Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski pas nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe komentuan zhvillimet në Ballkan dhe Europë. Rama mbrojti idenë e vijimit të procesit të “Ballkanit të Hapur”, ndërsa Samitin e Berlinit e konsideroi si të përkohëshëm.
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut u mblodhën sërish dje në Shkup, 5 vite nga mbledhja e parë e tyre. Në këtë mbledhje u firmosën 21 marrëveshje dhe memorandume. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, dy kryeministrat respektivisht Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski janë ndalur tek marrëveshjet dhe rëndësisë së tyre si dhe tek “Ballkani i Hapur”. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski e cilësoi si tepër të rëndësishëm takimin e radhës mes dy qeverive që po mbahet në Shkup dhe ku pritet që të nënshkruhen mbi 20 marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave dhe disa në fushën e infrastrukturës. Kreu i qeverisë së Shkupit, deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë të pandryshueshme rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe këtë gjë e treguan dhe në pozicionimin e tyre përballë luftës së Rusisë në Ukrainë. “Ne kemi qëllim të njëjtë, anëtarësimin në BE. RMV dhe Shqipëria janë shembull si ndërtohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kemi vendosur shtylla të fuqishme për autostrada dhe hekurudha që do të lidhin vendin tonë. Sot RMV dhe Shqipëria janë në rrugën Europiane. Dy vendet tona qëndrojnë në anën e paqes dhe këtë e treguan dhe në luftën në Ukrainë. BE e kuptoj se interesi i saj strategjik është që Ballkani të jetë pjesë e Europës. Hapja e negociatave dhe screening është një hap shumë i rëndësishëm. Për ne identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase është shumë e rëndësishme”, tha Kovaçevski. Pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në Shkup, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u shpreh se janë firmosur disa memorandume të rëndësishme, me fokus të veçantë në energjetikë. “Unë dhe Edi kemi vullnet për bashkëpunim. E falënderoj Shqipërinë për mbështetjen gjatë periudhës së kaluar, në veçanti gjatë negociatave. Ju na dhatë mbështetje të plotë edhe pse disa nuk besonin. Dy vendet po shkojnë në rrugën europiane. Mund të bëjmë shumë më shumë së bashku. Jemi shembull sesi ndërtohen marrëdhëniet me fqinjët. Sot i tejkalojmë krizat së bashku në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe Procesin e Berlinit. Nga kriza do të dalim së bashku dhe askush nuk do të lihet i vetëm. Ne firmosëm shumë memorandume, me fokus të veçantë në energjetikë. Me këtë, ne krijuam një kuadër për projektet e përbashkëta për gazin dhe burimeve të rinovueshme të energjisë”, tha Kovaçevski.
Rama
Qeveria shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut po mbajnë, këtë të hënë, në Shkup një mbledhje të përbashkët. Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se Rusia, me luftën në Ukrainë, synon të gjunjëzojë Perëndimin dhe te ne ka ardhur tashmë lufta me anë të rritjes së inflacionit. “Rikthehemi për një tjetër takim të rëndësishëm, një mbledhje të dy qeverive, por në një kontekst krejtësisht tjetër sa i takon situatës në Europë dhe në rajon. Lufta e Putinit në Ukrainë godet, shkatërron, hap plagë dhe dëbon njerëz nga vendi i tyre në atë zonë, por nga ana tjetër është e provokuar pikërisht për të gjunjëzuar perëndimin, për të gjunjëzuar bashkësinë euroatlantike, të gjitha vendet në Perëndim të Rusisë, pjesë ku jemi edhe ne. Lufta nuk ka ardhur me bomba, as me shkatërrime fizike, por me çmimet stratosferike të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe me inflacionin e luftës, i cili ka vënë në vështirësi të gjitha vendet. S’ka asnjë rrugë tjetër përballimi i sfidave krijimi i sa më shumë sinergjive të reja, kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin”, tha Rama. Kryeministri Edi Rama u pyet nëse ia vlen të vazhdohet më me nismën “Ballkani i Hapur” kur në Procesin e Berlinit firmosen të njëjtat marrëveshje mes vendeve. Rama tha se “ia vlen dhe më shumë se kështu ndërron vendin lokomotiva me vagonët”. Sipas Ramës, Procesi i Berlinit nuk do të jetë i përhershëm dhe se “nuk duhet të na marrin për dore të tjerët në jetë të jetëve”. “Se Procesi i Berlinit është një lokomotivë që ka tërhequr gjithë liderët e rajonit e vetë rajonin në një rrugëtim të ri ndërkohë që në një moment të caktuar ajo lokomotivë u morr peng nga vagonët. E duke ndryshuar raportin ne e kemi shtyrë procesin para duke dhënë mesazh që s’kemi pse presim për të jetësuar ato parime që janë të Procesit të Berlinit. E në fund do mbetemi me Ballkanin e Hapur se Procesi i Berlinit nuk do jetë i përjetshëm ndërkohë që Ballkani ësthë i përjetshëm. E nuk besoj që në jetë të jetëve duhet të na marrin për dore të tjerët”, tha Rama. Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se “Ballkani i Hapur dhe procesi i Berlinit nuk janë në kundërshtim por janë dy procese përbashkuese”.