Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka nuk është penduar për njoftimin e pak javëve me parë, ku bëri të ditur se ambasadorja amerikane Yuri Kim po largohej. dhe pse ishte në kufijtë e një skandali diplomatik, për ministren ishte diçka e rëndomtë.
Sipas saj, MEPJ thjesht njoftoi afatet dhe nuk ka asnjë problem në këtë aspekt. “Unë besoj se nuk kërkon shkencë për ta ditur se kur fillon dhe mbaron mandati i një ambasadori, për cilindo dhe aq më tepër për ambasadorin e SHBA që ka interes. Ai njoftim edhe mund të mos ishte bërë dhe i mirëkuptoj ata që thonë se nuk duhet ta kishim bërë. Nuk kemi thënë asgjë më shumë sesa u tha në media edhe përpara se ky informacion të bëhej i ditur. Ky informacion ishte në ministri prej shumë kohësh dhe ne e bëmë të njohur kur kaloi përtej ministrisë. Pasi MEPJ ka rolin duke dhënë dakordësi kur këto procese ndodhin. Kur ky informacion ka shkuar në institucione të tjera, ka kaluar përtej MEPJ te ne kanë filluar telefonatat dhe kërkesa për informacion dhe kanë nisur teori komploti dhe lobimesh. Dhe në këto kushte gjykuam se ishte vendi për t’ia prerë rrugën këtyre thashethemeve se nuk ishte diçka e jashtëzakonshme por e rëndomtë, se nuk do shumë mend se kur fillonte dhe mbaronte mandati i ambasadores. Dhe u gjykua që ky proces të mos bëhej me lobime kundër ambasadores, të thuhej se u konsumua një mandat dhe ka nisur procesi i zëvendësimit”, deklaroi ajo dy ditë më parë gjatë një konference për shtyp. Më tej ministrja u mundua të justifikohej se kjo erdhi për shkak të shpifjeve të bëra nga opozita. Sipas saj nuk pati asnjë koment mbi procedurat, por ishte për të ndalur thashethemet. Nuk dihet ende se për çfarë thashetheme flet ministrja, e cila nuk dha asnjë shpjegim.