Eksperti i sigurisë paralajmëron: Të merren masa, do të ketë sulme të tjera nga Irani

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa thotë se sistemi TIMS është porta kryesore e vendit.

Në një intervistë për Euronews Albania Softa shpjegoi se përmes sulmit kibernetik në sistemin TIMS,  hakerat kanë në dorë informacione rreth hyrje-daljeve konfidenciale për persona të ndryshëm, të cilat mund t’i përdorin për interesat e tyre.

“Është regjistri i hyrje-daljeve, është porta kryesore e vendit. Gjithçka evidentohet, që hyrja e politikanëve, diplomatëve, persona nën hetim. Ata tani kanë informacione për këta persona që hyjnë e dalin në vend që mund t’i përdorin për interesat e tyre”, tha eksperti.

Ndër të tjera Softa tha se sulmet kibernetike duhet të merren në konsideratë nga autoritetet në mënyrë që të rritet niveli i sigurisë në vend.

“Shqipëria ka investuar shumë  në infrastrukturën digjitale. Ky nuk është vetëm fillimi i sulmeve iraniane të infrastrukturës së sigurisë së Shqipërisë. Mendoj se do ketë edhe rreziqe të tjera që duhet të merren në konsideratë për të rritur nivelin e sigurisë në vend.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mëngjesin e së shtunës se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS.