje Metës në rrotacion bashkëshortor. Këta mbrojtës të individit kryetar, janë të dijshëm në letra. Të gjithë me arsim të lartë, (qoftë edhe të marrë në universitetet privat, pa shkuar një ditë në auditore). Aty- këtu, paçka se fort rrallë, ndokush ka lënë ndonjë vepër në fushat nga vijnë, por shumë kanë shitur dinjitetin, moralin personal dhe traditën familjare apo të zonës nga vijnë. Në sa e sa mbledhje flet kryetari dhe të gjithë dëgjojnë, aprovojnë çfarë thotë duke tentuar në çdo formë të bien në sy të kreut. Ka edhe më rëndë e madje nuk tentojnë të nxjerrin zë edhe kur tregohen personalisht me gisht, nga Ai i madhi, idhulli, lideri, kryetari. Ulin kryet, pranojnë çdo kritikë dhe përulen edhe më shumë, duke mos thirrur në asnjë moment dinjitetin personal, të cilët duket se e kanë nxjerrë në tregun e “sendeve të përdorura”, që nga momenti kur për ta kryetari gjithnjë ka të drejtë, edhe kur nuk ka të drejtë.
Në duart e udhëheqësit
Kur vjen çasti i zgjedhjeve parlamentare të gjithë rrinë e shohin në sy kryetarin: A më futi mua, po ku më ka lënë, i sati jam në listë, në cilin qark më ka çuar? Pyetje që i bëjnë pafund deputetë apo të mprehur për t’u bërë deputetë. Kur ndokush nuk e gjen emrin në fermanin e të preferuarve të kryetarit, në vend të zërit çojnë të ndenjurat nga karrigia që i ka bërë më të pasur, me ndikues, më të njohur në publik, por të boshtë në mendime. Ka “guximtarë” që ulen e shkruajnë: “Falenderoj Berishën, Ramën apo Metën” (sipas partisë), për besimin që më dha, – ishte prrivilegj të punoja me të… E statuse të tilla shkruhen e rishkruhen, duke humbur atë që dikur edhe mund ta kenë pasur: dijitetin personal dhe të menduarit ndryshe. Edhe ndonjë deputet që thotë se po mbjell në “Fushat e Myzeqesë”, një farë hibrite që quhet “kundërshti qeverisë” kur je në qeverisje s’ka për ta pasur jetën e gjatë politike, ose nëse e ka do ndodhë se ashtu e do i “kultshmi” që nënshtron me dëshirë lejkaxhinjtë që si kërmilli kanë shkuar deri në majë duke u “lëpirë”. Dikush mund t’i kuptojë këta ofiqarë që erdhën me xhepat bosh dhe u frynë aq shumë sa sot mburren se konsumojnë biftekë të artë dhe djersën e dikurshme që nuk kishte sapun ta hiqte e mbulojnë me parfumet e dala nga markat e njohura të Parisit.
Ka plot punonjës në administratë që fyhen, ngarkohen më shumë nga ç’u takon nga eprorët e sërish “qepin gojën me spango” duke “adhuruar” për hir të pagës apo të mirave të tjera drejtuesin të cilët e mbushin me lajka dhe “like” në rrjetet sociale. As me gishtat e duarve nuk numërohen nëpunësit që ia numërojnë në sy kryetarit për atë çfarë bën keq. Heshtja është masive dhe masivët quhen rëndom servila të cilët shpesh fjalën e urtë “qingji i mirë pi dy nëna”, e kanë kthyer në: “hijena që shkon pas luanit, nuk mbetet kurrë pa ushqim”. Po ata qytetarët e thjeshtë çfarë përfitojnë nga të “kulshmit”? A ka kandar t’u masë mendjen kur dikush i drejtohet liderit politik “të dua më shumë se fëmijët e mi”- një tjetër thur lavde, bejte e këngë për atë që e quan “udheheqës” kuptimi i së cilës është ai që drejton udhën, paçka se rruga që na kanë degdisur në 32 vite është afër greminës.