Komisioni Europian publikoi dje raportin e progresit për Shqipërinë ku vlerësohet relativisht puna në sistemin e ri të drejtësisë, por shihet ende si fenomen shqetësoes çështja e korrupsionit në nivele të larta. Problematike konsiderojnë edhe konfliktin brenda PD-së që kushtëzoi jetën parlamentare.
Në një raport të detajuar KE ka paraqitur disa nga arritjet dhe mangësitë e Shqipërisë. Në këtë raport vihet në dukje se Shqipëria ka ende punë për të bërë sa i takon luftës kundër korrupsionit, apo krimit të organizuar dhe se sistemi gjyqësor është i ndikuar negativisht në efikasitetin e tij nga procedurat e gjata, një shkallë e ulët e pastrimit dhe një numër i madh i çështjeve të mbetura. KE ka përmendur edhe situatën politike të krijuar brenda PD. “Konflikti i brendshëm brenda partisë më të madhe opozitare (PD), ndikoi në jetën parlamentare. Për reformat e orientuara drejt BE-së, parlamenti miratoi një zgjatje kushtetuese me afat të kufizuar të mandatit të organeve të verifikimit dhe nëntë ligje që synojnë përafrimin me acquis të BE-së. Qeveria mbajti fokusin në reformat që lidhen me rrugën e vendit drejt BE-së dhe përforcoi strukturën e saj koordinuese për integrimin në BE, por duhet të avancojë më tej axhendën e reformave të BE-së, së bashku me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë”-thuhet në raport. Më tej shihet si shqetësim ngritja e disa agjencive qeveritare rreth kryeministrisë, të cilat tregojnë probblemet në administratën publike. “Krijimi i disa agjencive qeveritare rreth Kryeministrisë, pa një kuadër gjithëpërfshirës drejtues dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit, ngre pikëpyetje në lidhje me standardet e administratës publike”, thekson raporti për Shqipërinë.
Drejtësia
Një tjetër pikë ku është ndalur gjerësisht është çështja e sistemit të ri të drejtësisë. “Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka arritur një nivel të moderuar përgatitjeje. Vazhdoi reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi. Dy gjyqtarë të rinj u emëruan në Gjykatën Kushtetuese në mars dhe shtator 2022, duke përmirësuar më tej aftësinë e gjykatës për të kryer mandatin e saj. Progres pati edhe me Gjykatën e Lartë, e cila tani ka 15 gjyqtarë në detyrë, duke i mundësuar asaj të reduktojë numrin e lëndëve të pazgjidhura për herë të parë në gjashtë vjet, të nisë unifikimin e praktikës gjyqësore dhe të emërojë gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Priten emërime të mëtejshme në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, procedurat e gjata, një shkallë e ulët e pastrimit dhe një numër i madh i çështjeve të mbetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”-theksohet më tej.
Korrupsioni
“Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Ajo vazhdoi përpjekjet e saj për të ndërtuar historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe dha disa rezultate. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë. Megjithatë, vullneti më i madh politik, përpjekjet e mëtejshme të strukturuara dhe burimet dhe aftësitë adekuate mbeten të nevojshme. Gjykata e SPAK-ut dha disa vendime të rëndësishme përfundimtare për zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë një ish-ministër të Brendshëm dhe një ish-prokuror të Përgjithshëm. Edhe pse vettingu i anëtarëve të drejtësisë është një proces administrativ, ai vazhdon të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit”-thuhet në raport. Më tej theksohet se ka një lloj progresi në luftën kundër korrupsionit, por jo ende në nivele të kënaqshme. “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo bëri njëfarë progresi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar. Bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Shqipëria vazhdoi të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar rritje të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta”, thuhet në progres raport.