Sali Berisha dhe Ilir Meta po bëjnë fushatë me axhendë të ndryshme edhe pse kandidatët për kryetar bashkie i kanë të njëjtë. Të dy nuk janë parë asnjë herë. Po dje Erion Veliaj ka prezantuar Këshillin Bashkiak, ndërsa Taulant Balla ka prezantuar para fierakëve Armando Subashin.
Sali Berisha dhe Ilir Meta janë të dy të vendosur në një çadër politike, por secili bën fushatën e tij me kandidatë të njëjtë. Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk janë parë asnjëherë të jenë në takime elektorale së bashku, por kësaj nuk i dihet deri sa të shkojmë në zgjedhjet që do të mbahen në 14 Majit. E megjithë këtë Berisha dhe Meta synojnë të dy që të vijnë pas zgjedhjeve me kryetarët e tyre. Të dy mendojnë dhe janë të bindur se se bashkimi i forcave me njëri-tjetrin, do të jetë i suksesshëm dhe në fund 14 maji do të ndëshkojë Ramën dhe kryebashkiakët e tij. “Me 14 maj të gjithë e kemi në dorën tonë, duke votuar Aurelin ne votojmë ndryshimin. Votojmë ndryshimin i cili sot për çdo shqiptar, sot për Shqipërinë ka atë rëndësi që ka oksigjeni për njeriun, që ka ajri për zogun që të fluturojë. Ndaj dhe zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës tonë, nuk janë zgjedhje thjeshtë për qeverinë vendore. Jo janë zgjedhje për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është një rast historik për çdo shqiptar që të ngrihet në nivelin e misionarit dhe të votojë ndryshimin. E vërteta është se ndryshimi është në duart tuaja dhe pavarësisht nga shumë vërejtje që mund të keni për PD-në, për njërin apo tjetrin, ju garantoj se ata që ju krahasojnë ju, krahasojnë natën me ditën”, tha Berisha. Ndërsa Ilir Meta nga Shkodra tha se do të fitojë të gjitha bashkitë e këtij qarku. “Kjo situatë dramatike duhet të ndalet në 14 maj. Ata ju kanë halë në sy, Shkodra ka qenë e lirë në kohë të errëta jo më tani. Do të kishte falimentuar edhe bashkia e Shkodrës, po të kishte rënë në dorë të tyre, siç ka falimentuar bashkia e Kavajës, e Vorës”, tha Meta. Në mungesë të Edi Ramës, i cili ka premtuar se nuk do të zbresë në mitingje deri në gjysmë të fushatës, Berisha dhe Meta përgjigje morën nga të deleguarit e shefit të selisë rozë. Nga Tirana, ku prezantoi kandidatët për këshillat bashkiakë, drejtuesi politik i PS Erion Veliaj, tha se opozita kërkon votën për t’i hapur luftë perëndimit, “Qoftë largu’ apo ‘larg qofti’, quajeni si të doni, na thoshte na jepni votën që t’i hapim luftë Amerikës. Për të gjithë ata që janë të djathtë u bëj një thirrje: jo vetëm që ne nuk e braktisim detyrën, jo vetëm që nuk gënjejmë, me tram e me çudira të tjera”, tha Veliaj. Po ditën e djeshme kreu i Grupit Parlamentar i partisë Socialiste Taulant Balla ishte në Fier ku ju prezantoi fierakëve emrin e vjetër Armando subashin. Taulant Balla tha se përgjigjen më 14 maj, do ta marrë dyshja Berisha-Meta. “PS pret rezultate pozitive në Fier. Në Fier PD ka qeverisur edhe në bashki, dhe do na duhet punë e madhe për të gjitha ato pisllëqe që lanë pas. Do vazhdojmë të krijojmë hapësira publike. Transformimi i qytetit do të vijojë. Do vazhdojmë me të gjitha njësitë, sepse Fier mos të jetë thjesht me një qendër në qytet, por në çdo njësi. Kur mu besua Fieri, isha shumë me dëshirë, sepse nuk ka socialist që nuk do ta drejtojë të paktën njëherë Fierin, kryeqytetin e socialistëve”, tha Balla. Në mesin e betejës së parakohshme elektorale, i vetmi që nuk shfaqet është Enkelejd Alibeaj, i cili pasi shmangu garën në thuajse ¾ e vendit, premton edhe një fushatë të heshtur.