Enver Hoxha në stadium, sigurimi urdhëroi sportistët të mos i flisnin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rrëfimi i rrallë i Ajet Toskës, ish-atletit dhe kampionit kombëtar në garën e hedhjes së çekiçit, i konsideruar si legjenda e sportit shqiptar, për rezultatet në arenën ndërkombëtare. Dëshmia / “Shefi i lartë i Sigurimit, Luan Pobrati, na porositi që ne, në mënyrë apsolute, s’duhet t’i flisnim asnjë fjalë ‘shokut Enver’, edhe sikur ai të na fliste vetë”.

Nga Dashnor Kaloçi

Para disa ditësh, ekskluzivisht për gazetën FJALA, kemi publikuar në dy numra rradhazi, disa dokumente sekret të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), me proces-verbalet e dy mbledhjeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, që i përkasin muajve shkurt dhe nëntor vitit 1984, ku, Ramiz Alia, asokohe sekretar i Komitetit Qendror dhe njëkohësisht Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, informonte “shokët e udhëheqjes” lidhur me gjëndjen shëndetësore të Enver Hoxhës, ku midis të tjerash, një shqetësim i veçantë, ishte dhe dalja e tij në tribunën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në tetorin e vitit 1984, me rastin e ceremonisë së hapjes së Spartiakidës së IV-të Kombëtare, që mbahej në kuadrin e festimeve të 40-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, gjë e cila “u zgjidh” dhe Enver Hoxha siç dihet tashmë, ishte prezent në atë ceremoni.

Një nga ata sportistë, që pati rastin të takohet me udhëheqësin komunist në momentet më të vështira të jetës së tij në atë dalje të fundit publike, ishte Ajet Toska, ish-atlet i garës së hedhjes së çekiçit, kampion kombëtar për vite me rradhë (i konsideruar si legjenda e sportit shqiptar, për shkak të rezulttave të larta në arenën ndërkombëtare), i cili së bashku me dy sportistet e tjera, atleten Pavlina Evro dhe qitësen Emanuela Kola, u ngarkuan që t’i lidhnin shallat e spartakiadës, tre udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe kryeministrit Adil Çarçani. Lidhur me këtë, etj., Ajet Toska, tashmë në moshën 63-vjeçare, rrëfen ekskluzivisht për gazetën FJALA, atë ngjarje të largët, që e ka ende të freskët në kujtesën e tij, madje duke ruajtur edhe një foto të rrallë, ku ai duket në krah të diktatorit komunist Enver Hoxha, bashkë me dy sportistet e tjera.

Z. Toska, përse ju zgjodhën ju personalisht dhe dy sportistet e tjera, Emanuela Kola dhe Pavlina Evro, për të takuar Enver Hoxhën në tribunën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” me rastin e ceremonisë së hapjes së Spartakiadës së IV Kombëtare, që mbahej me rastin e 40 vjetorit të çlirimit?
Përzgjedhja jonë u bë, pasi ne asokohe, ishim sportisë cilësore të rezultateve europianë dhe botërore. Unë në atë kohë, vija nga Lojrat Mesdhetare të Latakias në Siri, ku kisha marrë medalje ari në flakjen e çekiçit, po kështu qitsja Emanuela Kola, ishte shpallur kampione Europe, ndërsa Pavlina Evro, një atlete e shkëlqyer e rezultateve të larta, sapo kishte zënë një vënd nderi, në kampionatin Evropian të Atletikës, që ishte zhvilluar ato ditë në Nicë të Francës. Pra, me pak fjalë, ne kishim nderuar Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare dhe si të tillë, na përzgjodhën të takonim udhëheqësin e Partisë dhe të shtetit shqiptar të asaj kohe, Enver Hoxhën, si dhe dy udhëheqësit e tjerë të partisë dhe shtetit, Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alinë, si dhe kryeministrin Adil Çarçani, ku ne, do u lidhnim atyre, shallat e asaj spartakiade. Dhe kjo gjë në atë kohë, konsiderohej një gjë e rrallë dhe kushdo që të ishte, do ta kishte për nder dhe krenari të ishte në vëndin tonë.
Kush jua komunikoi si fillim këtë gjë, pra që ju ishit përzgjedhur për të takuar tre udhëheqësit më të lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe?
Mua më lajmëruan në Klubin Sportiv “Dinamo” ku isha sportist asokohe, duke më thënë që; në filan ditë dhe filan orë, duhet të paraqitesha te Garda e Republikës (aty ku ka qenë deri para disa kohësh, te godina në krah të Korpusit kryesor të Universitetit Shtetëror të Tiranës), pasi më kërkonin atje. Kaq dhe asgjë më shumë. Po kështu, i kishin lajmëruar edhe Pavlinën me Emanuelën dhe ne të tre, sipas porosive që na kishin dhënë, u takuam te Garda e Republikës, në ditën dhe orën e caktuar.
Kush ju priti aty dhe çfarë ju thanë?
Aty te porta e Gardës së Republikës, na priti një oficer që na shoqëroi ne një nga zyrat e komandës, ku na priste një nga shefat e lartë të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, Luan Pobrati, i cili na komunikoi se; ne, ishim përzgjedhur për t’ë takuar tre nga udhëheqësit kryesorë të partisë dhe shtetit, duke na i përcaktuar: unë Ajeti “shokun Enver Hoxha”, Pavlina; “shokun Ramiz”, ndërsa Emanuela; “shokun Adil Çarçani”.
Po porosi të tjera, ju dhanë?
Po patjetër. Ai na tha se; kjo gjë do të mbahej me sekretin më të madh, duke mos ua treguar as pjestarëve të familjes dhe na porositi se, që nga ajo ditë, ne do t’i kufizonim lëvizjet nëpër Tiranë, duke na lënë të nënkuptonim, se do të ishim të kontrolluar. Dhe pas kësaj, na tha se; për gati një muaj rresht, ne të tre, do të paraqiteshim çdo ditë te ambientet e Gardës së republikës, ku do të bënim prova me disa ushtarë, duke u lidhur shallat e spartakiadës.
Dhe kështu bëmë ne, për gati një muaj rresht, duke bërë prova se si do të shkonim deri te “shokët e udhëheqjes” dhe si do ua lidhnim shallat. Pas kësaj, dy tre ditët e fundit, na thanë se atë ditë, që do ishim në tribunë, do na jepnin disa udhëzime të të tjera veçanta.
Ç’farë porosish ju dhanë atë ditë?
Para se të na nisnin me një makinë “Gaz”, shefi i lartë i Sigurimit, Luan Pobrati, na porositi që ne në mënyrë apsolute, nuk duhet t’i flisnim asnjë fjalë “shokut” Enver, edhe sikur ai të na fliste vetë. Kjo gjë na u tha dhe na u përsërit disa herë dhe na e kërkuan që edhe ne ta përsërisnim disa herë, atë që na thanë ata.
Kush ju shoqëroi atë ditë për në stadiumiumin Kombëtar “Qemal Stafa”?
Ne na shoqëroi një tjetër shef i lartë i Sigurimit të Zhtetit, (B.Z.) i cili na i përsëriti edhe njëherë atë që ne, nuk duhet t’i flisnim “shokut” Enver dhe ai qëndroi me ne, deri ku u afruam dhe u lidhëm shallat tre udhëheqësve të lartë, sipas përcaktimeve që na kishin bërë. Pra unë (Ajeti), “shokut Enver” dhe Pavlina me Emanuelën, përkatësisht “shokut Ramiz” dhe “shokut Adil Çarçani”. Dhe ne ashtu bëmë, i zbatuam pikë për pikë porositë e dhëna.
Pra, pasi u dolëm atyre përpara, u lidhëm shallat, duke pasur kujdesin më të madh dhe qëndruam dy tre minuta aty në krah tyre, sa na bënë fotografitë e çastit dhe gjithashtu kamerat e Radio Televizionit Shqiptar, që xhiruan atë ceremoni hapje. Dhe pas kësaj, ne duhet të largoheshim menjeherë, sipas porosive që na ishin dhënë.
Si e kujton gjëndjen e Enver Hoxhës kur i lidhe shallin…?
Në ato momente, kujtoj se Enver Hoxha, ishte në një gjëndje tepër të rënduar shëndetësore dhe deri te tribuna qëndrore, ai ishte ngjitur me një ashensor, që ishte vënë ato ditë enkas për atë gjë. “Shoku Enver”, nuk fliste asnjë fjalë, as me ne dhe as me Ramizin dhe Adilin, që e kishin futur atë në mes. Pra, thënë më saktë, ai ishte aty thjesht, si një figure, që as merrte dhe as jepte, pra nuk kishte forcë të komunikonte me njeri dhe kam përshtypjen që ai, as nuk e dinte se ku ishte.
Pasi u larguat që aty ku shkuat?
Ne na shoqëruan po ata që na kishin sjellë aty dhe pasi na hipën po në atë “Gaz”-a që na kishin sjellë, na dërguan deri te Ndërrmarja e Perim Patates, aty afër, (ku sot është godina e Hipotekës) dhe kur na zbritën, na porositën përsëri, që ne nuk duhet të bisedonim me as njeri, asnjë fjalë, nga gjith sa kishim bërë, që nga dita e parë që na e kishin ngarkuar atë “mision”!
Po pse ju dërguan aq larg…?!
As sot e kësaj dite, nuk e kam kuptuar atë gjë.
Po, a kërkuat ju të zbrisnit më afër?
Po patjetër, unë fola, duke i thënë shoferit, që ta ndalonte makinë diku nga qëndra, por ai nuk foli, duke na lënë të kuptonim, që ai kishte një porosi, se ku do të na zbriste.
Po foton që keni dalë me “shokun Enver”, kush ua bëri dhe si e morët?
Foton nuk e di se kush na e bëri, pasi ne kishim emocione të papara “për të përmbushur detyrën që na ishte ngarkuar” dhe as na shkonte mendja, të shikonim fotografët etj.
Po si arritët ta merrnit këtë foto?
Foton, munda ta marr disa vjet më vonë, pra pasi kishte vdekur “shoku Enver”, në saj të miqësisë së madhe që kisha, me ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, apo Lal Hekrin siç e quanim ne. Ai ma dha foton, madje më thirri vetë në zyrë, kur ma dha.
Po Emanuela me Pavlinën, nuk e kanë atë foto?
Në dijeninë time jo. Nuk jepeshin fotot në atë kohë, kur dilje edhe me udhëheqës të tjerë të Partisë dhe të shtetit, se me Enverin, jo se jo.
A patët rast më pas të caktoheshit po për një gjë të tillë në ceremoni të ndryshme sportive, etj.?
Për të lidhur shalla jo, por unë caktohesha të mbaja flamurin e Spartakiadave, kur bëhej parakalimi për festën e 1 Majit, pasi më vlersonin si sportistë, me rezultate të larta të nivelit europian dhe botëror.

Lexo edhe :  Si erdhi Hitleri në pushtet

Të fundit

Udhëheqësi i Sirisë bën thirrje për paqe pas vrasjes së qindra civilëve

Udhëheqësi i Sirisë Ahmed Sharaa ka bërë thirrje për paqe pas ditëve të përleshjeve ku forcat siriane të sigurisë...

Osmani: Kosova i bashkohet qëndrimit të SHBA-së kundër veprimeve të Dodikut në Bosnje

Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe rithekson mbështetjen e plotë për integritetin dhe...

‘Amerika të dalë nga NATO’/ Musk: Nuk ka kuptim të paguaj për mbrojtjen e Europës

Elon Musk ka shprehur bindjen se Amerika duhet të dalë nga NATO, duke argumentuar se nuk ka kuptim që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë...

Messi gati të rikthehet në fushë, trajneri i Inter Miami: Jam optimist

Trajneri i Inter Miami CF, Javier Mascherano u shpreh optimist për përfshirjen në listë të Lionel Messit për ndeshjen kundër Charlotte FC të dielën...

Ndihmoi emigrantët të kalonin kufirin ilegalisht, pranga 32-vjeçarit në Tepelenë

Një 32-vjeçar u arrestua në Tepelenë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Wanted 2”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës...

Lajme të tjera

Web TV