Qeverisja Rama ka degraduar,por shqiptarët më parë emigrojnë sesa të votojnë këtë opozitë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Karaj

Opozita po përballet me dy çështje: akuza se PD-ja u financua nga fonde ruse në vitin 2017 për lobim në SHBA dhe tre denoncime në SPAK kundër Ilir Metës. Përse këto çështje shfaqen në këtë kohë?

Në fakt, duket sikur jetojmë në një situatë absurdi. Në një botë paralele, që s’përgjan me realitetin. Por, nga ana tjetër, asgjë nuk ndodh rastësisht. Të paktën jo në këtë vend. Jo nën këtë regjim, i cili duket qartazi se tashmë ka marrë edhe “patentimin ndërkombëtar”. Në kohën kur pagat e buxhetorëve (publik dhe privat), dalin në treg si një mall i rëndomtë dhe prokuroria “ngre supet”, teksa qeveria justifikohet me evazionin në deklarim; në kohën kur të dhënat personale të qytetarëve disponohen nga patronazhistët e PS-së dhe kreu i qeverisë jo vetëm që nuk ndjen pikë përgjegjësie, por përkundrazi lavdëron “spiunët” e partisë së tij; në kohën kur bie sistemi i sigurisë sa hap e mbyll sytë, edhe pse kemi harxhuar zyrtarisht miliarda lekë për të qenë gjoja të sigurt; në kohën kur bllokohet lehtësisht sistemi TIMS dhe dalin në shesh edhe e-mail zyrtare të Drejtorit të Policisë së Shtetit; në kohën kur inceneratorët mund të konsiderohen padyshimin më të vogël si mega-vjedhje me ligj dhe akoma qeveria paguan lekë “në ajër”, paçka se pronarët e tyre gjoja janë shpallur prej muajsh në kërkim; në kohën kur programohet një nga aferat më korruptive (në gjithë historinë e Shqipërisë, po e po, por ndoshta edhe në Europë), si ajo e Portit të Durrësit; në kohën kur ndodhin të gjitha këto, pse duhet të habitemi me të tilla çështje ndaj Ilir Metës në veçanti dhe opozitës në përgjithësi???!!!.

Shikoni, a mendoni se Ilir Meta, nëse është i tillë, u korruptua dje?! Pikërisht dje dhe sot që nuk është më President i vendit?! Mendoni se personazhe gati groteske si Halit Valteri, i cili në karrierën e tij mikrosopike politike i ka provuar të gjitha partitë (PD, LSI-në dhe në fund PS), apo edhe avokat si Idajet Beqiri, i dënuar disa herë për falsifikime dokumentash si në kohën e komunizmit por edhe më pas, sot arritën të bënin “qytetarin e devotshëm”, duke dërguar në SPAK, aferat korruptive të Ilir Metës?! Madje, pikërisht këtyre personazheve u kanë rënë në dorë, “krejt rastësisht”, dokumenta kaq të rëndësishëm, që ata i dërguan në SPAK?! Kjo është komplet qesharake…. dhe vetëm një shqiptar që ka jetuar në 30 vitet e fundit në vendet skandinave, pa asnjë lidhje informacioni me Shqipërinë, do t’i besonte këto “lajme bombastike”.

Ndaj, ti themi gjërat troç: sot për sot, më shumë sesa qeverisja e një vendi që po degradon totalisht, primare është bërë “blerja e opozitës” ose rrënimi total i saj. Synimi i Edi Ramës, që prej 2017-ës të paktën, ka qenë nxjerrja me hir apo me pahir, në pension politik, të Ilir Metës. Ky i fundit është konsideruar si një gjemb i rëndë në këmbën e Kryeministrit, ndaj nuk është e rastësishme edhe lufta që “Rilindja” bëri si në 2017-ën por edhe gjatë 2021-it. Madje, nëse kujtojmë fushatën e vjetshme, urdhërat politikë të socialistëve ishin të qarta: “lereni Lulin, merrni sa më shumë vota nga LSI-ja! Joshni simpatizantët e LSI-së!”. Aty është “hambari gri” që PS-ja tenton të joshë me qëllim “saldimin” e pushtetit të vet. Ndaj, me mbarimin e mandatit si President, shumë menduan dhe shumë uruan, sidomos te “Rilindja” (politikanë dhe analistë), që Meta do të “lëshonte armët”, pra do të pensionohej. Në momentin kur kjo gjë nuk ndodhi, nisën sulmet frontale ndaj tij, natyrisht duke përdorur si mashë njerëz të asaj kategorie, a thua se Ilir Meta, nëse është i tillë, u korruptua gjatë verës së 2022-it.

Në pak fjalë, nuk ka një aksion për të çuar gjoja pas dyerve të burgut një politikan të korruptuar. Jo ore jo. Ka vetëm një synim të qartë: elemimimi me çdo kusht i një kundështari politik, me qëllim që mandati i 4-t qeverisës të vuloset mundësisht që dy vjet përpara sesa të përfundojë aktuali. Ndaj po bëhet gjoja ndryshimet në ligjin e lustracionit. Ndaj po bëhet gjoja një ligj i posaçëm për “non-grata”. Ndaj nga mëngjesi deri në darkë, një person mund të dalë edhe me dojse të sigurimit, pavarësisht se gjatë këtyre 30 viteve ka pasur certifikatë sigurie dhe ka mbajtur postet më të larta të mundshme në këtë vend: ministër i jashtëm, kryeministër, kryetar parlamenti, president. Dhe, nëse këtyre sulmeve ndaj Metës i shtojmë edhe dozën ruse ndaj opozitës, në përfundim kemi një regjim të instaluar dhunshëm, vëlla siamez me të tillë si në Rusi, Turqi dhe Serbi.

Ndryshe nga herët e kaluara në epiqendër të këtij skandali është Lulzim Basha, i cili ishte kryetar në kohën kur është bërë lobimi i dyshimtë dhe duket se ai që po përfton momentalisht politikisht është Sali Berisha, i cili gati po i vendos akuzën zyrtare Bashës, në një lloj paradoksi se vetë Berisha i beson SHBA-ve në këtë rast. A po shfrytëzohet kjo situatë nga Berisha për të mënjanuar përfundimisht Bashën dhe mbështetësit e tij në grupin Parlamentar?

Unë personalisht nuk besoj tek kjo legjenda e parave ruse. Po, janë dhënë ato para për lobim, por asesi që të kenë origjinë ruse. Por edhe në qoftë e tillë, vetë z.Berisha e ka deklaruar se ai ka pasur dijeni të plotë për këtë lobim dhe këto pagesa. Vetë Berisha ka thënë se i kishte shkuar ish-ambasadori Donald Lu në zyrë, i cili i kishte shprehur shqetësimin e këtyre parave. Ndaj, sado të fshihemi pas gishtit, ndonëse jo juridikisht direkt, edhe krye aktual i PD-së, ka përgjegjësi sikundër Lulzim Basha, paçka se nuk ka qenë ai direkt që ka bërë atë pagesë. Dhe për ta vërtetuar këtë lidhje mes Berishës dhe Bashës, mjafton të analizojmë lëvizjet e ditëve të fundit. Berisha e ka pasur fare të lehtë që t’i kërkonte zyrtarisht shpjegime DASH dhe Thesarit Amerikan në lidhje me akuzat për lobimin rus, duke u munduar kësisoj që të krijonte edhe një lloj lidhjeje pas “non-grata”, por një gjë të tillë nuk e ka bërë. Kjo tregon qartazi se informacioni që Berisha ka pasur që në 2017-ën për këtë lobim, nuk e përjashton tërësisht nga përgjegjësia.

Lexo edhe :  Cila është mosha kur ndihesh më i/e vetmuar?

Sa i përket Bashës, për mendimin tim, akuzat e DASH ishin funerali i tij politik. Përfundimisht, ish-kreut të PD-së dhe “idhtarëve” të tij, u ka rënë edhe teza e pro-amerikanizmit, pavarësisht nëse këto akuza janë të provueshme apo jo. Dëmi nga ana politike është bërë dhe kjo vërtetohet edhe nga një e dhënë tejet domethënëse: fakti që Basha nuk shkel në Amerikë që prej 2017-ës. Si është e mundur që në dhjetor të 2021 (por edhe më përpara), Basha mori mbështetje të madhe nga diplomatë amerikanë (kujto deklaratën e Eskobarit: “mezi pres që Bashën ta takoj në Uashington”), por sërish sot e kësaj dite nuk ka mundur të bëjë qoftë edhe një vizitë informale në SHBA?! Fakt është se kur shkel një ligj federal, si në rastin e lobimit rus, atëherë nuk të bën dot derman as Presidenti i SHBA-së, pasi me të vënë këmbën në aeroportin JFK të Nju Jorkut, edhe një oficer federal i gradës më të ulët, mund të të vërë prangat. Ky është fakt dhe Basha dhe “bashistët” e dinë fare mirë….

Interesante duket edhe situata në Partinë e Lirisë ku Ilir Meta ka të hapura tre dosje në SPAK, nga denoncime që vërshuan në harkun e një muaji. Po ashtu edhe për Berishën indirekt mund të kaloje në SPAK me dy dosje. A mund të thuhet sesi Berisha ashtu edhe Meta tashmë po “luftohen me drejtësinë”?

Duhet thënë se ka një luftë frontale kundër opozitës që pretendon se është opozitë. Shikoni, në regjime të tipit putinian apo erdoganist sikundër është ky i yni, mazhoranca, më shumë merret në përzgjedhjen e kundërshtarit sesa në drejtimin e vendit. Pra, më e rëndësishme për të është që të ketë përballë një kundërshtar sa më të manipulueshëm, ashtu sikundër ndodh sot në Turqi, Rusi apo Serbi. Për shembull, në Beograd, sot kryetari i opozitës është kryetar parlamenti, ndaj imagjinoni se çfarë kundërshtari ka Vuçiç. Në këtë kontekst nuk është ashtu kot, e rastësishme që pjesë të mazhorancës apo edhe analistë që dukshëm kanë qenë dhe janë më socialistë se vetë socialistët, orej kohësh “mbrojnë” gati me fanatizëm linjën e Bashës ose “bashistët” (të bën çudi kur shikon personazhe si Frok Çupi, Spartak Ngjela, Mero Baze, Ilir Yzeiri, Baton Haxhiu, etj që flasin aq mirë për Ramën dhe Veliajn sakundër edhe për Bashën!!!!!!). Për PS-në, opozita, gati-gati skandinave e Bashës dhe e linjës Alibeaj, është më e pranueshme, pasi me të mund edhe të bëjë heraherës pazare, ndaj sulmohet dhunshëm dyshja Berisha-Meta, duke qenë se aktualisht, por ama tejet paradoksalisht janë të vetmit që mund ti bëjnë ballë furisë së Ramës.

Në këtë situatë Rama ngjan si më komod, duke shpërqëndruar jo pak vëmendje si me largimin e kreut të policisë Nano, që indirekt ia veshi “problemet me kriminalitetin” ashtu edhe me nismën disi populiste të sekuestrimit të shtesave pa leje të pallateve dhe kullave, kryesisht në Tiranë….

Rama nuk ka qenë kurrë më komod në jetën e vet politike. Madje është aq komod sa shkeljet ligjore të lejeura nga vetë ai, para pak kohësh, sot i shet si operacione të suksesshme. Me paturpësinë më të madhe del zv/kryeministrja Balluku dhe denoncon ndërtimin pa leje të një pallati 9-katësh në mes të Tiranës, a thua se kjo qeveri erdhi vetëm dje në pushtet. Apo me një lloj arrogance deri në marrëzi, teksa ende pa u mbyllur sezoni turistik, lëshon rruspat në një resort, i njohur prej vitesh si “shtëpia e Edit dhe Taulantit”. Të gjitha këto ndodhin në një vend që po degradon dita-ditës, me të rinj që ikin dhe nuk kthehen më. Me familje që shpërngulen drejt Gjermanisë apo Austrisë. Me fshatra që po zhduken tërësisht për shkak të shpopullimit masiv, gjë që i shkon përshtat vetëm “Rilindjes”.

Imagjinoni pak: me këtë intesitet largimesh nga vendi, në pranverën e 2025-ës, Rama nuk do të ketë nevojë as të bëjë fushatë, pasi ata që do ti drejtohen kutisë së votimit, në përqindjen më të madhe do të jenë nënpunës buxhetorë të administratës publike, të cilët normalisht (por jo domosdoshmërisht), do votojnë partinë në pushtet, për të ruajtur vendin e punës. Dhe opozita, nëse do kemi sërish këtë opozitë me Metën dhe Berishën, nuk do të ketë as shansin më të vogël, jo për të ardhur në pushtet që jo e jo, por me gjasa as të përsërisë rezultatin e 25 prillit 2021. Kaq rëndë është sot ky vend dhe të gjitha të dhënat tregojnë për një përkeqësim në rritje të vazhdueshme. Shqiptarët e shumtë opozitarë me qeverisjen e Edi Ramës, duke mos pasur zgjidhje në kahun tjetër politik, më parë marrin arratinë nga vendi, sesa i bashkangjiten kësaj opozite, e cila tentoi të rithemelohet, por vetëm teorikisht.

Të fundit

“Rama s’pranoi jelekun anti-plumb”, Karamuço tregon si u organizua takimi në Greqi

Profesiori i kriminalistikës, Ervin Karamuçi dha detaje sesi u organizua takimi i kryeministrit Edi Rama në Greqi me emigrantët...

Çani: Shqipëria është Turqi e dytë, ja pse nuk bëhet shaka me Ramën

Gazetari Arian Çani ka analizuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë ku ka zgjedhur të tregojë pozicionin e Greqisë. Çani tha se Shqipëria është...

Çfarë po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

“Njerëzit qanin”/ Gazetarja tregon momentin kur Rama zbriti në aeroportin e Athinës

Takimi i Edi Ramës me shqiptarët e Greqisë këtë të diel, u kthye në kryefjalë në mediat shqiptare dhe ato greke. Gazetarja Anila Basha në...

Vota e diasporës realitet në 2025? Ja si përgjigjet Blendi Klosi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi thotë se kjo forcë politike ka shprehur vullnetin e saj që vota e diasporës të bëhet...

Lajme të tjera

Web TV