VDEKJA E PLAKUT TË SHQIPËRISË ISMAIL QEMALIT ky është tituli i kapitullit të librit “ANTIKAT KOMBËTARE” shkruajtur nga Mihal Grameno
Nga Kastriot Kotoni
Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë anët e botës. Ky lajm ishte si rrufeja dhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se Shqipëria humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë pas Skënderbeut, humbi diplomatin e madh të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërmoi zinxhirat e robërisë, që ngriti flamurin e Skënderbeut dhe proklamoi vetëqeverimin e Shqipërisë. Mjerisht vdekja e pamëshirt na e rrëmbeu me nxitim kur atdheu kishte varur shpresat e mëdha në mendjen e shkëlqyer të Plakut dhe burrit të madh të Shqipërisë, Ismail Qemali. Po balta mundi të mbulojë trupin se … shpirti i Plakut të Shqipërisë kurrë nuk mund të vdesë, se ai rron dhe do të rrojë sa të jetë bota, duke i treguar brez pas brezi pritmjes shqiptare cili ishte Ismail Qemali dhe duke I këshilluar që të përpiqen si ai për idealin e shenjtë të programit kombëtar. Kudo që të kërkosh në historinë e Shqipërisë një përcaktim të tillë për Ismail Qemalin, siç shkruan patrioti Mihal Grameno në gazetën “Koha”, 1919, nr.134, do ishte ndoshta më i ndjerë e më i drejtë e më i qartë.
Djali i vogël i një prej familjeve më të dëgjuara të Vlorës, Ismail Qemali e kaloi fëmijërinë në Turqi e më pas u shkollua në Zosimenë e famshme të Janinës. Në këtë shkollë përvetësoi kulturën e gjerë evropiane , sidomos humanizmin antik greko-romak si dhe humanizmin modern. Mësoi disa gjuhë të huaja dhe i mëkuar me atdhedashurinë për atdheun , falë aftësive të tija u sistemua me punë në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane. Që në rini u bashkua me rilindasit e mëdhenj dhe mori pjesë në shoqëritë e para shqiptare të Stambollit, që vepronin në klandestinitet. Në këtë periudhë Perandoria Osmane ishte në degradim. Ajo kishte rritur tej mase tiraninë e saj, dhe kishte një egërsi të paparë, sepse edhe gjendja e keqe ekonomike kishte arritur kulmin. Lëvizja liberale lindi dhe u gjallërua edhe në Turqi. Një nga figurat e kësaj lëvizjejeje ishte edhe Ismail Qemali, mik i Mithat Pashaiit, kreu i liberalizmit turk. Ismail Qemali e kish këshilluar vetë Sulltanin, si njeri me autoritet që ishte, se Perondoria duhej të dilte nga muzgu mesjetar, të oksidentalizohej dhe të merrte drejtimin nga Evropa, çka ishte pozitive. Por Sulltani ishte zhytur në gjumin e thellë të orientit bashkë me kastën e tij të zvetnuar. Ismail Qemali punoi në disa provinca të rëndësishme si qeveritar i lartë, si në Rumani, Bullgari, Zonën e Danubit dhe në Liban. Kudo që shkoi përçoi vetëm sensin e zhvillimit të këtyre krahinave. Epopeja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte paralajmërimi se popujt kishin dëshirë për progres kombëtar dhe ishin të bindur se vetëm me luftë çlirimtare mund të fitohej liria dhe mbrojtja e tërësisë tokësore që kërcënohej nga fqinjët ballkanikë dhe Fuqitë e Mëdha. Kësaj platforme për autonominë politike dhe administrative, që një hap e ndante nga pavarësia i përmbahej edhe Ismail Qemali i cli me shokë e tjerë u ra shorti që ta vënë në jetë. Më 1900, patrioti vendosi të shkëpusi lidhjet me Portën e Lartë e ti përkushtohet me të gjitha energjitë çlirimit të mëmëdheut. Mori kontakte me politikanë të Evropës dhe të Ballkanit për të tatuar pulsin dhe për të përfituar ndonjë përkrahje. Por kujdesin më të madh ia kushtoi lidhjes me patriotët e diasporës dhe organizimit të tyre, si me ata të Italisë, Greqisë, Egjyptit, Rumanisë, Bullgarisë dhe Amerikës. Në këtë mision u ndihmua nga patrioti ynë intelektual Faik Konica i cili me revistën shqiptare “Albania” të Brukselit sensibilizoi opinionin publik evropian. Një ndihmesë të madhe dhanë shqiptarët e kolonive, ndërsa më pas iu gjetën pranë në çdo situatë Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini. Në këtë luftë që pati jo vetëm miq dhe armiq, disa edhe të trashë që nuk merrnin vesh nga politika filluan të shpifnin se Ismail Qemali u shit tek të huajt. Përpara se të arrihej në Kuvendin e Vlorës, Ismail Qemali me shokë bënë një nga maratonat e fundit e cila filloi qysh nga Stambolli, Vjena e Trieste, Nicë Bukuresht e përfundoi në Durrës dhe Vlorë. U munduan të siguronin mbështetje e të huajve për aktin e shpalljes së pavarësisë, sidomos të Romës dhe të Vjenës.
Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar në Shqipëri u prit me një entuziazëm të madh, terreni ishte përgatitur qysh më parë nga rrethet patriotike brenda vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje midis tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar. Kalendari i ngjarjeve të grupit të kryesuar nga Ismail Qemali fillon më datën 21 nëntor dhe arritën në Durrës dhe më datën 25 nëntor mbërritën në Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, – shkruan I.Qemali në kujtimet e tij, -kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entusiazëm dhe gëzim”. Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet patriotike të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Puna e parë e udhëheqësit patriot ishte organizimi i forcave të armatosura. Elabasani shpalli i pari pavarësinë më 25 nëntor e më pas Durrësi e Tirana, Kavaja e Peqini dhe Lushnja. Gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më kritike për shkak të përparimit të ushtrive serbe. Kjo ishte dhe arësyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë ndonëse nuk kishim arritur akoma përfaqësuesit e disa krahinave , vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar. Më 28 nëntor 1912, në orën 14 u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar, në të cilin merrnin pjesë vetëm 37 delegatë. Kuvendi zgjodhi kryetar Ismail Qemalin, i cili foli mbi të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin otoman dhe mbi luftrat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuar nga lufta ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Qysh ditën e parë të pavarësisë së Shqipërisë dhe të zgjedhjes së tij si kryetar i qeverisë së përkohshme Ismail Qemali zhvilloi një veprimtari të dendur politike dhe diplomatike. Ai i njoftoi shpalljen e pavarsisë fuqive të mëdha dhe shteteve ndërluftuese dhe kërkoi prej tyre ta njihnin ndryshimin në jetën politike të kombit shqiptar. Në telegramin drejtuar fuqive të mëdha thuhej ndër të tjera : “Shqpëtarët që kanë hyrë në familjen e popujve të Evropës Lindore, prej të cilëve krenohen se janë më i vjetri, ndjekin vetëm një qëllim: të rrojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike dhe të bëhen një element ekuilibri”. Është merita e patriotëve shqiptarë dhe largpamësia e tyre në mënyrë të veçantë e patriotit të shquar Ismail Qemali i cili u mbështet në luftën popullore të popullit shqiptar për çlirim kombëtar, zgjodhën momentin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma politike në lëvizjen për autonominë në atë për pavarësinë. Vendimi historik i kuvendit të Vlorës i shpallur më 28 nëntor ishte jo vetëm kundër fuqive të mëdha të Antantës dhe të monarkive fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria dhe Italia, si të interesuara për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit dhe “pavarësinë” e saj, që e konsideronin një variant të mundshëm të zgjidhjes shqiptare, e kuptonin nën prizmin e interesave të tyre. Kjo ishte arsyeja që qysh në nisjen e tij shteti i ri shqiptar të ishte një krijesë sa më e dobët, i pa konsoliduar mes shteteve të pavarura të Evropës, ndaj qeverisë të Isamil Qemali iu desh të bënte një luftë për jetë a vdekje për të ruajtur egzistencën e tij. 28 nëntori ishte një etapë e re në historinë e Shqipërisë. Etapën e një lufte për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë dhe për vendosjen e një rendi demokratik. Megjithëse Fuqitë e Mëdha nuk deshën ta njihnin Qeverinë e Ismail Qemalit si autritet kombëtar dhe për këtë arësye nuk i kthyen përgjigje telegrameve të tija. Në mesazhet e 28 nëntorit 1912, drejtuar Fuqive të Mëdha dhe aleatëve ballkanikë, I.Qemali u deklaronte atyre asnjanësinë e Qeverisë së Vlorës në konfliktin ballkanik. Ismail Qemali me qeverinë e tij ia njohën vetes me vetëdije të plotë atributet e pushtetit më të lartë qendror. Kjo duket në letërkëmbimin e tij me bashkitë, me komunat dhe me krerët e parive të vendit, si edhe marrëdhëniet e tjera hirarkike që shpreheshin nëpërmjet vendimeve, urdhëresave, udhëzimeve etj, që ajo dërgonte. Ismail Qemali orintohej nga modelet evropiane të organizimit të shtetit. Sipas tij “në qoftë se Shqipëria nuk do të tregohet karshi Evropës e zonja të jetojë si një shtet perëndimor, ajo nuk do të mund të mbahet në këmbë në Gadishullin e Ballkanit”. “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj,- bënte thirrje Ismail Qemali duhet të bashkohemi e ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit e të përparimit, duke i treguar Evropës se shqiptari ka mbetur përherë evropian në gjak dhe se nuk dëshiron tjetër veçse të formojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet. Qeveria e Ismail Qemalit mbajti ndezur thënien e Rilindasve për të vënë përpara kombin përpara fesë, duke i trajtuar sa më drejtë marrëdhëniet e kombit me fenë. Traditat e mira të bashkëjetesës dhe mirkuptimit midis feve të ndryshme në Shqipëri janë një armë kundër fuqive të huaja që mbjellin përçarje. Në kushtet kur Esat pashë Toptani, ambicioz për pushtet politik, herë shfaqej si turkofil kur i ankohej ministrit turk të Luftës “për shpifjet e shtypit ndaj tij,.. por që s’mund t’I prishnin ndjenjat e tij islamike”, ndërsa duke e dorëzuar në mënyrë të turpshme, Shkodrën serbo-malazezëve ai u shfaq edhe si sllavofil. Ismail Qemali i prirur nga fryma e bashkimit i zgjati dorën duke emëruar në qeveri në postin e ministrit të Brendshëm. Por Esati do ta shfrytëzonte këtë emërim për të marr revanshin fill pas vendimit të Konferencës së Londrës në korrik të vitit 1913, i cili Qeverinë e Vlorës nuk e njihte si të përhershme dhe se Fuqitë e Mëdha do të dërgonin në Shqipëri një Komision Ndërkombëtar që do të kontrollonte veprimtarinë administrative. Ky vendim krijoi një pasiguri dhe anarki, duke tronditur besimin e njerëzve tek Qeveria. Esat pashë Toptani e shfrytëzoi këtë rast duke i propozuar Isa Boletinit që të braktiste nga qeverinë e nga ana tjetër e kërcënonte atë për ta përzënë nga Shqipëria. Esati u bë rrezik serioz për Shqipërinë aq sa është stigmatizuar si “princi I gjurulldisë shqiptare”.
Diplomati Renz Falaschi i martuar me zonjën Nermin Vlora në librin e tij kushtuar figurës së Ismail Qemal bej Vlorës në dokumentat italiane ndër të tjera thekson: Të duash të ilustrosh gjeninë diplomatike të Ismail Qemal Vlorës, do të thotë të pasqyrosh gjithë jetën e tij. Sepse, në të vërtetë, asnjë nga veprimet e tij nuk ka të përjashtuar aspektin diplomatik, qoftë kur ishte në shërbim të Perandorisë Osmane , qoftë kur luftonte për pavarësinë e vendit të tij. Mjaft mirë e përcaktoi ai vetveten kur, gjatë një interviste të botuar nga “Giornale d’Italia” ( Gazeta e Italisë) më 25 qershor 1909 deklaron: “ ajo që është më e shenjtë, është pastërtia e bindjeve të mia liberale dhe e ndjenjave për lirinë”. Gjenia politike e Ismail Qemalit përmblidhet e gjitha në një nga dokumentet e fundit që shkroi para se të vdiste. Është fjala për një memorandum drejtuar kryeministrit Italian Vittorio Emanueli Orlando, që po nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ja këtu, më poshtë një tekst që zbulon një aftësi diplomatike dhe një dashuri të madhe për atdheun. Në të shprehet hidhërimi për pamundësinë për të folur me Orlandon dhe, duke shërbyer nga ky episod, nënvizohet shpresa për mbështetje të vleshme në favor të Shqipërisë., si dhe pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Paqes dhe, së fundi argumentohet e drejta historike dhe etnografike e Shqipërisë për pretendimet e saj. “Përveç ndjenjave të mia të admirimit personal, cilësisë sime të përfaqësuesit të idealeve shqiptare, realizimit tët të cilave i kam kushtuar gjithë jetën time, ndjej për detyrë t’ia besoj shpresat e mia për lirinë e vendit tim mbështetjes dhe kujdesit të madh të Italisë, martirizimi i gjatë i së cilës përgjatë historisë së saj të lavdishme ka qenë po aq i madh dhe fitorja e luftërave të saj mbinjerëzore u ka siguruar përgjithmonë lirinë popujve të shtypur. Duke qënë ngarkuar më anë të një akti formal nga komuniteti shqiptar i Amerikës me cilësinë e delegatit në mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe pretendimeve të saja territoriale në Konferencën e Paqes dhe duke përfituar nga ftesa e mirësjellshme që m’u komunikua nga ambasada italiane në Madrid, pasi u njoftova me ata që më dërguan dhe u rekomandova atyre besim të plotë , shpejtova të nisem për Romë, me qëllim që të vihem në dispozicion të Qeverisë Italiane dhe të përcaktojmë qëndrimin tonë në përputhje me planet e saja të larta. Në Romë i thanë se kryeministri dhe ministri i jashtëm nuk ndodheshin në qytet. Më tej shton Renzo Falaschi, më 22 janar të vitit 1919, ja çfarë do të shkruante Ismail Qemali “sot është dita vendimtare për Shqipërinë: do të rilindim ose do të vdesim”. Por fati i keq e këputi befasisht jetën e mrekullueshme dhe intensive të patriotit të madh, në varfëri absolute dhe larg nga kombi të cilit i kishte kthyer dinjitetin e pavarësisë. Ai e kuptoi se kjo ishte një dredhi dhe nuk u mbajt dot dhe bërtiti “Më hëngrën me të pabesë”. Zemërimi iu mblodh si një lëmsh në fyt e i zuri frymën. Kish një konferencë me gazetarët, por nuk arriti as ta fillonte e as ta mbaronte, sepse iu mor goja dhe nuk i lidhte dot fjalët. E tërhoqën në një dhomë tjetër dhe aty e mbyti shkuma e të vjellët, pastaj zemra e tij pushoi përjetë nga apopleksia më 24 janar të vitit 1919. Kufomën e tij e prunë në Vlorën e pushtuar nga italianët dhe i vetmi flamur kombëtar ishte ai që mbulonte arkivolin e tij. Në fillim e varrosën në Kaninë në vendlindjen e tij të dashur , pastaj në periudhën e mbretit Zog eshtrat e tij u transferuan në Sheshin e Flamurit. Sot në 104 vjetorin e vdekjes së këtij patrioti të madh shqiptarët mund të duken më afër se kurrë pranë ëndrrës së atyre që firmosën aktin e pavarësisë, atë projekt që ende vazhdon u takon brezave që ta shpejtojnë.