“Nuk ndërhyjmë tek euro”, Ibrahimaj: Kursi i lirë, masat merren vetëm në emergjencë

Zhvlerësimi i euros në nivelet e sotme, me kurs këmbimi 110 lekë ka vënë në pozitë bizneset prodhuese dhe eksportuese që paguajnë faturat në valutë.

Për këtë shqetësim, ministrja e Financave thotë se do të ulet në tryezë me ta, por gjasat që të merren masa për forcimin e monedhës europiane janë shumë të vogla.

Nga ana tjetër, jo të gjithë humbasin nga forcimi i lekut dhe pikiata e euros. Për shembull, borxhi publik ka arritur të ulet ndjeshëm 3 muajt e parë të vitit 2023.

“Në tremujorin e parë, borxhi ndaj PBB ishte 63.27% të PBB, nga 64.58% që ishte në fund të vitit 2022.

Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm. Këtu dua theksoj dhe peshën e kursit të këmbimit.

Borxhi është i identifikuar dhe marrë në euro, kursi i euros ka sjellë dhe një rënie të borxhit publik”, tha ministrja.

Ka një shqetësim të përgjithshëm për luhatjen e euros, të cilën Shqipëria e përdor si mjet pagese për shumë transaksione, luhatje e cila për disa lidhet me sezonin e zgjatur turistik, dhe të tjerë me fushatën zgjedhore e paratë informale në treg.