Rëndësia e dialogut prind-fëmijë/ Si ndikon në fuqizimin e besimit

Mjekja pediatre Lira Gjika, e papërtuar si kurdoherë me këshilla ndaj prindërve për fëmijët, i ka kushtuar disa rreshta rëndësisë që ka dialogu mes tyre.

Ajo shkruan se kur fëmija dialogon apo bisedon me të rriturin e ka më të lehtë të aktivizojë potencialët  drejt autorealizimit.

Dialogu me te rriturin, fuqizon besimin e fëmijës te fjala dhe vetja e tij. Fëmija kur dialogon apo bisedon me të rriturin e ka më të lehtë të aktivizojë potencialët  drejt autorealizimit.

Të zhvillojë kuriozitetin dhe habinë nga gjërat e reja që zbulon dhe mëson. Por kur biseda i rritur fëmijë  zhvillohet nëpërmjet gjykimit dhe krahasimit dialogu nuk ndërtohet dot. Për pasojë, rritja dhe të mësuarit, kthehen në vuajtje, bezdi dhe përtesë.

Fëmija humbet gëzimin dhe habinë e të mësuarit. Habia e të gjeturit, e zbulimit është shumë e rëndësishme për mendjen e fëmijës.

Habia e ndihmon fëmijën të ketë durim për të gjetur, zbuluar e mësuar gjëra të reja, fjalë të reja, i ushqen fantazinë që është leva e mendjes, por i vetëm nuk ja del dot, i duhet i rrituri. Pa dialogun inkurajues nga ana e të rriturit, prind dhe mësues, fëmija nuk beson dot te vetja dhe fjalët e tij.