Gazeta presitigjioze “New York Times”, ka botuar një artikull ku akuzon presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç se ka lidhje me botën e krimit në Serbi.
Në artikull përmenden hollësi rreth krimeve të kryera nga një grup kriminal, udhëheqësi i të cilit thotë se i ka shërbyer pushtetit të presidentit Vuçiç.
Artikulli i gazetarit Robert F. Worth përshkruan me detaje krime të kryera nga banda e Veljko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit.
Ai dhe 29 pjesëtarë të grupit u arrestuan më 2021.
Gazetari Worth thotë se ai nuk beson se zoti Vuçiç i ka krijuar bandat kriminale nacionaliste serbe, por ai padyshim, i ka shfrytëzuar ato për forcimin e pushtetit të tij.
Artikulli i “New York Times” disa herë përmend edhe rrezikun që presidenti serb mund të nxisë një luftë me qëllim krijimin e botës serbe, ideja nacionaliste e kontrollimit të gjitha territoreve ku jetojnë serbët. Kjo nënkupton edhe dërgimin e ushtrisë për aneksimin e veriut të Kosovës.
Sipas “New York Times”, ky shqetësim mban zgjuar natën diplomatët evropianë. Sidoqoftë, evropianët, krahas zyrtarëve amerikanë, sipas analistit, Daniel Serwer, vazhdojnë të ofrojnë përkrahje të palëkundur për qeverinë serbe dhe në përgjithësi autokratët në Ballkan.