Borrell mesazh Serbisë: Lidhjet me Rusinë s’janë në përputhje me rrugën drejt BE-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se aspiratat e saj euroatlantike nuk përkojnë me raportet që Beogradi ka me Rusinë.

“Ne mirëpresim zgjedhjet strategjike dhe të guximshme të disa prej tyre [shteteve të Ballkanit Perëndimor] që janë plotësisht në përputhje me sanksionet [kundër Rusisë]. Ne gjithashtu u theksuam atyre që nuk janë rreshtuar ende, ose nuk janë rreshtuar fare, dhe këtu veçanërisht do të theksoja Serbinë, se mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe gjithashtu është e dëshme për interesin kombëtar të Serbisë”, tha Borrell.

Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të bllokut, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim që u mbajt më 22 maj, morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell po ashtu porositi shtetet që nuk kanë përshtatur politikën e jashtme me atë të BE-së, që të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke mos ndjekur shembullin e Brukselit. Ndërkaq, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell u bëri thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga ky proces dhe t’i japin fund tensioneve dhe deklaratave e sjelljeve provokuese. Ai tha se rruga drejt integrimit evropian shkon përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se gjatë takimit, disa minsitra theksuan rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Natyrisht që normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej temave që sfidojnë rajonin tonë. Unë kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që ne marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia – edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngase edhe ju jeni dëshmitarë se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, ministri i Jashtëm [serb, Ivica] Daçiq, por dhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm që refuzojnë implementimin, por edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, tha Gërvalla pas takimit.

Ajo po ashtu tha se takimi me zyrtarët e BE-së ishte i “frytshëm” dhe u diskutua për sfidat që po përballet Evropa dhe Ukraina, por edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Lexo edhe :  Krerët e UÇK votojnë në Hagë/ Gjykata: Do ushtrojnë të drejtën për zgjedhjet në Kosovë

“Është e rëndësishme që të takohemi sa më shpesh që të mundemi sepse nga ky dialog ne shpresojmë që të kemi një proces më të mirë dhe më të shpejtë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ajo.

Gërvalla tha po ashtu se në takim disa pjesëmarrës “theksuan se është e rëndësishme që të gjitha shtetet e rajonit të mbështesin politikën e jashtme të BE-së dhe se sanksionet janë pjesë e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Evropës”.

Temat kryesore të takimit në Bruksel, përveç raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ishin edhe situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, BE-ja ka përsëritur edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe ka kërkuar nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm i Suedisë Tobias Billstrom, vendi i së cilit ka kryesimin e radhës së BE-së, tha në prag të takimit se “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por ne do të vazhdojmë të presim nga ta përshtatje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian“.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Grliq-Radman tha se Kroacia mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por po ashtu kërkon që ato vende të respektojnë vlerat evropiane dhe të bashkëpunojnë në disa fusha, përfshirë edhe çështjen e imigrimit ilegal.

Deri tani, të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Për më tepër, në vitin e fundit, përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zvogëluar edhe më shumë. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet që dëgjohen në Bosnje e Hercegovinë për rrezikimin e integritetit territorial të këtij vendi. Thirrje të tilla vazhdojnë të vinë nga lideri i Serbëve të Bosnje e Hercegovinës Millorad Dodik.

Pas udhëzimeve që liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë nga samitet e Bërdos në vitin 2021 dhe Tiranës në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka asistuar partnerët që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’u përballur me kërcënimet hibride, posaçërisht ato kibernetike dhe me fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm. BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.

Të gjitha këto do të jenë edhe tema për të cilat ministrat e BE-së dhe kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor do t’i diskutojnë në takimin e tyre të përbashkët./REL

Të fundit

Dosja “Plumbi i Artë”, GJKKO lë në fuqi vendimin për Agron Qafën dhe Florenc Çekrezin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për Agron Qafën...

Shteti ku njerëzit po shkojnë me dëshirë në burg!

Japonia, e njohur për jetëgjatësinë dhe shkallën e ulët të lindshmërisë, po përballet me një fenomen të papritur social. Gjithnjë e më shumë të...

Inflacioni bazë u rrit në dhjetor, arriti nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit

Inflacioni bazë e mbylli vitin 2024 në rritje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë për dhjetorin arriti në 2.5%, nga 2.34%...

Ushtarët qëllojnë për vdekje të paktën shtatë minatorë në Ganë

Të paktën shtatë persona janë vrarë në një përleshje me ushtarë në detyrë në një minierë në rajonin qendror Ashanti të Ganës, sipas ushtrisë. Forcat...

Konferenca e Kryetarëve, nuk miratohet kalendari i punimeve parlamentare deri më 7 shkurt

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve nuk pati dakordësi për miratimin e kalendarit të punimeve parlamentare për periudhën 20 janar - 7 shkurt 2025. Kalendari...

Lajme të tjera

Web TV