Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi nga vetë shqiptarët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kastriot Kotoni

Kryengritjet e përgjithshme çlirimtare të vitit 1912 ishte rrjedhojë e masave administrative dhe ushtarake që ndërmori Porta e Lartë për të shtypur kryengritjet e vitit 1911. Nën kryesimin e Ismail Qemalit u mblodhën në Stamboll disa personalitete politike shqiptare, të cilët vendosën të ktheheshin në atdhe për të përgatitur kryengritjen e armatosur. Në të njëjtën kohë, në Stamboll deputetët shqiptarë të rrymës patriotike zhvilluan brenda në Parlamentin Perandorak, luftën për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Qeveria e Stambollit u përgjegj me masa të reja shtypëse. Më 11 janar të vitit 1912, Hasan Prishtina në emër të grupit të deputetëve shqiptarë paralajmëroi në Parlamentin Osman Qeverinë Xhonturke se duhet të hiqte dorë nga politika shtypëse, shumë shpejt në Shqipëri do të shpërthente revolucioni çlirimtar. Në këto rrethana Ismail Qemali doli jashtë Perndorisë Osmane me qëllim që të siguronte armë dhe të tërhiqte vëmendjen e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes shqiptare, kurse Hasan Prishtina shkoi në Kosovë për t’u marrë me organizimin e kryengritjes. Më 21 Maj të vitit 1912 u mblodh kuvendi i Junikut nën derejtimin e patriotëve, Hasan Prishtina, Bajram Curi, Isa Boletini, Nexhip Draga, Mahmut Zajmi me të cilët u bashkua edhe Riza Kryeziu. Në Shqipërinë e Jugut u formuan çeta nën udhëheqjen e Spiro Ballkamenit, Themistokli Gërmenjit, Muharrem Rushitit, Izet Zavalanit. Në Shqipërinë e Mesme u formuan çetat nga Abdi Toptani në Tiranë dhe Aqif Biçaku në Elbasan. Jehonë të madhe bëri çeta e intelektualit shkodran Zef Simon Harapit. Forcat shqiptare të kryesuara nga Idriz Seferi hynë në qytetin e Shkupit mbas dështimit të bisedimeve në Prishtinë me marshallin turk me origjinë nga Manastiri Ibrahim Pasha dhe se qeveria e re nuk i dha përgjigje memorandumit të 9 Gushtit të vitit 1912. Rënia e Shkupit u dha goditje të madhe interesave të qeverisë  të Stambollit e cila pranoi të korrigjonte disa kërkesa të memorandumit të Ferizajt. Frika se Porta e Lartë po kapitullonte para armëve të shqiptarëve dhe se kapitullimi i saj mund të çonte në njohjen e autonomisë së Shqipërisë, vinte në rrezik aspiratat e shteteve ballkanike, të cilat synonin t’i ndanin mes tyre tokat shqiptare. Për këtë arsye, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi përfunduan bisedimet që kishin filluar disa muaj më parë, për një aleancë politiko-ushtarake kundër Perandorisë Osmane dhe t’i ndanin midis tyre zotërimet në Gadishullin Ballkanik, përfshirë dhe tokat shqiptare, me qëllim që ta bënin fakt të kryer, para se Shqipëria të fitonte autonominë.

Profesor Kristo Frashëri në librin e tij “SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË” 28 Nëntor 1912, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në faqen 121 në kapitullin  11 KUSH E FARKËTOI PAVARËSINË E SHQIPËRISË i jep përgjigje pyetjes. Kush e farkëtoi pavarësinë e Shqipërisë-populli shqiptar apo Fuqitë e huaja. Më tej vazhdon shtjelimin e tij profesor Kristo Frashëri. Historianët që përkrahin tezën se Pavërësinë e Shqipërisë e farkëtuan Fuqitë e mëdha dhe jo vetë shqiptarët, i përkasin kryesisht historografisë serbe dhe greke. Si argument kryesor në mbështetje të tezës së tyre ata përdorin faktorin gjeopolitik- pozitën gjeografike të Shqipërisë në brigjet e Adriatikut jugor dhe interesat strategjike që kishin disa prej Fuqive të Mëdha në këtë sektor. Sipas tyre, Fuqitë e Tripalëshit, në mëyrë të veçantë dy Fuqitë Adriatikase Austro-Hungaria dhe Italia, preferuan krijimin e një shteti të vogël shqiptar, si zgjidhje optimale për të penguar daljen në brigjet e Adriatikut të Serbisë dhe të Greqisë, të cilat ishin rreshtuar në anën e Antantës. Me rolin vendimtar që luajti “Adriatiku” dhe jo faktori shqiptar në krijimin e Shqipërisë së pavarur, historianët e kësaj teze përdorin tri argumente. E para, se Shqipëria e shpalli pavarësinë , pra shkëputjen , nga Perandoria Osmane, jo në luftë kundër saj, por kur ajo ishte e mundur nga monarkitë ballkanike. E dyta, se pa vendimin e Fuqive të Mëdha , trojet shqiptare do të ishin coptuar, në bazë të së drejtës së fitimtarit, midis aleatëve ballkanikë. E treta, se pa ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, shqiptarët nuk ishin në gjendje t’i detyronin ushtritë serbe, greke dhe malazeze të largoheshin nga viset e pushtuara prej tyre. Shkurt sipas tyre shkruan profesor Frashëri, farkëtari kryesor i Pavarësisë së Shqipërisë ishte( po të përdorim një shprehje të kohës)” Shën Adriatiku” dhe jo lëvizja kombëtare shqiptare. Por teza se lindjen e një shteti duhet ta kërkojmë tek faktori i jashtëm, nuk qëndron. Në radhë të parë se shtetet kombëtare nuk krijohen nga Fuqitë e Mëdha, në qoftë se nuk ekziston një popull që ka nevojë për shtetin e vet kombëtar dhe nëse ky popull nuk ka luftuar për të krijuar shtetin e vet të pavarur. Ato vetëm kanë në dorë ta njohin ose ta vonojnë apo ta pengojnë krimijin e një shteti të pavarur.

Siç dihet, gjatë shekullit XIX në kohën e Europës së dinastive, të paktën që nga Kongresi i Vjenës (1815), fatin e kombeve dhe të shteteve të vegjël e morën në dorë Fuqitë e Mëdha të kontinentit, të cilat në vendimet që ato merrnin, mbështeteshin, jo në parimet, por në interesat e tyre politike, strategjike, ekonomike ideologjike. Këtë të drejtë e kanë përdorur dhe shpërdorur vazhdimisht në Evropën Juglindore herë në fitim e herë në dëm të kombeve të shtypura. Dihet se Revolucioni Çlirimtar grek u shtyp nga Porta Osmane më 1825 . Megjithatë, Fuqitë e Mëdha e detyruan Portën e Lartë që ta njihte pavarësinë e Greqisë. Po ashtu, ato e detyruan Portën e Lartë të njihte autonominë e Serbisë, Vllahisë, Moldavisë, Malit të Zi, ndonëse këto vetë nuk ishin në gjendje ta shtrëngonin Perandorinë Osmane që t’u njihte të drejtat e tyre kombëtare. Po ashtu, në Kongresin e Berlinit(1878), me kërkesën e Rusisë , Fuqitë e Mëdha e detyruan Portën e Lartë të njihte autonominë e Bullgarisë, ndonëse vetë bullgarët nuk qenë në gjendje që vetë të fitonin të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi Fuqitë e Mëdha nuk i morën asnjëherë në konsideratë kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve, të shoqëruara kurdoherë me kryengritje të armatosura, për autononminë e atdheut të tyre. Madje, më 1881, kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në përleshje të armatosur me Perandorinë Osmane për të shkëputur autonominë e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha mbajtën anën e Portës së Lartë. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit për tridhjet vjet me radhë, shqiptarët nuk reshtën së kërkuari autonominë  e atdheut të tyre. Por, Fuqitë e Mëdha u treguan  vazhdimisht (njerkë) për ta, deri edhe përballë kërkesës së tyre për një autonomi të thjeshtë administrative-kultorore. Dëshmia e fundit se Pavarësia e Shqipërisë qe vepër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912 dhe pastaj shpallja e saj në Kuvendin e Vlorës me nismën e vetë shqiptarëve, thekson ndër të tjera Profesor Kristo Frashëri.

Lexo edhe :  Tiranë- Durrës, një garë breshkash

Proçesi i shndërrimit i vendimit për një Shqipëri Autonome, që mori Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 17 dhjetor 1912, në vendimin për një Shqipëri të Pavarur, që mori ajo konferencë më 29 korrik 1913, është një dëshmi më tepër e rolit aktiv që luajti, siç u pa , vullneti i kombit shqiptar. Madje, jo Pavarësi e “mbikëqyrur” që vendosi Konferenca e Ambasadorëve më 29 Korrik 1913, por Pavarësia e plotë që shpalli Kuvendi i Vlorës më 28 Nëntor 1912, tregon se vullneti kombëtar i shqiptarëve ishte më i përparuar se vendimi i Fuqive të Mëdha. Megjithatë, vendimi i 29 Korikut të vitit 1913, pavarësisht nga “kontrolli” apo “mbikëqyrja” që morën përsipër të ushtronin Fuqitë e Mëdha , shënonte një fitore historike, mbasi me të Shqipëria u pajis me statusin e një shteti më vete, pa asnjë lidhje me Perandorinë Osmane. Me të u realizua kështu ndonëse pjesërisht, programi madhor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me vendimin që Kuvendi i Vlorës mori për krijimin e shtetit të ri shqiptar, me karakter laik, me të drejta të barabara për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia krahinore, shoqërore, fetare, etnike, parime këto që frymëzuan vazhdimisht Rilindjen Kombëtare. Shqipëria përvetësoi, që në çastin e lindjes, një identitet politik dhe juridik evropian. Themi pjesërisht sepse programi i plotë i Rilindjes Kombëtare parashikonte të përfshinte në kufijtë e Shqipërisë të gjitha trojet etnike shqiptare. Në fakt, Kuvendi i Vlorës, jo vetëm për nga pjesëmarrja e delegatëve që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare, por edhe nga vullneti i shprehur prej tyre, synonte të përfshinte në kufijtë e tij poltikë të gjitha trojet etnike shqiptare. Por në lidhje me problemin jetik të kufijve, qarqet qeveritare shqiptare i patën në ato muaj duart e lidhura nga dy faktorë, shkruan ndër të tjera Profesor Frashëri. E para, e drejta që sulltani u kishte dhënë Fuqive të mëdha për t’i caktuar ato vetë kufijtë e Shqipërisë, pa përfillur parimin plebishitit popullor, pra pa pyetur fare popullsinë që banonte në ato vise, ia kishte hequr Qeverisë së Vlorës të drejtën që të merrte pjesë në zgjidhjen e problemit të kufijve. Në bazë të kësaj të drejte Fuqitë e Mëdha zbatuan, siç ishte në praktikën e pazarllëqeve. E dyta, Shqipëria e sapolindur si shtet i pavarur i pati që në fillim këllqet e këputura. Pushtimi i vendit nga ushtritë ballkanike, të cilat kërkonin të shkëputnin sa më tepër troje shqiptare në favor të tyre, ndërhyrjet e disa Fuqive të Mëdha për ta dobësuar autoritetin e qeverisë së Vlorës me qëllim që ajo t’i nënshtrohej vullnetit të tyre; prirjet e disa krerëve feudalë apo patriarkalë krahinorë për të krijuar pushtete kantonale në vise të ndryshme të atdheut; kufizimi i autoritetit të Qeverisë së Ismail Qemalit vetëm në një pjesë të vogël të territorit shqiptar; në fund mungesa e mjeteve të Qeverisë së Vlorës për të krijuar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë një administratë shtetërore në gjendje për të qeverisur vendin dhe të gjitha këto së bashku e dobësuan Qeverinë e Ismail Qemalit; pra në pamundësi për të shprehur vullnetin e vet në zgjidhjen e çështjes jetike të kufijve të Shqipërisë. Në këto rrethana Fuqitë e Mëdha i caktuan kufijtë e Shqipërisë ashtu siç deshën vetë. Më tepër se gjysma e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë, në pjesën më të madhe nën zgjedhën serbe, në një masë më të vogël nën zgjedhën greke e malazeze. Jashtë Shqipërisë mbeti Kosova, e cila kishte luftuar aq shumë për lirinë e atdheut. Dobësia e shtetit shqiptar arriti deri në atë pikë, sa Shqipëria më 1913 i humbi edhe ato vise që Lidhja e Prizërenit i kishte shpëtuar me sukses më 1878-1881 nga aneksimi serb (Kosovën), malazez (Plavë e Gucinë,Hotin dhe Grudën), grek (Çamërinë). Në këtë mënyrë Konferenca e Ambasadorëve shkeli jo vetëm vendimin e Kuvendit të Vlorës, lidhur me sovranitetin kombëtar, por edhe me integritetin tokësor të kombit shqiptar.

Të fundit

Dallimet mes fëmijëve që lexojnë në letër dhe atyre që lexojnë në ekrane digjitale

Në një kohë dhe epokë ku gjithçka po shkon drejt digjitalizimit, studuesit kanë vendosur të kuptojnë si ndikon leximi...

Ndryshon paga për disa kategori/ Sa do jetë rritja për mjekët, infermierët dhe mësuesit

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Vendimi “Për miratimin e...

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve ka qenë 5.6 e shkallës...

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë të ftohta, minuta të tëra...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

Lajme të tjera

Web TV