Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhër-arrest për Putinin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte. Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës. Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”. “Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Penale Ndërkombëtare në deklaratën e lëshuar më 17 mars. Me këtë urdhër-arrest, Putin bëhet kreu i tretë në botë, që gjatë kohës në pushtet, është përballur me urdhër-arrest ndërkombëtar nga tribunave për krime lufte, së bashku me liderin sudanez, Omar al-Bashir dhe atë të Libisë, Muammar Gaddafi.

“Vendim historik për Ukrainën”

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, është vendim “historik”. “Tash e tutje, presidenti rus ka status zyrtar të të dyshuarit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar”, tha ai përmes një deklarate. “Ky është vendim historik për Ukrainën dhe për gjithë sistemin e ligjit ndërkombëtar”. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se drejtësia ka nisur të funksionojë, teksa mirëpriti vendimin për urdhër-arrestet. “Kriminelët ndërkombëtarë duhet të mbahen përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve dhe krimeve të tjera ndërkombëtare”, shkroi ai në Twitter.

Rusia: Urdhër-arresti ndaj Putinit, vendim skandaloz

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi “skandaloz” vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit. “Vetë çështja e ngritur [nga gjykata në Hagë] është skandaloze dhe e papranueshme. Rusia, së bashku me disa shtete të tjera, nuk e njeh juridiksionin e asaj gjykata, prandaj çdo vendim i këtij lloji për Rusinë nuk vlen nga aspekti ligjor”. Ai nuk pranoi më shumë pyetje nga gazetarët për këtë çështje. Ndërkaq, duke u përgjigjur lidhur me urdhër-arrestin ndaj Putinit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se ky urdhër-arrest “nuk ka kurrfarë rëndësie”. “Vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për shtetin tonë, përfshirë edhe nga aspekti ligjor”, tha Maria Zakharova përmes një postimi në Telegram. “Rusia nuk është palë e Statusit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë obligim sipas këtij statusi. Rusia nuk bashkëpunon me këtë trup, dhe ‘recetat’ e mundshme për arrestime që vijnë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ligjërisht do të jenë të pavlefshme për ne”. As Rusia, e as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kievi, megjithatë, i ka dhënë juridiksioni kësaj gjykate që të ndjekë krimet e kryera në territorin e saj që kur Moska nisi pushtimin vitin e kaluar. Gjykata Penale Ndërkombëtare, e përbërë nga 123 anëtarë, nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar urdhër-arrestet, por varet nga shtetet anëtare që të arrestojnë të dyshuarit për t’i sjellë më pas për gjykim në Hagë. Përderisa urdhër-arresti ka të ngjarë të dobësojë statusin e Putinit në qarqet ndërkombëtare, është ende e paqartë se si do të ekzekutohet urdhri kundër tij. “Ky është një moment i rëndësishëm në procesin e drejtësisë para Gjykatës… teksa gjyqtarët lëshojnë urdhër-arreste, ekzekutimi i tyre varet nga bashkëpunimi ndërkombëtar”, tha presidenti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjykatësi Piotr Hofmanski. Pavarësisht dëshmive të shumta, Rusia vazhdimisht ka mohuar se ka kryer mizori që kur ka nisur pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Lvova-Belova, që është komisionare presidenciale për të drejtat e fëmijëve, besohet se ka punuar drejtpërdrejt nën urdhrin e Putinit dhe sipas zyrtarëve amerikanë, ajo ka mbikëqyrur dëbimin e “mijëra” fëmijëve ukrainas për në Rusi. “Përpjekjet e Lvova-Belova, veçmas përfshijnë birësimin e detyruar të fëmijëve ukrainas në familjet ruse, të ashtuquajturin ‘edukim patriotik’ të fëmijëve ukrainas, ndryshimeve legjislative për të përshpejtuar dhënien e shtetësisë ruse për fëmijët ukrainas dhe largimin e qëllimshëm të fëmijëve ukrainas nga forcat e Rusisë”, tha Departamenti amerikan i Shtetit më 15 shtator të vitit të kaluar, kur e vendosi Lvova-Belova në listën e sanksioneve amerikane. Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, që ka dokumentuar transferimin e civilëve ukrainas dhe i ka cilësuar këto veprime si “shkelje serioze të ligjeve të luftës që përbëjnë krime lufte dhe potencialisht krime kundër njerëzimit”, tha se urdhër-arresti ndaj Putinit “është hapi i parë për t’i dhënë fund mosndëshkimit që ka inkurajuar për një kohë të gjatë bartësit e luftës ruse kundër Ukrainës”. “Urdhër-arrestet dërgojnë mesazh të qartë se dhënia e urdhrave për të kryer apo tolerimi i krimeve serioze kundër civilëve mund të çojë në burgjet në Hagë. Urdhër-arrestet janë kambanë zgjimi për të tjerët që kanë kryer shkelje apo i kanë fshehur ato, se dita e tyre që të dalin para gjykatës mund të vije, pavarësisht pozitës apo rangut ushtarak që kanë”, tha Balkees Jarrah, drejtoreshë për drejtësi ndërkombëtare në HRW.

Lexo edhe :  “Lufta mbaroi!”, Donald Trump njofton marrëveshjen e fundit Iran-Izrael

Një “gjyq i Nyrembergut” për Putinin?

Gjykata Penale Ndërkombëtare tha se përderisa urdhër-arrestet zakonisht konsiderohen sekrete me qëllim që të mbrojnë viktimat dhe dëshmitarët dhe të mbrojnë hetimet, fakti që krimet po vazhdojnë, e shtyn atë të publikonte lajmin pasi “urdhër-arrestet mund të kontribuojnë në parandalimin e kryerjes së mëtejme të këtyre krimeve”.

 

 

Të fundit

Ku është uraniumi i Iranit? Inteligjenca europiane: Mori masat para sulmit

Të tjera fakte kanë dalë në dritë për fatin e uraniumit të Iranit. Rezervat e uraniumit të pasuruar në...

“Ndoshta ka konflikt”, trupat gjermane do të vijojnë në Kosovë

Bundestagu gjerman vendosi në lexim të dytë të vazhdojë pjesëmarrjen e trupave gjermanë në misionin e NATO-s në Kosovë, si pjesë e KFOR. Njoftimin...

Liderët e BE-së kërkesë Komisionit Evropian: Duhet koherencë me NATO-n

Një ditë pas samitit të NATO-s, ku vendet anëtare miratuan deklaratën e përbashkët për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të...

Kuvendi miraton propozimin e Fidel Yllit për sportin, PD: Ndërhyrje politike

Parlamenti miratoi sot disa ndryshime në ligjin “Për Sportin”, një projektligj i propozuar nga kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli, që ka ngjallur reagime të...

Dash Sula del kundër PD: Njëri rri jashtë, tjetri pi kafe! I fusin një të qeshur…

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka shprehur sërish rezervat dhe pakënaqësitë e tija ndaj kolegëve demokratë. Sipas Sulës, opozita është e “çorientuar” dhe...

Lajme të tjera

Web TV