“Falem 5 herë në ditë”, Khaby Lame: Jam mysliman dhe nuk pi duhan

Khaby Lame, fenomeni i rrjeteve sociale me mbi 149.5 milionë ndjekës në Tik Tok dhe 79.5 milionë ndjekës në Instagram është një mysliman i devotshëm i cili pavarësisht jetës së re nuk e harron prejardhjen e tij.

Gjatë një interviste për mediat italiane ai ka treguar se ai falet 5 herë në ditë dhe se nuk pi duhan.

Unë jam një mysliman që nuk pi alkool dhe nuk pi duhan, i di vargjet e Kuranit (të mësuara në Senegal) dhe falem pesë herë në ditë.

Edhe pse jeta e tij ka ndryshuar shumë ai nuk i ka harruar rrënjët dhe fëmijërinë e tij ku i është dashur të përballet me poshtërimin e të rriturve.

Unë ndihmoj kë të mundem, edhe në rrjetet sociale. Por çuditem shumë kur më kontaktojnë shokët e klasës që nuk më kanë llogaritur kurrë. Kur shkoja në shkollë isha gjithmonë vetëm sepse prindërit e tyre nuk më donin. Mbaj mend të rriturit që iu thoshin fëmijëve mos luani me të.

Lame iu bashkua TikTok pasi humbi punën:

Nuk dija si t’u tregoja prindërve të mi kur humba punën. Nuk e lëshova veten dhe iu përkushtova asaj që nuk kisha mundur të bëja kurrë: të krijoja. Kalova gjashtë muaj brenda duke bërë video.