Dekomunistizimi, ashtu si në vjeshtë për të shkundur dhe larguar gjethet e vjetra të politikës
Nga Erald Shulla
-Opozita dhe politika në përgjithësi në vendin tonë prej kohësh po kalon një situatë shumë të çuditshme! Shtatori i këtij viti pritej ndryshe, duke u nisur nga deklaratat e deputetëve dhe politikanëve opozitarë ai ishte paraqitur si një “Revulucion”. Por deri më tani kur po shkojmë drejt mbylljes së muajit shtator nuk kemi asgjë nga deklaratat e nxehta që i thanë gjatë muajit gusht, dhe ky “Revulucioni” real i premtuar prej tyre duket të jetë lënë diku apo shtyrë apo shuar. Ne jemi në një situatë, si e thashë dhe më lartë shumë të çuditëshme politike, pse e them këtë, sepse çuditërisht opozita shfaqet më e akuzuar dhe më me probleme se pozita. Më e trysnuar nga akuzat është opozita se qeveria, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta.
Ajo që unë shoh vërtet problem është që drejtuesit e opozitës nuk e kanë më stofin, apo ndoshta moralin e duhur për të qenë opozita e vendit për të disatën herë, sepse vitet e tyre në politikë janë aty bashkë me gabimet , abuzimet etj, dhe kjo i pengon shumë të jenë më tërheqës, më premtues, me të besueshëm për qytetarët. Dhe këtë fakt qeveria dhe kryeministri e shfrytëzojnë më së miri, ku nuk lënë rast dhe moment duke nxjerrë në pah problemet e tyre personale. Shpesh këta të krijojnë idenë sepse ndodhen në opozitë vetëm për tu mbrojtur nga problemet e tyre dhe jo se vërtet duan të krijojnë forcë reale pretendente për qeverisje. Të paktën sot, nga sjelljet e këtyre unë kështu e shoh gjendjen e opozitës. Në çdo kohë sa herë do kemi probleme nga qeveria, do na shfaqen dhe problemet e drejtuesve të opozitës, kjo do jetë situata derisa do kemi drejtues të opozitës me probleme. Dhe këto akuza vijnë edhe nga loja politike, për të sfumuar çdo aksion apo lëvizje të opozitës.
Ndryshe nga herët e kaluara në epiqendër të këtij skandali është Lulzim Basha i cili ishte kryetar në kohën kur është bërë lobimi i dyshimtë dhe duket se ai që po përfton momentalisht politikisht është Sali Berisha që gati po i vendos akuzën zyrtare Bashës, në një lloj paradoksi se vetë Berisha i beson SHBA-ve në këtë rast. A po shfrytëzohet kjo situatë nga Berisha për të mënjanuar përfundimisht Bashën dhe mbështetësit e tij në grupin Parlamentar?
Këto akuza për Lulzim Bashën, janë fjali të ripërsëritura nga Sali Berisha, të njëjta akuza i kemi dëgjuar edhe në shtatorin e kaluar kur nisi krisja e madhe mes tyre pas vendimit për përjashtimin e Sali Berishës si depuet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në fakt, edhe Sali Berisha përsëriste akuzat që dikur Lulzim Bashës ja bënin deputetët e Partisë Socialiste, por me një ndryshim nga ata Berisha tregonte histori dhe detaje për ta bërë akoma dhe më dyshuese ngjarjen ku përmendte dhe një takim me ambasadorin Amerikan Donald Lu, i cili sipas Berishës i kishte vendosur në tryezë dosjen kompromentuese të Lulzim Bashës. Por ripërsëritja e këtyre akuzave, dhe mëshimi fortë i këtyre akuzave nga vetë opozita, mua bënë të kuptoj që e gjitha kjo vjen për një arsye, një farë mënyre mbrojtjeje për aleatin e tyre Ilir Metaj. Z.Meta është paditur në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri për mosdeklarimin e parave të paguara për lobim nga kompani Ofshore në Qipro për llogari të Ilir Metës dhe ish LSI. E tashmë është bërë e modës që sa herë Berisha dhe Metaj ndodhen në sulme zgjedhin dhe e përdorin komardare shpëtimi Lulzim Bashën. Mundohen ta shkëpusin vëmendjen nga problemet e tyre duke shfaqur me sulme ndaj Lulzim Bashës. Por unë jam i bindur se sa më shumë ta shtyjnë duke rënduar mbi Bashën poshtë këta dy, aq më shumë do të zhyten edhe vetë. Unë jam i sigurt, që z.Basha nuk do të jetë edhe për shumë kohë më komardare shpëtimi për ta. Gjërat do ndryshojnë, e do të vijë momenti që dhe pretekstet do të shterojnë.
Interesante duket edhe situata në Partinë e Lirisë ku Ilir Meta ka të hapura tre dosje në SPAK, nga denoncime që vërshuan në harkun e një muaji. Po ashtu edhe për Berishën indirekt mund të kaloje në SPAK me dy dosje. A mund të thuhet se si Berisha ashtu edhe Meta tashmë po “luftohen me drejtësinë”?
Situatë e pritshme, një kundërpërgjigje e fortë politike sulmet ndaj z.Ilir Metaj. Sepse z.Ilir Metaj në fund të mandatit në krye të presidencës kishte filluar të artikulonte jo vetëm një rikthim por edhe për një opozitë të fortë ndaj qeverisë së Edi Ramës. Me sjelljen e tij po jepte mesazhin që kërkonte të merrte drejtimin e opozitës. Surprizuese nga këto akuza për mua është ajo që është përfolur shumë në media për ish presidentin. Dosja si ish bashkëpuntor i sigurimit të shtetit. Kjo është një goditje e fortë politike për mendimin tim, se sa akuzat e tjera me pagesat për lobim. Unë mendoj që vërtet duhet transparencë për këtë çështje, sepse zbardhja e saj do çlironte dhe opozitën jo vetëm zotin Metaj. Mazhoranca po luan, po lëviz, po shkon dhe më tej ku po kërkon të përcaktoj me ligj largimin nga politika të ish funksionarëve të diktaturës dhe ish bashkëpuntorëve të strukturës famëkeqe të ish sigurimit. Dhe kjo politikisht është një presion apo sulm i drejtë për drejtë për drejtuesit e opozitës. Edi Rama mesa duket do të bëj diçka për ti hequr nga fusha e betejës elektorale Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ligji për dekomunistizimin e politikës do ndryshonte shumë formën e politikës.
Në këtë situatë Rama ngjan si më komod, duke shpërqëndruar jo pak vëmendje si me largimin e kreut të policisë Nano, që indirekt ia veshi “problemet me kriminalitetin” ashtu edhe me nismën disi populiste të sekuestrimit të shtesave pa leje të pallateve dhe kullave, kryesisht në Tiranë.
Po rikthehem pak tek ato që thamë në fillim, që jemi në një situat të çuditëshme politike, ku opozita duket të jetë më e akuzuar se qeveria. Këtu tek ne në vend që të konsumohet qeveria, sepse pushteti të konsumon politikisht, këtu konsumohet dhe zvogëlohet opozita. Vendi ka nevojë emediate për opozitë reale, për alternativë, për risi, dhe për të rikthyer shpresën për qytetarët. Rama do jetë i qetë dhe tejet komod derisa opozita të rigjejë opozitën. Rama do vazhdoj i qetë drisa vendi të prodhojë një klasë inteligjente politike dhe një opozitë premtuese. Rama e di mirë që sa të jetë i bazuar dhe i përqëndruar drejtimi opozitës në drejtimin e dy personazheve të vjetër politik, numrat e bëjnë komod, dhe kjo do vërtetohet në zgjedhjet e ardhshme lokale, nëse Rama do vazhdoj të fitoj bindshëm bashkitë, duhet me patjetër një ndryshim, jo në qeveri por në opzoitë. Vjeshta mesa duket po do rrëzon gjethet e vyshkura të politikës. Kjo do e bënte dhe më të bukur vjeshtën dhe politikën.