Dy politikanët binjakë, pengmarrës të opozitës

Nga Emili Bibolli

Nuk njohin limite kur vjen puna tek pushteti apo për të shpëtuar veten, zombi të uritur që kafshojnë këdo që të munden, madje dhe ata që dje u kanë shtrënguar duart apo kanë drekuar në skutat e vilave të tyre.

Thirrje për të përdorur gjuhën e forcës, thirrje për protesta të dhunshme, fjalor banal dhe etiketime të turpshme, përdorimi i një fëmije të ndjerë të aksidentuar, të korruptuar që bërtasin kapeni të korruptuarin, marifetçinj me duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe që hidhen sa majtas sa djathtas.

Dy politikanë qesharakë, binjakë me njëri-tjetrin, me një karrierë politike të zezë 32 vjeçare që nuk kanë lënë antivlerë të mundshme pa e promovuar si vlerë zotohen se do bëjnë revolucion për të “shpëtuar” Shqipërinë.

E vetmja gjë që po arrijnë dhe do arrijnë është mbajtja peng e lindjes së një opozite solide dhe të vërtetë, e cila i duhet vendit sepse garanton një demokraci të shëndetshme dhe jo vetëm.

E gjithë kjo situatë, me politikën e përbaltjes, dhunës, çnjerëzores, cinizmit, makutërisë e hipokrizisë po e gangrenizon këtë vend çdo ditë e më shumë dhe bashkë me të dhe të ardhmen e shqiptarëve.