Nga Agustin Gjinaj
Reformat në sistemin shëndetësor nuk kanë qenë të plota e shpesh kanë tentuar për të “riparuar” probleme emergjente se sa të zgjidhin probleme afat gjata. Ka denoncime për vjedhje e shpërdorime me shifra prej miliona eurosh, që shtrihen në dy krahë, në keqshpërndarje e keqmenaxhimin e milionave nga buxheti shtetit dhe në korrupsionin e personelit. Me të drejtë njerëzit thonë se “Hall i madh është të kesh punë në gjykata, dogana apo në spitale”, pasi aty personeli duhen “vajisur” që të jetë më i angazhuar, apo aq sa duhet në shërbim të popullit.
Fakti thuajse asnjëherë korrupsioni në mjekësi nuk është denoncuar e as dënuar nga kolektivat spitalore, do të thotë se na ato mjedise bakshishi vlerësohet si një veprim jo i dënushëm. Njerëzit e kësaj fushe të kujtojnë fjalët e kaherëshme të një plaku konservator nga një fshat i Vlorës, që u drejtohej disa të rinjve, “djema mos shkoni me gratë ditën se u del turpi e shkojnë me të tjerë”.
Edhe në mjekësi “ka dalë turpi”, marrin bakshish ditën e natën. Dorëzimi i parave është i vetmi çast kur kapadaillëku i mjekut ashtu si morali i tij janë për tokë. Ai duhet të bëjë sikur nuk e ka mendjen që pacienti apo familjari i tij i la diçka në tavolinë, ja futi në xhep apo nën tastierën e kompjuterit, duke plotësuar edhe si veprim atë që ashtu si edhe fjala “bakshish” janë një huazim nga administrata otomane. Rastet kur mjekët refuzojnë të marrin bakshishin janë tepër të rralla.
Kohë më parë një mjek deklaroi ne TV se, “ne marrim bakshish, që në një farë mënyre kompensojmë rrogën, por nëse pacientët nuk do të jepnin më asnjë lloj bakshishi, nuk do të ngelte asnjë mjek në spital”. Sipas tij, duhet legjitimuar bakshishi. Por ai nuk tha se si duhet të veprojnë mësuesit, policët, nënpunësit publikë, ushtarakët që shkojnë në luftëra në emër te atdheut, çfarë duhet të kërkojnë?.
Ndryshe nga vendet Perëndimore, në Shqipëri ndodh që mjekët e punësuar në sektorin public, të marrin para për kryerje operacionesh me mjetet e shtetit, në pavionet e sallat e operacionit të shtetit, me materialet e shtetit, që në fund të fundit i përkasin qytetarit që është pacient, e jo hajdutit me bluzë të bardha.
***
Ato që kisha dëgjuar për mjekësinë në vite, i pashë “live” gjatë këtë viti, kur isha “mik” në spital. Në një moment të vështirë që po kaloja te “Nënë Tereza”, ndërsa duhej marrë një vendim se çdo të bëhej me mua në të ardhmen, e pyeta doktorin e pavionit, “nëse punon këtu djali i një shokut tim, Doktor Altini, a do të mundej ai të bënte diçka për problemin tim”? “Patjetër që po”, më tha ai. Kishin kaluar diku te 20 minuta kur në dhomën time u shfaq një djalë i pjekur ose një burrë i ri.
-A më njihni kush jam, – më tha ai duke qeshur.
-Nuk ju njoh i thashë, por e marr me mend se kush mund të jeni.
-Unë jam doktor Altini, djali i Gjokë Veshtit, shokut e kolegut tënd të punës gjatë shumë viteve në Aviacion.
-Qofsh me jetë i thashë pa ditur të gjejë një fjalë më të përshtatëshme.
-Ju faleminderit ma ktheu ai. Por unë kam ardhur këtu që të them se që sot e deri sa të shërohesh, unë do të jem edhe “djali” yt, ndaj mos u shqetëso për asgjë lidhur me sëmundjen. Dhe vazhdoi. E studiova gjendjen tuaj shëndetësore, u konsultova edhe me mjekët e tjerë dhe do të zgjidhet në mënyrën më të mirë.
Dr. Altini jo vetëm kreu me sukses një operacion të vështirë, por pas daljes nga spitali, kur pata një shqetësim ai erdhi të më vizitonte në shtëpi, ndërsa në ditën që duhej të kryeja heqjen e penjve, kur unë e pyeta atë se “në cilin orë, duhet të vij te spitali’, ai më tha, “…po si do vish ti në spital me gjendjen që ke, mos u shqetëso se po vij unë në shtëpi.
Erdhi në banesë për të kryer detyrën e infermierit e të njeriut të madh, më dhuroi disa ilaçe që mund të përdoreshin në rast emergjence dhe një aparat për matjen e oksigjenit në gjak dhe pulsit.
-Kur të kalojë pak kohë e ti do të bëhesh mirë, do ta harrosh edhe sëmundjen edhe peripecitë e saj, por me këtë pajisjen e vogël jo vetëm do kontrollosh të dhënat e duhura, por do më kujtosh mua. Dhe qeshi me të madhe teksa po më shtërngonte dorën për tu larguar.
Në largim, familjarë të mij tentuan t’i japin atij diçka si shpërblim, (sipas “rregullit”) , por refuzimi i tij ishte i tillë që ata që ishin pranë tij nuk po gjenin vend ku të futeshin nga turpi. Nga korridori ai u kthye edhe një herë në dhomën ku isha i shtrirë e më tha;” Nuk kam ardhur në shtëpinë tuaj për lekë”.
Nuk kisha fjalë për përgjigje…
Fati i të ardhmes së reformës në shëndetësi janë kryesisht mjekë të rinj që kanë studiuar në universitetet apo janë kualifikuar në vendet perëndimore dhe vijnë në Shqipëri me një mentalitet krejt tjetër, atë të shërbimit kundrejt pacientëve për pagesën që u jep atyre shteti. Njëri prej tyre është edhe Altin Veshti, një nga yjet e rinj të mjekësisë shqiptare, që ka studiuar në Universitetin e Mjekësisë në Padova. Pas specializimeve në Itali e në Londër, dy viteve punë në Guatemala, ai ka punuar edhe në Boston të SHBA e në vitin 2010 është rikthyer në Shqipëri.
Dr. Veshti, është anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiokirurgjisë dhe është pjesë e ekipeve ndërkombëtare të kardiokirurgëve, që kanë realizuar operacione në Afrikë, në Eritrea.
Pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë, Profesori i assocuar Altin Veshti ka kryer me qindra ndërhyrje të suksesshme duke shpëtuar jetë njerëzish, në mjaft raste edhe fëmijësh, në një periudhë kur shumë mjekë kanë tendencën të largohen jashtë shtetit. Ai ka thënë gjatë një interviste se:”Unë kam një pasion për këtë që bëj, për mësimin që jap në Fakultetin e mjekësisë, dhe më duket sikur me ikjen time do mbyllet një shërbim, ai i kardiokirurgjisë pediatrike dhe më duket sikur do i bëj diçka të keqe këtij vendi, vendit tim.”
***
Nevoja e një reformimi të thellë ndjehet në çdo fushë çka të bën të mendosh se nga mënyra si do të zgjidhen këto reforma, do t’i jepet përgjigje pyetjes “a do të bëhet ky vend ?” Ky vend do të bëhet në radhë të parë nga ata që do të jenë në Shqipëri. Rënia demografike në Shqipëri që vijon që prej 3 dekadash ka bërë që popullsisë së Shqipërisë, sot i mungojnë rreth 1 milion e 200 mijë banorë. Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për emigrimin masiv.
Sot perëndimi ka kërkesa për mjekë e profesionistë të shquar, por është e sigurtë se nuk ka kërkesa për deputetë, doganierë, gjyqtarë, tatimorë e nëpunës administrate shqiptarë. Kur mendoj se si duhet të mendojmë për të ardhmen e vendit, mendja më shkon te filmi amerikan “Shpëtoni ushtarin Rajan” i Steven Spielberg, që tregon historinë e një grupi ushtarësh nën drejtimin e kapitenit Xhon Miller të Tom Henks, janë urdhëruar të “shpëtojnë- largojnë” nga lufta ushtarin Rajan. Kërkimi, gjetja dhe shpëtimi i Rajanit pati kosto njerëzore, por kapiteni dhe ushtarët asnjëherë nuk pyetën: “Pse duhet të sakrifikojmë për një ushtar të vetëm, le të kthehemi prapa “.
Pse ishte e domosdoshme të shpëtohej jeta e këtij ushtari për Amerikën. Ata që menduan për të nesërmen e dinin se po të qëndronte në frontin e Normandisë, Rajan do të bënte të njëjtën gjë që bënë edhe tre vellëzërit e tij gjatë zbarkimit të trupave aleate. Ata ishin vrarë për Amerikën, për Evropën, për lirinë. Në finale të filmit, Rajani i plakur bën një vizitë në varrezat e Dëshmorëve i shoqëruar nga fëmijë e nipër e mbesa, të cilëve u thotë se, “shpesh herë kam menduar se si do të mund t’ua shpërbleja atyre njerëzve që dhanë jetën për mua. Ajo që mendova unë se ishte nderim për ta ishte që të bëja një jetë të ndershme”.
Edhe ne duhet ti “shpëtojmë” ata që duan të qëndrojnë në këtë vend e ti shërbejnë atij me devotshmëri, që preferojnë një jetë të ndershme në respekt të vuajtjeve e përpjekjeve të gjithë popullit për prosperitet. Duhet tu hapet rruga intelektualëve të rinj në të gjitha fushat e të mënjanohet garda e vjeter e politikanëve, profesorave qe u ka ardhur apo kaluar mosha për pension, pasi mjaft prej të cilëve kanë “kontribuar” për të mbajtur gjallë korrupsionin.
Reformat e marra nga qeveria duhet të jenë të plota pa lënë hapësira për keqinterpretime e mëdyshje në zbatimin e tyre. Është në nderin dhe detyrën e shtetit e të qeverisë që mjekët të mirëtrajtohen, të paguhen me paga speciale, me bonuse për çdo orë e minutë që punojnë jashtë orarit, për çdo rast që natën apo në çdo kohë lënë familjet për t’u shpëtuar jetën atyre që janë në rrezik. Duke menduar për të ardhmen, mbase kemi të drejtë të themi- “Shpëtoni-ruani” Doktorin Veshti dhe shokët e tij, shpëtoni të ardhmen e reformave të vendit.