Mobilizimi i pjesshëm në Rusi dhe “referendumet” e organizuara me shpejtësi në Ukrainën lindore janë shenjë dobësie. Putini i bëri llogaritë gabim, çmimin e paguajnë mijëra rusë me jetët e tyre, shkruan Miodrag Soric. Ai nuk mund të kthehet më pas: Nëse e humb luftën agresore në Ukrainë, Putinit kjo do t’i kushtojë pushtetin, ndoshta më shumë. E njëjta gjë vlen edhe për politikanët në qeverinë dhe Dumën ruse, që e kanë lidhur fatin e tyre me kreun e Kremlinit. Ata janë në panik. Sukseset e Ukrainës e kërcënojnë Moskën me dështim, me të cilin askush nuk kishte llogaritur në Kremlin. Prandaj Putini shpalli mobilizimin e pjesshëm e do të dërgojë 300.000 rezervistë në front. Ata duhet ta ndalin marshimin e ukrainasve, gjë që dëshmon edhe gjendjen e dobët të ushtrisë ruse.
I dobësuar dhe izoluar?
Deri para pak ditësh, në kuadër të takimit të Organizatës së Shangait për Bashkëpunimin, SCO, në Uzbekistan, një Putin i përpjekur për të demonstruar qetësi, tha se Rusia nuk e ka me nxitim në Ukrainë. Në realitet bota pa një Putin të dobësuar dhe të izoluar. Kamerat televizive tregonin një burrë të plakur, të cilin krerët e shteteve të tjera e lanë të priste. Turqia, India e madje Kina lanë të kuptohej publikisht, se nuk e mbështesin luftën e Putinit dhe se mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. E për këtë kanë arsye të forta: Lufta rëndon ekonominë botërore dhe me këtë pushtetin e atyre politikanëve, prej të cilëve Putini shpresonte mbështetje për luftën agresore.
Ndërrim kursi në Kremlin
Sipas Kremlinit kështu nuk mund të vazhdohet. Sapo u kthye në Moskë, Putini me nxitim e ndryshoi kursin. Në fund të fundit shpallja e mobilizimit të pjesshëm është pranim i dobësisë ushtarake në Ukrainën lindore. Me njoftimin se brenda ditësh do të “votohet” në një referendum në zonat e pushtuara për bashkimin me Federatën Ruse, bëhet e dukshme, se ukrainasit nuk duan të shkojnë drejt Rusisë. Një votim para armëve, një referendum para rrënojave nuk merret seriozisht nga askush në botë. Putini kërkon të sigurojë plaçkën e vjedhur. Zonat e pushtuara do të duhet të bëhen pjesë e Federatës Ruse, atëherë Putini mund të bëjë thirrje për mbrojtjen e atdheut me armë. Nga “operacioni special ushtarak” i kufizuar në kohë dhe hapësirë, me të cilin shumë rusë nuk kishin lidhje në përditshmëri, retorika bën fjalë tani për mbrojtjen e “tokës ruse” me të gjitha mjetet, edhe me armë nukleare.
Fundi i “operacionit special”
Nuk është e nevojshme të bësh profeci të mëdha për të parashikuar fundin e nocionit “operacion special ushtarak”. Propaganda e Kremlinit do ta varrosë atë. Në vend të tij do të tirren edhe më shumë gënjeshtra, shpifje, kërcënime, me të cilat televizioni rus do të përpiqet të indoktrinojë rusët. Që tani pretendohet, se Rusia nuk bën luftën kundër Ukrainës, por mbrohet në Ukrainë kundër SHBA dhe Britanisë së Madhe. Këtë e beson, kush do ta besojë. Fitilin e ri të ndezur nga Putini krerët e shteteve të botës do ta marrin seriozisht në Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork. Por kjo nuk ka për të ndryshuar politikën e Moskës. Kievi do të marrë edhe më tej armë, ushtria do të vazhdojë të luftojë. Po 300.000 rezervistët rusë? Ata nuk kanë qenë kurrë në luftë, janë të keqpajisur. Ata janë baballarë, bashkëshortë, që shkojnë në një luftë kundër vullnetit të tyre. Në Ukrainë u thonë se duhet të mbrojnë Rusinë, këtë në krah të të dënuarve me burg dhe mercenarëve çeçenë. Një gjë e tillë nuk ka për të funksionuar. Ata do ta shohin me sytë e tyre, se ukrainasit nuk duan të bëhen pjesë e Rusisë. Dhjetëra mijëra vetë do të vriten, që Putini dhe klika e tij të qëndrojnë në pushtet e që të mos justifikohen për krimet e tyre ndaj popullit të vet. E kjo është tragjedia e vërtetë e vendimit të fundit të gabuar të kreut të Kremlinit. DW
Blinken: Putin të mos lejohet të shkatërrojë rendin ndërkombëtar
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të ngrihen kundër presidentit rus, Vladimir Putin. Ai paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës dhe përpjekjet e Putinit për të aneksuar më shumë territor të këtij shteti, janë kërcënim për të shkatërruar rendin ndërkombëtar. Putin po shtyn katër territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë që të mbajnë të ashtuquajturat referendume për bashkëngjitje me Rusinë. Këto votime janë paraparë të nisin më 23 shtator, në mes të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. “Vetë rendi ndërkombëtar, që ne jemi mbledhur këtu për ta mbrojtur, po copëtohet para syve tanë. Ne nuk mundemi, dhe nuk duhet ta lejojmë presidentin Putin të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Blinken më 22 shtator. Blinken tha se mbështetja ndërkombëtare për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainën duhet të mbrohet me rendin ndërkombëtar, ku asnjë shtet nuk mund të ndryshojë kufijtë e një shteti tjetër përmes forcës. “Nëse dështojmë që ta mbrojmë këtë parim, që Kremlini po e shkel në mënyrë flagrante, ne dërgojmë një mesazh tek agresorët kudo, se ata mund ta injorojnë atë po ashtu. Ne vëmë çdo shtet në rrezik”, tha ai. Blinken tha se Putini tha se me dhunë po tenton të “çrrënjosë” mijëra ukrainas dhe po detyron shtetasit rusë që të manipulojnë rezultatet e votimeve të kësaj jave mbi aneksimin, duke e quajtur këtë “strategji djallëzore”. Kryediplomati amerikan po ashtu tha para Këshillit se ka prova “në rritje” të krimeve të luftës të rusëve në Ukrainë dhe shtoi se mbështet përpjekjet ndërkombëtare për të mbledhur dhe hetuar këto dëshmi. Ai tha se dhuna është pjesë e sjelljes së ushtarëve rusë dhe nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara. OKB-ja “duhet të mbajë përgjegjës personat që kanë kryer këto krime”, tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, pritet që të njoftojnë anëtarët e Këshillit të Sigurimit lidhur me krimet e mundshme të luftës në Ukrainë. Shefi i Prokurorisë për krime lufte të Ukrainës ka deklaruar se autoritetet po hetojnë pothuajse 26.000 raste të dyshuara të krimeve të luftës qëkur Rusia nisi pushtimin në shkurt. Ukraina ka ngritur akuza për krime lufte ndaj 135 personave dhe zyrtarët së fundmi kanë thënë se kanë zbuluar varreza të reja masive. Në këto varreza është thënë se disa nga viktimat kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto zbulime janë bërë pasi forcat ukrainase rimorën kontrollin e qytetit lindor të Izjumit. Rusia mohon se shënjestron civilët dhe i ka cilësuar akuzat si shpifje. Takimi i 22 shtatorit i Këshillit të Sigurimit shënon herën e 20-të që ky trup është takuar këtë vit për të diskutuar luftën në Ukrainë. Pavarësisht pushtimit të paprovokuar rus dhe akuzave se forcat ruse mund të kenë kryer krime lufte, ky Këshill nuk ka mundur të ndërmarrë ndonjë vendim të rëndësishëm, pasi Rusia ka fuqinë e vetos. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar që Rusisë t’i hiqet e drejta e vetos në OKB. REL