Analisti Frrok Çupi, komentoi gjithashtu edhe polemikat e ditëve të fundit për financimin e fushatës së Sali Berishës. Sipas tij, Berisha dhe Meta po e sfidojnë shtetin dhe kushtetutën ndërsa shtoi se kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi duhet të kishte bërë denoncim në SPAK.
“Kjo është gjëja më e ‘drejtë’ që po bën Berisha dhe Meta, në kuptimin që po sfidojnë të drejtën e kombit, ligjin, kushtetutën dhe shtetin. Të jesh shpallur prej dy vitesh si korruptues dhe të kesh aq shumë para se të hedhësh në mitingje dhe në ditën e stadiumit, për mua nuk është më fajtor Berisha.
Këta në këtë rast kanë fituar të drejtën të jetë sundues mbi jetën e njeriut këtu, dhe të mos gjykohen kurrë. Nëse nuk gjykohen për këtë, duhet të shpallin se këta dy njerëz janë të pandëshkueshëm. Çfarë bën drejtësia, SPAK dhe KQZ?
Jemi në pikën kur SPAK, prokuroria e Tiranës, e Përgjithshme, ankohen se dënimet dhe veprat penale të kryera dhe për të cilën akuzohen këta janë të parashtruara. Sot ke shkeljen e ligjit, korrupsionin, krimin dhe asgjë nuk vepron.
Ajo që thotë kryetari i KQZ që të deklarojë Meta për financat, ky është thelbi i ironisë mbi këtë popull, që i korruptuari të vijë të deklarojë. Celibashi duhet të kishte shkuar në SPAK dhe të kishte bërë denoncimin. Pa lëvizur gurët, ujërat nuk pihen më dhe korrupsioni do të mbysë Shqipërinë.”, tha ai.