Një vit pas luftës, Kurti letër Zelenskyt: Jemi popuj që ngjajmë shumë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të njëvjetorit të rezistencës së Ukrainës nga pushtimi rus, i ka dërguar një letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke shprehur përmes saj solidaritetin e tij.

“Në komunikimet e përditshme mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij”, ka nisur letrën për presidentin Zelenskyy, kryeministri Kurti.

Ne, vazhdon më tej ai, jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Kryeministri shtoi se edhe pse gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme.

Kryeministri kujtoi rezistencën tonë të para 23 viteve dhe se si 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë.

Ai shtoi se në Ukrainë po luftohet për të mbrojtur demokracinë, integritetin territorial, të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtën e një populli dhe sovranitetin e një shteti.

Përmes kësaj letre, kryeministri ka shprehur mbështetjen e plotë të shtetit dhe popullit dhe i ka uruar presidentit ukrainas një fitore vendimtare.

Letra e plotë e kryeministrit Kurti drejtuar presidentin të Ukrainës, Zelenskyy:

I nderuar z. President,

Në komunikimet e përditshmme në mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij.

Z. President, ju jeni në luftë, një luftë rezistence për Ukrainën, për Evropën dhe për demokracinë. Ju mbani shkallën më të lartë të historisë të së ardhmes dhe sakrificës së popullit. Nuk mund t’ju urojmë më shumë në rrafshin e ndërgjegjes morale dhe politike se ajo që ju po bëni tashmë prej një viti. Ju e keni mishëruar popullin tuaj dhe ndjenjën e tij të lirisë.

Nga zemrat tona ne ju shprehim simpatinë tonë më të thellë dhe empatinë tonë më të sinqertë. Ne jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Edhe pse jemi gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme. Në këtë ngjashmëri historike rrugët tona kryqëzohen.

Lexo edhe :  Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë 150 robër lufte

Para 23 vitesh ne bëmë rezistencën tonë dhe NATO na ndihmoi për të mbyllur ciklin gjenocidal të Serbisë. 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë. Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATO-s, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne.

Ju po luftoni për të mbrojtur demokracinë, integritetin territorial, të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtën e një populli dhe sovranitetin e një shteti. Këto vlera janë po ashtu në rrezik në rajonin tonë: Aleati kryesor i Rusisë në Ballkan, fqinja jonë veri-verilindore Serbia, mban ende një dëshirë të mbuluar hollë për të minuar sovranitetin tonë dhe për të marrë shtëpitë tona. Prandaj, në një kuptim shumë real, qëllimi juaj është qëllimi ynë; beteja juaj është beteja jonë.

I nderuar z. President, ju keni mbështetjen e plotë të shtetit dhe popullit të Kosovës. Nga gazetarët ukrainas që kemi strehuar në Kosovë, ne jemi informuar edhe më mirë për realitetin e përditshme në vendin tuaj. Historitë e guximit dhe sakrificës së ushtarëve, përkushtimit të tyre ndaj vendit dhe kauzës, të cilat i kanë mposhtur shanset kundër tyre dhe kanë frymëzuar botën — historitë e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së njerëzve përballë pushtimit brutal — kanë mobilizuar botën e lirë për t’i bërë ballë agresionit të Rusisë.

I nderuar z. Zelenskyy, me respektin më të lartë për ju dhe popullin ukrainas, ne ju urojmë një fitore vendimtare. Ne do të jemi me ju për rindërtimin e qyteteve tuaja, kthimin e njerëzve tuaj, rehabilitimin mendor dhe fizik të shoqërisë suaj dhe anëtarësimin tuaj sa më të shpejtë në NATO dhe në BE.

Lavdi Ukrainës,

Slava Ukraini!

Të fundit

‘Palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen’/ Trump zbulon planin e tij për Gazën

Presidenti Donald Trump deklaroi se palestinezët në Gazë nuk do të kenë të drejtën e kthimit sipas planit të...

Një milion dollarë për të deshifruar shkrimin enigmatik të Luginës së Indus

Një milion dollarë do të shpërblehen për këdo që mund të zgjidhë enigmën e shkrimit të Luginës së Indus, një nga misteret më të mëdha...

Richard Gere e quan Trump një njeri bullizues: Jemi në një vend shumë të errët në Amerikë

Ndërsa pranoi një çmim për arritje të jetës në Çmimet Goya në Spanjë, Richard Gere shfrytëzoi rastin për të shprehur shqetësimet e tij për...

‘Një martesë, një divorc, një funeral’/Komedia satirike premiere në Korçë

‘Një martesë, një divorc, një funeral’ është komedia satirike që u shfaq për 5 netë radhazi në sallën e tejmbushur të Teatrit të Korçës. Me...

Përparësitë e kopshteve vertikale nuk janë vetëm estetike, ato ulin temperaturën në qytet

Kopshtet vertikale janë një risi (relative) vitet e fundit, ato po shfaqen gjithnjë e më shpesh në lagjet e qytetit tonë dhe ata që...

Lajme të tjera

Web TV