Nga Kastriot Kotoni
Duhet të ketë qenë viti 1971 kur në një pallat tek zona pas “Ekspozitës Shqipëria Sot”, në faqen e anësore të pallatit numër tre, shfaqeshin në bezen e tendosur e të bardhë filma të ndryshëm. Makina e kinamasë ishte kudo në Shqipëri dhe përçonte ideologjinë e shtetit në skajet më periferike të atdheut. Filmi që për herë të parë shikoja në ambjent të hapur ishte “Komisari i Dritës” prodhim i vitit 1966 i “Kinostudios Shqipëria e Re”, ku luanin aktorët e mirnjohur Rikard Larja, Roza Anagnosti, Ndrek Luca, Liza Vorfi, Mario Ashiku, Viktor Zhusti, Ndrek Prela e shumë të tjerë. Pikësëpari nuk do ta shtrij argumentin psikoanalitik të spektatorit dhe lexuesit të librit, sepse nuk është këtu rasti, por mbaj mend se efekti i filmit në kohë të ndryshme nuk ka ndryshuar asgjë deri para viteve 1992. A ishte skenari i mirë, si dhe regjia e hollë e Viktor Gjikës dhe Dhimitër Anagnostit, apo dhe loja e aktorëve po ashtu këtë nuk mund ta them? Siç dihet që kinemaja është art kolektiv duket se janë bërë bashkë shumë zëra. Këtu figura e heroit kryesor Dritanit të Shkabajve e luajtur me mjeshtri nga Rikard Larja del në pah qysh në minutat e para të filmit. Artist i merituar ishte konceptuar si një yll drite në mes të errësirës, ku me po aq mjeshtëri luanin personazhet negative aktorët e tjerë. Tek unë mbërriti mesazhi i vetëpërmbushjes si spektator e krijoj atë mumifikim të pavdekshëm që për fat këtë privilegj e ka vetëm arti. Se fundja e gjithë qënia njerëzore e zotëron pasurinë, pushtetin dhe pasurin e talentit të vetë në fuksion të pavdeksisë, ose memorizimit sa më të gjatë në mendjen njerëzore. Rikard Larja kishte fituar kinoprovën për këtë film në moshën 23 vjeçare, një vit pasi kishte përfunduar studimet e larta. Ai kishte ardhur nga Teatri “Migjeni” i qytetit të artit dhe të sportit, si ai i Shkodrës. Në këtë teatër, që ishte nga teatrot më me emër të Shqipërisë ai ishte gjendur mes artistitëve me të talentuar dhe me përvojë siç ishin Bep Siroka, Lec Bushati, Tano Banushi , Tinka Kurti,…Por djalit simpatik dhe tejet të talentuar si instrumentist ( vizarmoniçist), ishte i ftuar në të gjitha grupet muzikore të Shkodrës (ai ishte më i kërkuari). Dhe siç e shpjegon ai kohën e artë kur lulëzonte lëvizja artistike dhe sportive në rrethin e Shkodrës, thotë ndër të tjera -nuk kishte fëmij të moshës shkollore që nuk merrej me mësimin e një vegle muzikore në rrethet artistike të “Shtëpisë së pionierit”. Ky ambient ishte si të thuash humusi i talenteve të tjera që ka nxjerrë Shkodra në rrang kombëtar. Teatri “Migjeni” i asaj kohe ka qenë një shkollë për Rikardin në të gjitha kuptimet. Rikardit i buzëqesh fati dhe merr sërish një rol protogonisti si tek Skënderi në filmin “Duel i heshtur”. Roli i një marinari me profil tejet pozitiv psikologjik rrallherë i është bashkëngjitur figurës së personazhit një qenie kaq e përmbushur në kinomatografinë shqiptare. Në filmin “Rrugë të bardha” të realizuar në vitin 1974 me regjizor Viktor Gjikën dhe skenar të Vath Koreshit ai me rolin e Dedës si fillërojtës ka shpalosur talentin e përkushtuar dhe kontradiktën e njeriut të zakonshëm, i cili për hir të punës i duhet të gjendet në vorbullën e qytetit që varet nga një fije teli. Këtë hero e gjejmë në kinomatografinë botërore e vetë aktori nuk e pranoi absurdin paragjykues të steriotipit të “Lejfenit”në mediat e pas viteve 1991. Hollivudi ka filma të tërë me zjarrfiksit e me rojtarët e pyjeve dhe pa haruar me aviatorët dhe kapitenët e anijeve. Mevlan Shanaj aktorë dhe regjizor shprehet: Rikardi është pionieri i kinemasë moderne shqiptare. Ai u bë figura më komunikuese me shikuesit e shumtë shqiptarë.
Rikardi e ndihmojë fatin e tij në kinomatografinë shqiptare duke punuar me shumë pasion duke i shndëruar personazhet e tij në modele që kishin forcën për të ndrushuar të tashmen, dmth se besonte tek forca e kinemasë edhe nën peshën e çensurës. Në filmin “Ndërgjegja” dhe në filmin “Plagë të vjetra” ndihet fryma e aktorit modern me tension psikologjik prej intelektuali i cili gjendet në kahun e kundër të personazheve që kishte krijuar më parë. Ndihet fryma e kinemasë evropiane e ngjizur mirë në të gjithë aspektet. Tek filmat me aksion si tek “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Kur zbardhi një ditë”, “Ngadhnjim mbi vdekjen” filmi më i shikuar në Kinë e Koren e Veriutdhe Vietnam, “Radiostacioni”, “Rrugicat që kërkonin diell” dhe në filmin “Skëterrë 43” dhe “Ilegalët” ose “Yjet e netëve të gjata”, koloriti aktoresk i personazheve e përsos ndjeshmërinë në psikologjinë e shikueisit. Rikardi edhe në role të dyta ndriçon. Ai ishte ndër aktorët e vetëm deri në vitet 1990 që ka më shumë role në kinematografin shqiptare dhe ishte nga aktorët më të njohur të vendit, sa për humor thuhej: – Do të hamë bukë ose me “Dedën” e “Rrugëve të bardha, apo Skënderin e “Duelit të heshtur”dhe padyshim me Dritanin e Shkabajve të filmit “Komisari i dritës”. Me zërin e tij bas tejet të pastër e tingëllues e me një pamje tejet simpatike u bë ikona e filmit shqiptar. Ndokush e thërriste me emrin e personazheve, sepse e tillë ishte koha dhe respekti për artistin. Batutat e filmave u bën një zhargon i humorit të kohës, e në çdo mjedis përmendej shpesh emri i Rikardit me rolet e tij emblematikë. Ishte koha e ikonave ku vende si Franca Italia dhe Britanija përkundrejt industrisë amerikane të filmit “Hollivudit”, krijuan mite të pavdekshme me aktorë të tillë si Alen Delon, Brixhid Bardo, Zhan Gabe, Sofia Loren, Marçelo Mastrojani, Xhina Lolobrixhit, Klaudia Kardinale e Alberto Sordi, Vudi Alen e plotë të tjerë, që fati e deshi që edhe shikuesi shqiptar t’i adhuroi, por dhe e rriti grintën, e ndaj aktorët shqiptar duhet të ishin të atyre përmasave që të mund t’i ndiqje në filmat e tyre. Një tjetër talent shfaqi Rikardi edhe në fushën regjizoriale të filmit dhe të teatrit. Lista e gjatë fillon si bashkëregjizor me regjizorin Sajmir Kumbaro në filmin “Rrugicat që kërkonin diell” dhe “Ilegalët” më pas vijojnë filmat e tij si “Kur hapen dyert e jetës”, “Në pyjet me boë ka jetë”, “Radiostacioni”, “Pesha e kohës”, “Ura dhe kështjella”, “Skëterrë 43”, “Fundi i një gjakmarrjeje”, “Folk” etj. Tek Rikardi fëmija i Karlit dhe Angje Logorecit , mbesës së mirnjohurit Mati Logoreci, talenti i fshehur i violinistit dhe i shkrimtarit u shfaqën diku më herët e diku më vonë. Siç kujtonte vetë Rikardi mamanë e tij e cila ia lexonte librat me zë ende pa vajtur në shkollë, së bashku me motrën Ernesta- dhe hyra në botën e kërkimit dhe të heshtjes thoshte ai. Tetë viteve të fëmijërisë nuk iu nda veglave muzikore dhe shpesh prindërit e tij e shikonin të ardhmen e Rikardit në botën e muzikës, si kompozitor nga më të njohurit, ose muzikant. Kështu kujtonte ai shuplakën e dhënë nga Prek Jakova. Dhe a e dini pse? Rregullat në atë kohë për të drejtën e studimit ishin me planifikim të bursave të studidimit. Rikardit i del e drejta për të vazhduar institutin dyvjeçar për matematikë –fizikë. Babai i tij Karlo me një formim shkollor austriak i propozon që të shkojë më mirë në degën kimi-industriale, si duket duhet t’i ngjante xhaxhait të tij Gaspër Larja ixhinierit të mirnjohur të birrës “Korça”i cili i kish kryer studimet në Itali. Por Rikardi kunkuron për aktor në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” ku edhe fitoi. Në këto ditë të qëndrimit në Tiranë takon Prekën i cili u nervozua me Rikardin pse nuk kishte pritur sa të hapej Instituti i Lartë e të vazhdonte për muzikë e t’i jep një shuplakë. Skenaristi Rikard Larja ka një frymë të re në filmat “Kur hapen dyert e jetës”dhe “Pesha e kohës”, aty ai del hapur në përballjen me të vërtetën, ku konservatorizmi si fenomen i shoqërisë përfaqëson murin që nuk kalohet pa përplasje idesh dhe kërkim reformash, ai përgatiste kështu shoqërinë shqiptare për nevojën e ndryshimit me guxim intelektual. Këtyre viteve të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar aktori më i preferuar i para viteve 1990, nuk do të ftohej në asnjë rol në ato pak filma që janë bërë për gati 30 vjet. Vetëm Mevlan Shanaj i ka dhënë një rol në filmin “Fletë të Bardha”. Kineasti Agim Sopi i ka dhënë rol në filmin “Anatema”. Po ashtu merr një rol nga regjizori Ekerem Kryeziu në filmin “Viktimat e Tivarit”në vitin 1996. Mori disa role në teatër si në atë “Migjeni” në pjesën “Shën Gjon Kryepremi” dhe në atë të teatrit të Vlorës “Petro Marko” një dramë të Fadil Hysës me titull “Testamenti” dhe vazhdon me një vënie në skenë si regjizor në “Teatrin Kombëtar” i veprës së Stefan Çapaliku titulluar “Utopos”. Pranon një ftesë në Kosovë në teatrin e Prishtinës dhe i përvishet punës për një dramë të re me autor Ariel Dorfmunit e cila titullohej “Vdekja dhe vajza” dhe kishte në qendër të saj shkeljen e të drejtave të njeriut. Rikardi i cili ish betuar në adoleshencën e tij vetes se do të bëhej shkrimtar, por rrjedha e jetës kish ndryshuar e nën sirtar kishte romanin e tij të parë “Në një humbëtirë këtej rrotull”, por siç thoshte ai – i vinte ndroje nga vetja, dhe një ditë miq e shokë të tij e kishin nxitur që ta botonte. Gjithmonë kam hedhur në letër shënime. Shkruaja çfarëdo që më vinte ndër mend, kam shumë prej tyre sepse i ruaj dhe kur të kem kohë do të mendohem thoshte Rikardi. Kur e takoja spontanisht shkrimtarin Rikard Larja, e kur fillonim bisedat për letërsinë, kam pasur përballë një përmasë kulturore të admirueshme e mbi të gjitha surprizuese, sepse unë në lagjen time nuk flisja me asnjë aktor që banonte aty në rrugën “Myslym Shyri” dhe nuk ishin pak mbi 20 para viteve 1990, kisha bindjen time, se ata duhet t’i duash sipas veprës së tyre ku luajnë në teatër apo në film, por këtu për çudinë tone, as zona rezidenciale për aktor e njerëz të shquar nuk kishte e s’ka për të pasur ndonjëherë e ndeshesh me mitin tënd, tre herë në ditë. Rikardi i mirorganizuar në dijet e tij albanologjike me adhurimin për Eqerem Çabej të mahniste, miq e shokë e bashkëkohës të tij tregojnë për humorin e holl e hokatar, që do të mbahet mend gjatë. Boton shkrime në shtypin e kohës për shqetësimet e shoqërisë dhe të artit. Në vitin 2009 boton romanin e tij të dytë “Kohë qensh”. Më tej vazhdon me botimin e librave “Tymi kronikë bardhezi” proza dhe romanin “Josifopedia”. Ndonëse tërë jetën i është shmangur “morbus actorum”, profilit të identifikimit të aktorit me famë me rolet e tij, përsëri ka qenë e pamundur, sepse siç tregonte ai për ftesën që i ka bërë i biri i heroit të punës fillërojtësi Pjetër Llesh Deda, nuk mund ta shmangia. Ata do të ndiheshin keq nëse nuk u shkoja në dasmën e tij. Atje e kishin pritur me nderime në krye të vendit dhe pata ndjesinë sikur njerzit më shikonin si të ishte vetë Pjetri. Ai e kish mbajtur frymën drejt Gjirokastrës me plotë mall për dekorimin e babait të tij si profesor i lëndës së fizikës në gjimnazin e qytetit të çuditshëm. Gjirokastra kish në gjirin e saj rreth 40 familje nga veriu i Shqipërisë dhe kjo koloni kish caktuar një ditë në vit që mblidheshin e darkonin bashkë. Të paharuara do të mbeten sentencat e tij lapidare për shqiptarët siç shkruan ai “Kur jemi të besës, jemi deri në fund-sepse na kanë besuar”. “Kur jemi të pabesë, jemi deri në fund-sepse na kanë pabesuar”. Racë e veçantë. Rikardi ishte i lidhur shumë me qytetin e tij të lindjes Shkodrën,ndaj kalonte një pjesë të kohës në shtëpinë e tij të vjetër e punonte kopshtin e mbillte lule, por edhe mbushte botën e tij shpirtërore e kthehej në Tiranë duke shkruar si për historinë e saj, por edhe skiconte veprat e ardhshme letrare me personazhe ekzotik dhe surealist. Jeta e tij pranë shesheve të xhirimit i dha njohjen me bashkëshorten e tij aktoren Marjeta Ilo me të cilën do të gëzonte jetën me lindjen fëmijëve , vajzën Lorena dhe djalin Leandër. 80 vjetori i lindjes së Rikard Larjes ishte një rast që të tregohesha një nga mijra shikuesit e tij, mirënjohës për atë çfarë na ka dhuruar me rolet e tij në kinematografi dhe në letërsi, tingujt e muzikës dhe llojin e pikturës së tij ishte privilegj i një brezi tjetër dhe rrethi më të ngushtë. Siç thoshte vetë Rikardi megjithëse kishte lindur më 1 prill të vitit 1943, ditëlindjen e festonte më datë 3 prill. Pallati që dikur unë e pashë në bezen e tendosur ishte koinçidenca që më kish lidhur me Rikardin, sepse ai aty doli për herë të fundit për të mos u kthyer më drejt Shkodrës në 20 prill të vitit 2020.