Kurt Tuholski, pacifisti kozmopolit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bujar Meholli

Kur i lexon këto vargje për nënën: “Na bëje bukë ne, na bije kafe dhe gjellë na ke gatuar dhe qepe dhe fshive, në punë u gdhive… gjithçka me ato duar, herë akull herë me zjarrmi, u plakën ato tani, tani te fundi je afruar, dhe erdhëm sot këtu, ne, fëmijët e tu, t’i puthim ato duar”, rrëqethesh nga forca e tyre, nga thjeshtësia me të cilën ato janë shkruar për sakrificën jetësore të nënës për fëmijët e saj dhe nga emocionet brenda nesh. Këto janë vargjet e Kurt Tuholskit, njërit prej autorëve gjermanë më të rëndësishëm të shekullit XX.
Kurt Tuholski u lind më 9 janar të vitit 1890 në Berlin. Ishte shkrimtar, gazetar, satirist, socialist dhe pacifist i shquar. Aktiviteti i tij ishte shumë domethënës për kohën. Ai shkroi artikuj të shumtë në lidhje me kërcënimin nazi-fashist për demokracinë, “rendin e ri evropian”, kundërshtoi hapur regjimin e Hitlerit; njihet si autor që përdori sërë pseudonimesh. Tuholski është ndër figurat më enigmatike të shekullit të kaluar. Sharmant, elegant, spiritual, kritik social, satirist, dashamirës i lirisë dhe paqes. Në vitin 1912 botoi librin “Rheinsberg”, një histori erotike, pleksur me histori lozonjare e dashuriçka që shpejt u bë popullor, për më tepër “bestseller”. Gjatë kësaj kohe, Tuholski tok me mikun e tij Kurt Szafranski, ilustrues, hapi një “book-bar” në Berlin ku secilit klient që i blinte librin, i ofronte një gotë “Schnapps” falas. Bari nuk qëndroi gjatë kohë i hapur, megjithatë libri vazhdonte të shitej dhe të përflitej. Bashkëpunimi me gazetat vazhdonte. Tuholski përdorte pseudonime të ndryshme si: Peter Panter, Ignaz Wrobel apo Theobald Tiger. Njihej kudo si gazetar i talentuar, usta i fjalës, por karriera e tij gazetareske ndërpritet nga Lufta I Botërore. Ai e urrente luftën, veten e konsideronte pacifist. Urrente gjithçka kishte të bënte me militarizmin.

Tuholski, hebre, lëviz drejt Rumanisë; atje sheh padrejtësi sociale dhe korrupsion, megjithatë e shijon në maksimum verën rumune që e gjerbte nëpër bar-kafe e mejhane të ndryshme. Pagëzohet si protestant, pasi që është distancuar nga besimi hebraik. Viti 1918 e gjen të rikthyer në Berlin. Aty është dëshmitar i diskutimeve rreth Traktatit të Versajës, protestave masive dhe radikalizmit politik që solli luftën dhe tmerret. Kurt Tuholski është thellësisht i dëshpëruar nga kjo klimë politike e vendlindjes së tij, nga vrasjet politike e ringjallja e forcave reaksionare.

Lexo edhe :  Rrënia e mitit të Ana Bolenës, mbretëresha e Anglisë me origjinë nga “Bolena e Labërisë” 

Pas angazhimit të shkurtër si redaktor në një gazetë propagandistike të krahut të djathtë, ai shkruan për gazetën komuniste “Arbeiter Illustrierte Zeitung”. Sidoqoftë mbetet republikan dhe demokrat; e ndiente se rreziku po afrohej, kërcënimi fashist ishte shfaqur në horizont. Vitet ’20 shënojnë lulëzimin e industrisë së argëtimit në metropolin Berlin. Shfaqje të shumta, të ashtuquajturat kabare argëtuese & teatri serioz, shfaqjet, lulëzuan kudo. Satiristi i shquar Tuholski shkroi satirat e tij në formën e shansoneve të kabaresë, po ashtu shumë polemika dhe humoreska. Kurt Tuholski njihej kudo për kritikën, sensin e pashoq të humorit – karizmi i tij i lindur tërhiqte gra e vajza të cilat e dashuronin. Mary Gerold qe gruaja të cilën Tuholski e dashuroi vërtet, por ajo më së fundi e braktisi. Letrën lamtumirëse të saj, e mbajti në xhepin e xhaketës gjer në vdekje. Sidoqoftë, karriera intelektuale po ecte mbarë – ai shkruante për gazeta, ishte orator i jashtëzakonshëm që zbriste nëpër shumë podiume ku fliste për paqen dhe kundërshtonte luftën. U bë anëtar i Lidhjes Gjermane për të Drejtat e Njeriut. Kurt Tuholski ishte kozmopolit – një njeri që udhëtonte shumë. Itinerari i tij përfshinte Berlinin, Parisin, Luganon, Londrën…

Libri tjetër i tij “Schloss Gripsholm”, histori dashurie me elemente komike dhe melankolike, bëri bujë, por në majin e vitit 1933 nazistët dogjën veprat e tij, sikurse të autorëve tjerë hebraikë, të konsideruara “jo gjermane”. Tuholski shpallet “armik” dhe pasaporta e tij e pavlefshme. I ndodhur në Suedi, nuk lejohet të punojë. Paratë i mungonin çdoherë e më shumë, shëndeti i përkeqësohej dita-ditës. Ideologjia fashiste, nacional-socializmi, po përparonte duke përfshirë Evropën mbarë. Kjo e dërmoi dhe e shkatërroi fare, ashtu sikur Zweig-un. Miku i tij, gazetar dhe fitues i çmimit “Nobel” për Paqe, 1935, Carl von Ossietzky, kapet dhe dërgohet në kamp përqendrimi ku torturohet dhe ndërron jetë më pas. Përfundimisht, Kurt Tuholski ngelet “shkrimtar i mbaruar, i marrë fund”. Ai e ndien se fuqitë po e lënë dhe guximi po i shkërmoqet. Më 21 dhjetor të vitit 1935 ndërron jetë nga mbidoza, ky pacifist kozmopolit që jetoi në kohëra të gabuara, të errëta, aspak të përshtatshme për personalitetin e tij hokatar e dashamirës ndaj jetës, qetësisë, paqes, lirisë…

Të fundit

Forcë e tretë në zgjedhje/ Tom Doshi falënderon 50 mijë votuesit e PSD

Kreu i PSD, Tom Doshi, përmes një postimi në rrjete sociale ka falenderuar të gjithë mbështetësit e tij në...

Papa Leon XIV shkel protokollin, përqafon vëllain e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit

Papa Leo XIV  theu protokollin dhe përqafoi vëllanë e tij Luis gjatë përshëndetjeve me delegacionet në fund të ceremonisë së inaugurimit. Pasi shtrëngoi duart me...

“Tërheqin blerës me të ardhura të larta”/ Pse po ndërtohen shumë vila në Tiranë?!

Ndërtimet e rezidencave të banimit me vila dhe apartamente në zonat e Farkës, Lundrës apo Mjull Bathores vijojnë të tërheqin blerës me të ardhura...

Rusia lëshon 273 dronë drejt Ukrainës/ Sulmi më i madh që nga nisja e luftës

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, gjithsej 273 mjete ajrore pa pilot u lëshuan nga Rusia gjatë natës, duke shënuar një shifër rekord. Që nga...

E rëndë në Roskovec/ E zuri poshtë muri rrethues i banesës, humb jetën 4-vjeçarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në Roskovec. Muri rrethues i një banese është shembur duke zënë poshtë një...

Lajme të tjera

Web TV