Dhunuan barbarisht të moshuarën, Policia e Kosovës arreston dy punonjëset e azilit

Videoja e infermiereve, që dhunonin një zonjë të moshuar, ka tronditur opinionin publik në Kosovë e Shqipëri.

Ka qenë aktorja e njohur Kaltrinë Zeneli e cila ka publikuar videon, duke ju bërë thirrje autoriteteve dhe mediave në Kosovë, që të ndiqnin rastin. Nisur nga reagimet e shumta, për shkak se pamjet janë vërtet të rënda, Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë duke arrestuar dy nga punonjëset.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor nё Pejё, duke u bazuar nё video incizimin i cili ka qarkulluar nё media sociale, ku shihet njё punёtore nё njё shtёpi tё pleqve nё Pejё, e cila ёshtё duke ushtruar dhunё ndaj njё të moshuare.

Policia menjёherё ёshtё vёnё në veprim dhe rreth orёs 14:10, ka identifikuar lokacionin dhe ka arrestuar dy (2) tё dyshuara lidhur me rastin.

Tё dyshuarat janё duke u intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё dhe nё koordimin tё plotё me prokurorin e shtetit do tё merren veprime të mëtutjeshme”, njofton Policia e Kosovës për e rastin.