Rithemelimi/ Katastrofa në zgjedhje, Berishën e “duan” edhe kur humbet thellë

Në PD-në e drejtuar nga Sali Berisha nuk duket asnjë shenjë që një pjesë e strukturave drejtuese të kërkojnë dorëheqjen e kryetarit. Shumë prej mbështetësve të Berishës presin vetëm “procedurën burokratike” për ezauruar votëbesimin e Berishës ku pritet të “fitojë thellë” brenda grupit të Rithemelimit.

Në grupin e Rithemelit të PD-së së drejtuar nga Sali Berisha nuk ka asnjë zë kundër kryetarit deri më tani. Përkundrazi, të gjithë po presin çfarë thotë Berisha për t’i shkuar më pas qëndrimeve të tij, duke i kthyer si “mendime personale”. Në këtë pikë Berisha e ka të qartë se brenda asaj PD-je që ai kontrollon, pavarësisht humbjet katastrofike në zgjedhjet lokale, nuk do të ketë zëra kundër tij. Skenari tashmë është mëse i qartë. Në bazë të statutit të “Rithemelimit” të Berishës, parashikohet që kryetari nëse humb zgjedhjet lokale do të kalojë në votëbesim nga strukturat e partisë, ndërsa nëse kryetari humb zgjedhjet parlamentare atëherë jep dorëheqjen. Kjo pritet të ndodhë ku pasi të dëgjohet qartësisht qëndrimi i Berishës. Edhe ato pak drejtus të Rikthemelimit që mund të jenë për dorëheqjen e Berishës, pritet që të mos reagojnë, madje të dalin në mbështetje të tij, duke iu bindur shumicës e cila ndonëse nuk mendon si Berisha, do i binden po Berishës. Deri më tani ai akuzon se zgjedhjet u vodhën nga Rama, duke përdorur blerjen e votës, bandat kriminale, administratën shtetërore apo joshjen me shpërblim të pnsionistëve dhe rritje pagash në muajin e zgjedhjeve. Ish-kryeministri Sali Berisha edhe dje nuk ka ndalur me alibine dhe justifikimin për humbjen e paprecedentë që shënoi më 14 maj. Edhe pse kjo është e vështirë të justifikohet, pasi humbja është në shifra të tillë, përveçse bojkotit masiv që i bënë atij, pasi mungojnë 250 mijë vota të demokratëve, që nuk dolën të votonin, së fundmi nga Berisha thuhet se fitoren e Shkodrës e ka dashur Serbia, dhe si provë për këtë sjellin bisedën e një gazetareje serbe, e cila paska thënë se do të ishte mirë që Rama të fitonte Shkodrën. Ai tregon se ka marrë një telefonatë nga një gazetare serbe e cila i ka thënë se do të ishte bukur që Shkodra të fitohej nga Edi Rama pas gjithë këtyre viteve. Pas dorëheqjes që bëri ditën e mërkurë Enkelejd Alibeaj si kryetar i komanduar i Partisë Demokratike, duket se vetë të brendshmit po bëjnë llogaritë se çfarë do të ndodhë pas kësaj dorëheqje. Sipas deputetëve, përkrahës të Berishës, kjo lëvizje do e dëmtojë më shumë Partinë Demokratike dhe do e çojë drejt një përçarje. Deputeti që mbështeti Berishën në këto zgjedhje, por që edhe një këmbë e la tek Alibeaj, Ervin Salianji, tha se nuk është momenti që dikush të nxitojë që të marrë një pozicion të caktuar në parti për interesa personale. Salianji paralajmëroi edhe një skemë që do të përdoret në PD që do të çojë edhe më tej drejt përçarjes së kësaj partie. “Deputetë të PD-së nuk bëjnë asnjë ditë fushatë. Dihet publikisht kush nuk ka qenë. Ka njerëz që kanë punuar edhe kundër. Në këtë sens duhet të mbajnë përgjegjësinë dhe të shohin se çfarë kanë bërë vetë. Rama përdor bandat e paratë që gjithë administrate publike u involvuan dhe u përfshinë në mënyrë masive për vjedhjen e zgjedhjeve”, është shprehur Salianji. Ai ka kërkuar të reflektojë çdokush që ka vënë intresin personal mbi atë të demokratëve. “Në këtë sens kushdo që do të përfitojë diçka personalisht duhet të reflektojë për interesat e demokrateve. Bën dëmtim të madh! Në mendimin tim opozita duhet të reflektojë dhe të merret me vete. Mendoj se secili të ulet dhe të tejkalojë edhe veten të bëjë të mundur që të gjenden mekanizmat e duhur që të hapemi drejt shoqërisë. Nuk mund të mbahet peng opozita. Ka skema për ta fragmentarizuar akoma më shumë PD. Nuk shoh që ka një përpjekje për t’i shërbye demokratëve. Shoh një skemë që fraksioni vulës ka një përpjekje tjetër që të fragmentohet akoma më shumë. Nuk kanë interes për demokratët. Kanë interes për të marrë ndonjë funksion. Nuk do të zgjasë më shumë se dy orë”, tha ai. Salianji kërkoi të gjithë deputetët e opozitës të bëhen bashkë për forcimin e Partisë Demokratike. “Të gjithë deputetët e opozitës duhet të bëjnë mbledhje bashkë e të gjejnë zgjidhje. Nëse nuk ka interesa të përbashkëta me demokratët e bazës, opozita duhet të bëjë një organizim të ri. Nuk është momenti që askush të bëjë hapa për pozicione të caktuara. Kam nisur të mbledh firma më shumë se 60% e deputetëve kanë dashur që unë të jem kryetar i grupit parlamentar, por u tërhoqa vetë.’- tha Salianji.

Lexo edhe :  Tomë Doshi heq dorë nga mandati i deputetit

Edi Paloka

Deputeti Edi Paloka pretendon se zgjedhjet e 14 majit ishin të vjedhura nga PS. Sipas tij, Berisha nuk ka pse të tërhiqet sepse është loja që bën Rama. Për dorëheqjen e Alibeajt, thotë se ishte pa post dhe nuk ka humbur asgjë. “Zgjedhjet i patë vetë si shkuan, përgjegjësitë tona janë ato që ju thashë, ne përballemi me një realitet që është ky, qeveri që përdor çdo mënyre për të vjedhur votat e shqiptarëve. Përgjegjësia jonë është që ose përballemi me këtë realitet me të gjithë mënyrat se si duhet të përballesh me një qeveri që nuk bën zgjedhje ose të shkojmë në shtëpi të gjithë. Berisha nuk ka pse të bëjë hap pas se këtë kërkon Rama. Të gjithë ata që bëjnë luftën që të iki Berisha duan që të lënë PD të shkalafitet. Kjo është loja që bën Rama. Ju thoni t’ia plotësojmë dhe këtë dëshirë. Nuk më intereson fare, Alibeaj nuk ka pasur asnjë post që të japë dorëheqjen. Rama do bëjë më tepër se kaq. Ka ndonjë që mendon se këto zgjedhje ishin normale? Ky milet në vend që të bërtasë e të ulërasë që jetojmë në një vend ku nuk bëhen zgjedhje. Si bindet ai që i shkon krimineli në shtëpi dhe i thotë ose do marrësh 50 mijë lekëshin ose ke punë me mua? Duhet bërë analiza. Bëjini tamam dhe vejini gishtin hajdutit dhe thoni si duhet ta zgjidhni? Nuk e kam bërë fajtor Bashën për manipulimin e Ramës. Nuk zgjidhet asgjë po ikëm ne, do vijë tjetri, do vjedhë prap Rama. Kush të dojë të vijë ta provojë, e të largojë Ramën”, tha Paloka. Sa i përket ribashkimit të PD, Paloka tha se do të bëjnë çdo përpjekje për ribashkimin. Paloka theksoi se në rast se një prej kolegëve ka zgjidhje se si t’i japin fund ngërçit e të rrëzojnë Ramën, atëherë do e mbështesë. “Ne do bëjmë çdo përpjekje që është në dorën tonë për bashkimin. Çfarë kemi difekte duhet t’i rregullojmë të gjitha. Nëse vazhdohet me këtë frymë dhe gishti i drejtohet viktimës, aty kemi mbaruar të gjithë”, tha Paloka.

Tritan Shehu dhe Luan Baçi

Dy deputetë që mbështesin Sali Berishën, Tritan Shehu dhe Luan Baci thonë se opozita ka përgjegjësi për rezultatin e 14 majit por thonë se regjimi përballohet me lëvizje të madhe. Sa i përket largimit të Berishës, Baci shprehet se vetëm vota e demokratëve mund të largojë nga PD. “Unë them që duhet të mendojmë si t’i kundërvihemi këtij regjimi që duhen të gjithë forcat opozitare të vendit të luftojnë. Ky regjim përballohet vetëm me një lëvizje të madhe, asgjë tjetër”, është shprehur Tritan Shehu. Nga na tjetër deputeti Luan Baçi tha se në zgjedhjet e 14 majit, Rama ka bërë kërdinë në vjedhjen e votave. Ai nënvizoi se se opozita ka përgjegjësi dhe për këtë do të konsultohen me demokratët. “Rezultati i 14 majit, vjedhje e paskrupullt e Ramës. Një betejë e pabarabartë dhe masakër zgjedhore. Opozita ka përgjegjësi dhe patjetër që do të jemi në konsultim të gjerë edhe për opozitën. Opinioni im është që vetëm vota të largon dhe askush tjetër. Vota e demokratëve dhe simpatizantëve. Votëbesim do të bëhet”, është shprehur Luan Baçi.