Personalitetet dibrane të Francës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mentor HOXHA – Paris

…Dibra është një ndër trevat më të njohura dhe më të mëdha shqiptare. Ajo ka luajtur një rol të madh në themelimin e shtetit shqiptar. Dibra i ka dhënë Shqipërisë shumë personalitete në fushën e politikës, diplomacisë, shkencës, artit, kulturës, arsimit, letërsisë, sportit, biznesit etj. Dy nga burrat më të shquar të saj, Dom Nikollë Kaçorri dhe Vehbi Agolli – Dibra janë dy nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kaçorri është zv/kryeministri i parë shqiptar, ndërsa Vehbiu është kryetari i parë i Pleqësisë /Senatit të Shqipërisë. Dibra dhe dibranët përmenden edhe në veprat e autorëve më të mëdhenj francezë. Shkrimtari dhe gjuhëtari i shquar, Michel de Montaigne (Mishel dë Montenjë, 1533-1592), flet për Heroin shqiptar me origjinë dibrane, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai e përmend që në krye të veprës së tij të njohur “Les Essais”, duke rrëfyer një ngjarje nga jeta e Skënderbeut, të marrë nga libri “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” nga Dhimitër Frangu, i botuar në frëngjisht më 1544. Në anekdotën e Montenjit për Skënderbeun bie në sy vlerësimi i lartë i tij për Princin shqiptar. Në Sprovën “Frika nënë e mizorisë”, Montenji flet edhe për vdekjen e Mojsi Golemit me shokë, që, pasi u zunë robër në betejën e Valkalisë (Fshat në Dibër – shënimi im) i rropën të gjallë. Montenji është kontribuesi më i madh i gjuhës frënge dhe studiohet në programet shkollore të letërsisë frënge. Dibra dhe dibranët përmenden edhe në kujtimet e kolonelit francez në Ballkan Andre Ordion, si dhe në librat “Shqipëria në vitin 1921” dhe “Ditarët shqiptarë” të Justin Godart, figurë e rëndësishme e Republikës së Tretë Franceze dhe kryetar i Bashkisë së Lionit.
Franca ka qenë dhe vazhdon të mbetet një portë e hapur për mijra shqiptarë dhe dibranë që kanë trokitur në portat e saj për arësye politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore apo humanitare. Nga viti 2016 e në vijim, Franca është bërë destinacioni i kryesor i azilantëve dibranë. Vendosja e dibranëve në Francë nis që nga vdekja e Skënderbeut dhe vazhdon me intensitet të madh edhe në ditët tona. Pas vdekjes së Heroit Kombëtar, disa Maneshë me origjinë dibrane u vendosën në Francë ku patën poste të rëndësishme politike, ushtarake dhe fetare, si Charles Manessy (gjykatës i mbretit dhe oficer i pyjeve të Chaligny-së), Nicolas-François de Manessy (senjor i Mage), Antoine Gabriel Manessy (Prift, më pas superior i “Congregation des soeurs”, dhe superior kanonik i katedrales së qytetit Toul), Domentio Maneshi (fisnik) etj. Pas rrëzimit të qeverisë 6-mujore të Fan Nolit nga Ahmet Zogu në dhjetor të 1924-ës shumë antizogistë dhe pjesmarrës në Revolucionin e Qershorit (1924) u larguan nga Shqipëria për në Francë. Midis tyre spikat shkrimtari dhe veprimtari i shquar dibran antizogist dhe antifashist, Haki Stërmilli (1895-1953). Pas largimit nga Franca, ai u kap nga policia jugosllave dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Për lirimin e tij protestuan personalitetet më të larta botërore, si shkrimtari francez nga Lyoni, Henri Barbusse, fizikani Albert Einstein, udhëheqësi komunist bullgar George Dimitrov, ish kryeministri shqiptar Fan Noli etj. Emigrimi dibran në Francë vazhdoi edhe në regjimin komunist, kur shumë antikomunistë të arratisur nga Shqipëria u vendosën në Francë. Edhe pas rrëzimit të regjimit në vitin 1992 e në vijim Franca vazhdon të mbetet një nga destinacionet kryesore të dibranëve. Midis tyre ka edhe intelektualë dhe biznesmenë të njohur që kanë biznese në Francë, si Saimir Deda, Munir Maqellara etj. Prona dhe biznese në Paris ka patur edhe familja e Fuad Dibrës. Në Paris jetoi, punoi dhe ndërroi jetë gjuhëtari i shquar me origjinë dibrane, Prof. Dr. Remzi Përnaska. “Po ku gjendet një gjuhëtar si Remzi Përnaska, profesor në Universitetin e Sorbonës! shprehet Sekretari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. dr. Shaban Sinani gjatë në një interviste exluzive me mua, e botuar te gazeta “Rruga e Arbërit” (Nr. 75, Maj 2012, faqe 1, 4-5-6). Në Francë ka jetuar për pak kohë edhe sipërmarrësi njohur dibran Liman Vexhi Hoxha (President i shkollës jopublike “Sarina 2002” në Tiranë) dhe poeti Hamdi Skeja (autor i 4 librave me poezi). Ka personalitete me origjinë dibrane që kanë dhënë mësim në universitetet franceze, si gjuhëtari Remzi Përnaska (profesor në Universitetin e famshëm të Sorbonës), studiuesja Enika Abazi, neurokirugu Mentor Petrela, etj. Mes personaliteteve me origjinë dibrane ka edhe të dekoruar nga Presidenti i Francës. Ai është profesori Mentor Petrela, i nderuar me dekoratën “Chevalier de la Legion d’Honneur” nga ish presidenti i Francës, François Hollande dhe me “Chevalier dans l’Ordre des Palmes Académiques” nga ish kryeministri, Alain Juppé. Dibranët kanë spikatur në Francë edhe në fushën e artit dhe të kulturës. Në skenat franceze ka kërcyer “Mjeshtri i Madh”, Aziz Ndreu dhe valltari Xhevat Fana. Piktori i njohur, Zaim Elezi ka marrë pjesë në disa ekspozita në Francë, ndërkohë, mjaft piktura të tij janë pjesë e koleksionistëve me famë në Francë. Po në Paris, studioja Ligjore “Daci and Associates” e juristit të shquar dibran Prof. Assoc. Dr. Jordan Daci u shpall në vitin 2019, si studioja më e mirë ligjore në Europë (European Legal Awards).

Kontributi i dibranëve në Konferencën e Paqes në Versajë dhe në emërimin e sheshit “Skanderbeg” në Paris
Dibranët kanë patur një rol të madh në dy ngjarjet më madhore shqiptare të zhvilluar në Paris: në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920) dhe në emërimin e përurimin e “Place de Skanderbeg në Paris në 1980. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, 4 Fuqitë e Mëdha fituese (Franca, SHBA, Britania e Madhe dhe Italia) organizuan në Francë Konferencën e Paqes ku u konfigurua harta e re botërore. Kjo konferencë i nisi punimet në Marsejë në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. Mes shumë çështjeve që u shqyrtuan nga kjo konferencë ishte edhe njohja e shtetit shqiptar dhe kufijtë e tij. Atdhetarë të shquar nga mbarë trevat shqiptare dhe nga diaspora vërshuan në Paris për të mbrojtur shtetin dhe trojet e tyre nga shuarja dhe copëzimi. Krahas delegacionit qeveritar të kryesuar nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti, morën pjesë edhe delegatë nga diaspora. Delegacioni shqiptar i Stambollit u kryesua nga atdhetari, politikani dhe biznesmeni i shquar dibran, Fuad Dibra. Fuadi u shqua në këtë konferencë si politikan, por edhe si financues i delegatëve. Ai kritikoi qëndrimin e kryeministrit shqiptar si proitalian, por edhe hezitimin e Mit’hat Frashërit për të marrë pjesë në këtë konferencë. “Siç dokumentohet nga dokumentat e Arkivit të Shtetit dhe të Ministrisë së Jashtme, qëndrimi proitalian i i Turhan pashës ndaj çështjes shqiptare dhe kundër Mid’hat Frashërit, nuk u pëlqye në Paris nga anëtarët e tjerë të Delegacionit, si Mehmet Konica, Dr Turtulli, Mihal Grameno, Sotir Kolea, Dr Ibrahim Temo, Fuad Dibra etj. të cilët i kërkuan Midatit në Lozanë të kthehej në Paris”, shkruan ish kryediplomati dhe historiani i njohur Paskal Milo. Krahas rolit si delegat në këtë konferencë historike për kombin shqiptar, Fuadi mbuloi edhe shpenzimet e delegatëve shqiptarë në Paris. Ai harxhoi mbi 500 mijë franga ari për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Paris. Në Paris të deleguarit qëndruan 17 muaj me shpenzimet e Fuad Dibrës dhe të Nuredin Bej Vlorës (1889-1964), të cilët mbuluan financiarisht fjetjen, ushqimin, transportin, higjienën dhe shpenzime me miqtë. Nga kontributi i madh atdhetar dhe financiar i Fuad Dibrës dhe i delegatëve të tjerë në këtë konferencë, u arrit që Shqipëria të njihet si shtet i pavarur. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe përcaktoi kufijtë shtetëror që kemi sot. Po të mos ishte kontributi politik dhe financiar i Fuad Dibrës, ndofta Shqipëria do të ishte shuar, ashtu si shumë shtete që u shuan nga Konferenca e Parisit.
Pas Fuad Dibrës, një tjetër dibran i shquar bëhet protagonist në një tjetër ngjarje madhore shqiptare në kryeqyetin francez. Ai është atdhetari dhe sipërmarrësi i njohur Isa Ndreu, i biri i prijësit të shquar dibran Cen Elez Ndreu. Isai ishte një nga organizatorët dhe financuesit kryesorë të përurimit të Sheshit Skënderbe në Paris më 1880. Në përurimin e këtij sheshi, morën pjesë shumë intelektualë nga Diaspora shqiptare në Europë, Amerikë, Kanada dhe Australi dhe të gjitha shpenzimet e organizimit dhe të pjesmarrësve u mbuluan nga Isai. Në ata kohë, Isai jetonte si emigrant politik në Itali dhe ishte ndër prodhuesit më të mëdhenj të bizhuterive prej ari e argjendi. Isai botoi në Paris edhe revistën “Koha e Re”, revista më e njohur shqiptare në diasporë. Kjo revistë u bë tribuna e vlerave kombëtare dhe tribuna e mërgatës shqiptare, veçanërisht në Francë dhe Itali.
Rrugëtimin atdhetar të Fuad Dibrës dhe të Isa ndreut po e ndjek sot një tjetër dibran i njohur në Francë. Ai është Saimir Deda, një intelektual dhe biznesmen shumë i suksesshëm në Francë. Prej 7 vitesh, Saimiri banon familjerisht në Lyon dhe është një nga aktivistët më të njohur të komunitetit shqiptar në këtë qytet të madh francez. Ai po bën përpjekje të mëdha për emërimin e një rruge apo të ndonjë sheshi me emrin e heroit kombëtar shqiptar edhe në qytetin e Lionit.

Personalitete dibrane të botuar dhe arsimuar në Francë

Krahas veprimtarisë së shquar atdhetare, dibranët kanë gjurmët e tyre në Francë edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe studimore, pasi veprat e tyre janë botuar në frëngjisht nga shtëpi të njohura botuese franceze. Si dibran që jam, lumturohem dhe ndihem krenar kur librat e tyre i shoh në libraritë, apo bibliotekat e shumta në Francë. Midis tyre spikasin dy akadamikët e shquar: Prof. Dr. Shaban Sinani dhe Prof. Dr. Eqrem Basha. Nga viti 2020, Prof. Sinani është Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ai është profesor dhe autor i 50 librave shkencorë. I nderuar me shumë çmime brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prof. Sinanit i është botuar në Francë libri me titull, Le Dossier Kadaré, Suivi de La Vérité des souterrains Ismaïl Kadaré, avec Stéphane Courtois (Odile Jacob, 11 Mai 2006, ISBN: 2.7381.1740.6, EAN: 9782738117403, 208 pages, 145 x 220 mm, 19, 90 euro). Për këtë libër janë botuar shumë artikuj në mediat franceze. Ky libër zbulon përndjekjen që i bëhej Ismail Kadaresë në regjimin komunist shqiptar. Në kopertinën e pasme të librit shkruhet: “Në vitin 2005, drejtori i Arkivit të Shtetit Shqiptar, Shaban Sinani, bëri publike arkivat sekrete të Partisë Komuniste në lidhje me shkrimtarin Ismaïl Kadaré. Këto dokumente zbulojnë, përmes rastit unik të shkrimtarit të madh, shtrirjen e sistemit të denoncimeve, kërcënimeve, gjykimeve dhe dënimeve që rëndonin mbi çdo qytetar të vendit. Kjo dosje Kadare, e botuar për herë të parë në Perëndim, na lejon të zbulojmë se deri në ç’farë mase ne ende e injorojmë realitetin e jetës nën regjimet komuniste. Në “La Vérité des souterrains”, Ismaïl Kadaré, gjatë një interviste të gjatë me Stéphane Courtois, komenton për herë të parë këto dokumente. Falë pyetjeve të sakta dhe të informuara të historianit, ai rishikon itinerarin e tij, veprat e tij letrare, jetën dhe mbijetesën e tij nën regjimin e Enver Hoxhës. Biografia e tij, talenti dhe vështrimi i tij si një shkrimtar i jashtëzakonshëm e bëjnë këtë intervistë një dëshmi unike të dramës që ka përjetuar gjysma e Evropës”. Ky dialog i Kadaresë me shkrimtarin dhe publicistin e njohur francez, Stéphane Courtois, përbën pjesën përmbyllëse të librit. Stéphane Courtois është drejtor kërkimi në CNRS në Paris dhe një nga specialistët më të mirë francezë në historinë e komunizmit. Ai është autor i Historisë së Partisë Komuniste Franceze dhe i Librit të Zi të Komunizmit.
Dibrani tjetër më i përkthyer në Francë është Prof. Dr. Eqrem Basha (1948) nga Dibra e Madhe. Atij i janë botuar tre libra: “Les ombres de la nuit, et autres récits du Kosovo (Tregime, Fayard, 1999), La ligne de fuite (roman, Non Lieu, 2018) dhe L’Homme Nu (Voic D’Encre). Është përfshirë edhe në disa antologji në frëngjisht me poetë e prozatorë të shquar shqiptarë, si “Voix albanaises dans la nuit, Aeres (zgjodhi e përktheu, Alexander Zotos, Saint-Etienne, 1991), “Anthologie de la poésie albanaise” (par Alexandre Zotos, Comp’Act, Lyon, 1998), Kosovo dans la nuit” (Éditions de l’aube, Paris, 1999), Fenetre ouverte, Douze poètes albanaises et français (Editions L’inventaire, Paris, 2002), etj. Poezitë dhe tregimet e Bashës gjenden edhe në revistat frënge, “La main du singe”, “Les lettres internationales”, “La revue mediteranneene” etj. Eqrem Basha është profesor, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (nga viti 2004), autor i mbi 25 librave me studime, poezi, prozë dhe monografi, si dhe pjesmarrës në disa takime ndërkombëtare të poezisë në Francë (Paris, Avinjon, Strasburg, Lodevë, Die, Lyon, Saint-Etienne, Grenobël, Kanë), etj. Më 5 korrik 1990, kur pushteti serb e largoi dhunshëm nga puna në TV “Prishtina”, ai shkoi në Francë (në Arlë, 1992 dhe në Paris, 1994) ku u mor me përkthim, kryesisht nga dramaturgjia frënge. Ka përkthyer në frëngjisht me Christiane Montécot librin “Fièvre” nga Anton Pashku (Editions du Petit Véehicule, Paris, 2000) dhe librin “L’espace d’un instant” (Paris, 2002). Në frëngjisht është botuar edhe libri i pionierit të psikiatrisë shqiptare, Prof. Dr. Hyqmet Dibra-Menzelxhiu. Ky libër titullohet “Psychoses dans les camps de concentration… ” (Editeur: Vigot frères, Paris, 1941). Dy libra me poezi në Francë, i janë botuar edhe personalitetit me origjinë dibrane, Prof. Dr. Agim Vinca. Gjatë një intervistë me të, ai më dëshmon origjinën e tij nga Vinca e Dibrës. Kjo intervistë është botuar te gazeta “Nacional” (2014) dhe te “Rruga e Arbërit” (Qershor 2014, Nr. 98, f. 1, 9). Edhe shkrimtari i njohur dibran, Agron Tufa është përshirë në disa antologji poetike me autorë shqiptarë në gjuhën frënge, madje ka fituar edhe një çmim letrar në Paris.
Krahas autorëve të shquar dibranë të botuar në Francë, Franca ka qenë edhe vendi ku u formua një pjesë e personaliteteve dibrane, si Sekretari i Presidiumit të Kuvendi Popullor të Shqipërisë, Sami Baholli (i diplomuar në Lyon), deputeti, avokati dhe juristi antikomunist i ekzekutuar nga regjimi komunist, Qenan Dibra (i diplomuar në drejtësi në Universitetin e Parisit), veprimtari i shquar nacionalist, Hajdar Tonuzi, juristi i pushkatuar nga komunistët, Hivzi Golja (i diplomuar për Jurisprudencë në Paris), pionieri i neuropsikiatrisë shqiptare Prof. Dr. Hyqmet Dibra-Menzelxhiu (i shkolluar në Universitetin e Parisit), zv/shefja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Manushaqe Shehu (e formuar në Shkollën Logjistike ADAMS P&P), regjizori, aktori, regjisori, piktori, karikaturisti, “Mjeshtri i Madh” Bujar Kapexhiu, apo personalitetet me origjinë dibrane, si: Prof. Dr. Mentor Petrela (i specializuar në neurokirurgji në Paris me akademikun, R. Houdart dhe profesorët J. Cophigonon dhe A. Ray. Më 1997, mori CNU në Paris), albanologu i shquar, Prof. Dr Remzi Përnaska (i formuar në Universitetin e Sorbonës), etj. etj.

Lexo edhe :  Veterani Fejzulla Fejzo u nda nga kjo jetë me merakun për Bleona Matën

Sportistë dhe sipërmarrës të njohur dibranë në Francë

Nga personalitetet sportive dibrane në Francë veçohen dy futbollistët e kombëtares shqiptare: Qendërsulmuesi Xhuliano Skuka (1998) dhe mesfushori Qazim Laçi (1996). Nga viti 2018, Qazimi luan si mesfushor për AC Ajaccio. Xhuliano ka lindur në Peshkopi, por fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Metz të Francës ku kreu arsimin e mesëm dhe nisi karrierën futbollistike. Nga janari i vitit 2023, ai luan në Francë me “FC Metz, pasi u shit nga Partizani për shifrën rekord 1.4 milionë euro, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë i transferuar ndonjëherë nga Partizani dhe kampionati shqiptar në një ligë tjetër. Edhe në futbollin e femrave po spikasin disa vajza nga Dibra, si motrat Marsida, Hidia dhe Daniela Tonuzi. Nga biznesmenët dhe sipërmarrësit dibranë në Francë, dallohet Saimir Deda, i cili është edhe shqiptari më i njohur në qytetin e Lionit.

Oficerë dhe luftëtarë dibranë nën flamurin francez
Mjaft ushtarakë dhe luftëtarë të njohur dibranë kanë luftuar nën flamurin francez. Rreshtimi i dibranëve në ushtrinë franceze daton që nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar kur mijra stratiotë u rreshtuan me ushtritë mbretërore të Francës. Midis tyre spikasin disa Maneshë (Manessy) me origjinë dibrane, si Andrea Manessy (kapiten), François Manessy (përgjegjës i kalorësisë), Claude-Joseph de Manessy (“Senjor i Maxe, kapiten kalorësie dhe gjykatës i mbretit të Chaligny-së”), Teodor Maneshi (Kalorës i shquar në radhët e kalorësisë franceze të Luigjit XII, të Fransua I e më pas). Një kontribut të madh në ushtrinë franceze dha nipi i Skënderbeut, i njohur në histori si Skënderbeu i Ri. Ai ishte djali i Gjon Kastriotit. Luftoi në Kalorësinë e Lehtë Franceze dhe ishte krijuesi e drejtuesi i saj. Në artikullin e tij me titull “Shqiptarë në oborrin e Francës” (revistaklan.com), ish ambasadori shqiptar në Paris, Luan Rama shkruan: “Kalorësi i famshëm francez Roger de Bussy-Rabutin, në librin e tij, “Les Memoires de Messire Roger de Rabutin, comte de Bussy”, shkruan: “Kalorësia e lehtë u shfaq në Francë kur Karli VIII shkoi në Itali dhe kur një fisnik shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti (i mbiquajturi Skënderbeu i ri) u bashkua me të bashkë me 400 kalorës. Ata quheshin stratiotë. Gjergj Kastrioti kishte lënë dukën e Mantovës dhe u vu në shërbim të mbretit duke i kërkuar komandën e kalorësisë. Dhe mbreti pranoi”. “Ky nip i Gjergj Kastriotit në fund të shekullit të XIV në kujtesën e të afërmve të tij si edhe të arbërve, po ashtu edhe në studime të historianëve, ka hyrë me emrin “Skënderbeu i Ri”, shkruan Ylli Polovina në librin e tij, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” (Tiranë, 2012). Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) shumë ushtarakë dhe luftëtarë të njohur dibranë që komandoheshin nga ish kryeministri shqiptar Esat Pashë Toptani luftuan përkrah ushtrisë Ushtrisë Franceze. Midis tyre spikat Halit Lleshi. Në librin “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942” (“Reklama”, Tiranë, 2020), Sejfi Vllamasi shkruan: “Në janar 1916, Esat Pasha shkoi në Paris dhe, me ndërmjetësimin e qeverisë franceze, formoi një qeveri të përkohshme shqiptare në Selanik. Ai qëndroi vetë në Paris, por la Faik Kodrën si zëvendës të tij. Ai formoi një batalion ushtarësh nën komandën e Halit Lleshit. Ky batalion së bashku me trupat franceze mori pjesë në luftime në Malin e Thatë (Mali i Thatë) dhe në Mokrë. Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, shkruan: “Halit Lleshi figuronte në kuadrot e ushtrisë frënge si major. Mobilizimi i dibranëve në ushtrinë franceze, vazhdoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) kur disa dibranë u rekrutuan vullnetarisht në Lëvizjen “La France Libre” (Franca e lirë) të Charles De Gaulle dhe luftuan me shumë guxim e trimëri në frontin e Lindjes deri në çlirimin e Francë. Ndër ta spikat Adem Shehu. Në Lëvizjen e De Golit u rekrutuan vullnetarisht edhe Majori Hysen Selmani dhe nipi i Mbretit Zog, Hysen Doshishti-Agolli (djali i Princeshë Adile Zogu dhe i Emin Doshishtit-Agolli). Komandant Agolli-Doshishti u bashkua me forcat e De Gol në shkurt të vitit 1942 me destinacion Lindjen e Mesme. “Për regjistrimin e tij, shkruhet në dokumentet e forcave “Les Forces Libres” (“Forcat e Lira”). Pas shkrirjes së forcave të armatosura vishiste të Levantit prej gjeneralit De Gaulle, në nëntor 1942, ai u bë pjesë e forcave ushtarake të Levantit të riorganizuara në 1943. Hysen Agolli bashkë me vëllain e tij, Salihun ishin diplomuar në Paris në l’École Speciale Militaire de St Cyr (Shkolla Speciale Ushtarake). Hysen Doshishti-Agolli dhe Hysen Selmani luftuan në Orient (Lindjen e Mesme). Kur Familja Mbretërore u vendos në Francë më 1955, Salihu me nënën e tij, u vendosën në Paris, ku edhe vdiqën dhe u varrosën në varrezat parisiene. Edhe pas viteve ’90-të, ka dibranë që bëjnë pjesë në Legjionin e të huajve në Francë. Në janar 2016, vdiq në Alpet franceze, legjionari 21-vjeçar nga Dibra, Denis Halili. Ai ishte pjesë e një grupi prej 50 ushtarësh të cilët po stërviteshin në afërsi të qendrës së skive në Valfrez. Ai bënte pjesë në Regjimentin e 2-të të Huaj të trupave xheniere në Saint Christol që nga 29 tetori 2015. “Denisi ishte i ri, dhe ende nuk kishte krijuar një familje”, thuhet në deklaratën e Ministrisë franceze të Mbrojtjes. NëLegjionin e të huajve në Francë bën pjesë edhe nipi i ish kryeministrit Mehmet Shehu, Ertgren Shehu (djali i Bashikimit dhe i Marjetës). Ai bën pjesë në regjimentin “Djajt e Kuq”.

Të fundit

Si ndikojnë arrat dhe bajamet për tensionin dhe organizmin, ja çfarë duhet të dini

Arrorët janë të pasur me yndyrna polio-të-pangopura shumë të shëndetshme për zemrën. Ato janë të pasura me fibër, proteinë,...

AAPSK dyfishon të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara në vitin 2024

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka dyfishuar të ardhurat nga qiradhënia e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara në vitin...

11 maji/ KQZ miraton regjistrimin e 3 koalicioneve! Berisha shkon në zgjedhje me Metën

Një ditë pasi depozituan kërkesat, KQZ ka miratuar regjistrimin e 3 koalicioneve për zgjedhjet e 11 majit. TIRANË- Një ditë pasi depozituan kërkesat, KQZ ka...

Prokuroria urdhëron nisjen e hetimeve për përplasjet dhe kaosin në Kuvendin e Serbisë

Prokuroria Themelore në Beograd i ka nisur kërkesë policisë për mbledhjen e informatave të nevojshme në lidhje me incidentin e së martës në Kuvendin...

Ulen humbjet e energjisë, gjatë vitit 2024 u prodhua 7.8 mln MWH energji elektrike

Mungesa e reshjeve në 2024 bëri që Shqipëria të prodhojë më pak energji elektrike. Të dhënat nga Instituti i Statistikave bëjnë të ditur se hidrocentralet,...

Lajme të tjera

Web TV