110 vjet Pavarësi. Po bashkim kombëtar?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Nga Ekrem Spahiu

28 nëntor 2022: 110 vjet të pavarur si shtet shqiptar, por të ndarë përgjysmë si komb. Aq sa arritje historike, aq edhe dramë kombëtare. Por të gjitha kombeve të ndara u takon e drejta natyrore të jetojnë të bashkuara. Historia botërore është e mjaftueshme për ta vërtetuar këtë të drejtë. Në atë ditë të madhe të 28 nëntorit 1912, burrat e mëdhenj të kombit me Ismail Qemalin në krye, të ardhur nga të gjitha trevat etnike, shpallën pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë natyralë të saj. Kuvendi i Vlorës ishte Kuvendi i të gjithë shqiptarëve. Pavarësia e shpallur në Vlorë, ishte pavarësia e të gjithë Shqipërisë etnike. Ky ishte jo vetëm vullneti, por edhe zëri zyrtar i qeverisë shqiptare të Ismail Qemalit në raportet me fuqitë e mëdha dhe shtetet e tjera të kohës. Deklaratat dhe notat e protestës, që kjo qeveri u dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, në të cilat kërkoi largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, u bënë në emër të Asamblesë Kombëtare që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Me aktin e madh të 28 nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull, me gjuhën, kulturën, individualitetin e historinë e vet, një e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta që nga qëndresa e pashembullt e përmasave europiane e Heroit Kombëtar – Gjergj Kastriotit, si dhe gjatë pesë shekujve, kundër pushtuesve osmanë. Europa e kohës nuk mund ta shuante Shqipërinë nga harta (edhe pse disa nga fuqitë e kohës do të donin ta bënin edhe këtë!), por gjithsesi e bëri të vetën: kënaqi interesat gjeopolitike të gjithkujt pikërisht mbi kurrizin e kombit shqiptar, duke njohur një gjysmë Shqipërie. Është i vetmi popull që iu bë ky krim kaq i rëndë. Ishte një krim, të cilin SHBA dhe Europa e kuptuan vonë, pothuaj pas një shekulli, kur kuptuan se pa qetësuar shqiptarët – domethënë pa shlyer krimin apo fajin ndaj tyre, nuk ka qetësi as Ballkani, as Europa. Ishte kjo arsyeja pse SHBA dhe Europa kryen luftën më të pastër moralisht të historisë së tyre: ndalën genocidin ndaj popullit dymiljonësh shqiptar të Kosovës, praktikisht genocid ndaj gjithë kombit shqiptar që i kishte dhënë aq shumë Europës. Kështu, SHBA dhe Europa u pastruan nga dy gjynahe njëherësh, duke shlyer gjithsesi një pjesë të fajit. Shteti shqiptar, në vazhdimësi e ka patur dhe e ka detyrim të plotë bashkimin kombëtar të kombit. Mbreti Zog, si për nga obligimi kombëtar, ashtu edhe për nga natyra e regjimit mbretëror, e kodifikoi domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar në Statutin Themeltar të Mbretërisë, ku afirmohej dëshira e patundshme për forcimin e përjetshëm të bashkimit kombëtar. Ky Statut, i miratuar nga Kuvendi Kushtetues i asaj kohe, e deklaroi Ahmet Zogun – Mbret të të gjithë Shqiptarëve. Kjo nuk ishte thjesht shpallje nacionaliste, por një detyrim kombëtar. Ishte kjo arsyeja që, midis të tjerash, në betimin e tij, shkruhej se do të ruante njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore. Ishte kjo arsyeja që ushtria e kohës së Mbretërisë Shqiptare ligjërohej se ishte “Ushtri Kombëtare” dhe se siguria kombëtare garantohej nga “Mbrojtja Kombëtare.”

Lexo edhe :  Një ditë opozita me qira për Arben Ahmetajn

Në këtë konsekuencë të papërkulur vashdoi edhe Mbreti Leka. Ishte pikërisht kjo arsye e vendosmërisë, që në vitin 1976 themeloi Këshillin për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, dhe njëherësh zgjidhet edhe Komandant i Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike. Gjatë vitit 1977 ai i intensifikon aksionet dhe demarshet politike edhe kundër regjimit komunist të Tiranës. Por ky aktivitet do të bëhej shkak që Spanja (një aplikante e zjarrtë për t’u anëtarësuar në Europën e Bashkuar), të tërhiqej përballë trysnisë së disa vendeve që ankoheshin se rrëzimi i qeverisë komuniste në Shqipëri, do të sillte si efekt edhe destabilizimin e Jugosllavisë. Prandaj, qeveria spanjolle kërkoi ndërprerjen e aktivitetit të Mbretit Leka duke e detyruar të largohej në janar të vitit 1979 drej Rodezisë e më pas në Afrikën e Jugut. Gjithashtu, Mbreti Leka nuk bëri kompromis kur iu kërkua që vizita e tij në Belgjikë në vitin 1989 t’i lejohej vetëm në këmbim të mospërmendjes së Shqipërisë Etnike. Për të vazhduar: votimi masiv i popullit shqiptar për formën mbretërore të regjimit në referendumin e 29 qershorit 1997 dëshmoi, në radhë të parë, besimin për bashkimin kombëtar që Monarkia e ka shtyllën kryesore të saj; pritjen madhështore që i bëri populli shqiptar kthimit të  Familjes Mbretërore në atdhe me 28 qershor 2002; vizita e shumë pritur e Mbretit Leka në Kosovë në prill të vitin 2009 ku i gjithë spektri politik dhe shqiptarët e Kosovës i rezervuan një pritje dinjitoze e vëllazërore; etj, tregojnë qartasi, që e gjithë hapësira shqiptare është e etur dhe gatshme për bashkimin kombëtar. Për më tepër, çdo detyrim dhe nderim zyrtar i kryer nga shteti shqiptar për Familjen Mbretërore ka qenë edhe evokim për bashkim kombëtar. Pothuajse i gjithë spektri politik shqiptar pas rënies së regjimit komunist, pavarësisht nga dallimet politike, të gjitha partitë politike, kanë qenë dhe mbeten koherentë për çështjen kombëtare, por në dallim, dy parti politike nacionaliste të Shqipërisë me histori të hershme politike (Legaliteti dhe Balli), kanë ruajtur dhe shpallur jo vetëm aspiratën, por e kanë mishëruar edhe në programin e tyre krijimin e një Shqipërie etnike dhe krijimin e kushteve për bashkimin shpirtëror dhe politik të popullit shqiptar, për një shtet shqiptar të lirë brenda kufijve natyrorë të tij. Në periudhën e terrorit dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, i gjithë spektri politik shqiptar e ka dhënë devizën e tij në përmbushje të aspiratës së çeshtjes kombëtare, kur në qershor të vitit 1998, u deklarua publikisht dhe unanimisht nën moton: “Një komb – një qëndrim”. Në nëntor të po këtij viti, ky vullnet politik i aspiratës shekullore të popullit shqiptar për bashkimin kombëtar, u shpreh edhe në Kushtetutë. Vënia në zbatim projektit të kahershëm “Një gjuhë – një abetare”, përbën pikërisht një nga shtyllat që e materializon këtë aspiratë. Ky proçes, po vjen natyrshëm në të drejten e kombit shqiptarë për bashkim, me specifikat që ka dhe me mirëkuptim me ndërkombëtarët. Sigurisht që kemi interesa edhe për proçeset integruese europiane e po kështu kemi edhe interesa konvergjente me fuqitë e mëdha miqësore. Prandaj çështje të tilla me interes madhor kombëtar kërkojnë politika të zgjuara dhe afatgjata. Alternativa mbretërore, historikisht, thelbësisht dhe praktikisht ka treguar se është më afër këtij objektivi madhor kombëtar.

 

 

Të fundit

Pse është me nerva Albin Kurti, edhe pse fitues?

Gjasat janë që kryeministri i Kosovës mbrëmë, nuk ka folur për opozitarët, por për ndërkombëtarët, të cilët duken se...

Pas asaj që përjetoi,a do futej sërish Fifi si banore në “Big Brother VIP Albania”?

Ditën e djeshme, Fifi, realizoi një ‘ask me’ në Instagram me ndjekësit e saj. Në mesin e shumë pyetjeve nuk mungoi as ajo për...

Trump shpjegon pse dëshiron që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se e ka seriozisht në dëshirën që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara në një...

Makina më e gjatë në botë, AKOMODON 75 persona dhe madje ka PISHINË brenda…

E ndërtuar nga gjashtë limuzina Cadillac El Dorado të vitit 1976, The American Dream është mbi 30 metra i gjatë dhe ka hapësirë ​​të...

Princi Carl Philip i Suedisë bëhet baba për herë të katërt

Princesha Sofia e Suedisë  ka mirëpritur fëmijën e saj të katërt me Princin Carl Philip. Çifti që ende nuk e kanë bërë të ditur emrin e vogëlushes, kanë tre...

Lajme të tjera

Web TV