Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi dje në lidhje me akuzat që u janë drejtuar nga “Grupimi Berisha” tre Gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit. Ata i kanë konsideruar të paprapnueshme dhe tentativë për vetëgjyqësi. Gjykata e Apelit vendosi të zhbëjë vendimin që njihte Berishën si kryetar të PD-së, duke ia kaluar vulën dhe logon “kryetarit të komanduar” Enkelejd Alibeaj.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar për etiketimet dhe deklaratat e personave publikë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike. Në një reagim zyrtar, KLGJ nuk specifikon personat që kanë përdorur etiketime dhe kanë shprehur pakënaqësi ndaj gjyqtarëve, por shton se gjuha e urrejtjes është shqetësuese. KLGJ i konsideron thirrjet publike ndaj gjyqtarëve kundër rendit kushtetues. Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se i bëri presion gjykatës në ditët e fundit përpara se ajo të vendosë për vulën e PD-së. “Po bën ndërhyrjet e fundit armiqësore ndaj PD-së në gjykatë. Por unë i them, se absolutisht ndaj çdo vendimi tënd, faturën do e paguash vetëm ti si kryeministër, si krim-ministër, qeveria jote. Ne nuk shuhemi, ne jemi forcë politike e pamposhtur. Ne e faktuam këtë”, tha Berisha para se vendimi të publikohej. Po ashtu ai akuzoi qeverinë se ka përgatitur vendimin, pas leximit të saj. “Në diskutimet e bëra në kryesi dhe grupe më të ngushta është arritur në përfundimin se vendimi i Apelit është një histori turpi që nuk mund të pranohet kurrë, ndaj dhe sapo të zbardhet në do të bëjmë rekurs, në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe në gjykatat Europiane të të drejtave të njeriut. Do të bëjë rekurs sepse që nga Roma antike e deri më sot, ku ka sunduar ligji kurrë nuk është bërë palë në një gjyq, ai që nuk ka qenë palë dhe së fundmi ai që në sallën e gjyqit deklaroi se nuk ishte palë. Palë pra ishte Edi Rama me Edlira Kokonën që e kishte përdorur si postiere për letrat dhe këto, e cila ka rekorde të vërteta mafioze, të një njeriu të korruptuar, të kapur me dosje të rënda kur ka qenë në poste të tjera, ndaj dhe ajo tregohet e prirur të kryejë çdo mision”, tha Berisha.
Reagimi i KLGJ
Pesë ditë pas dhënies së vendimi nga Gjykata e Apelit ka reaguar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj një vendimi të dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. “Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Gjuha e urrejtjes kundër gjyqtarëve është shqetësuese dhe e papranueshme. Thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës”, thuhet në deklaratë. Në reagimin e saj, gjykata thotë se aludimet për “kapje” të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor. “Liria e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk mbron në asnjë rast gjuhën e urrejtjes apo thirrjet për dhunë. Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit. Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit”, thuhet në reagimin e institucionit më të lartë gjyqësor.