Snobizmi kulturor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ese nga: Bujar Meholli

Kultura masive ka marrë përmasa të mëdha dhe ka vendosur norma të reja të bërjes së artit e zhvillimit kulturor, ndaj mund të flitet për snobizmin që po thyen çdo limit të mundshëm, ka arritur high level, duke çuar në zgrip të humnerës e harresës secilin kundërshtim dhe rezistencë. Natyrisht kultura e konsumit, gjegjësisht arti i shpejtë, pa vlerë, i njohur prej kohësh si kitsch, nuk është produkt i shek. XXI, ai veçse është etabluar në kohët tona dhe nëse krijojmë një perspektivë futuriste për ta përfytyruar kulturën – horizonti duket i turbullt, me njëfarë shtrese smogu, shkurt: kohë të këqija kanë zbardhur për letërsinë dhe artin, bazuar në ritmin e kësaj jete dinamike, në thelb krejtësisht të varur nga zbulime teknologjike, e ardhmja do të jetë edhe më e vështirë, në mos shpërfytyruese, degraduese totale e gjithçkaje që dikur ka poseduar vlerë. Fenomeni i snobit ka marrë hov të madh dekadat e fundit. Mekanizmat, (plehu) që ndihmuan të mbijë dhe të amplifikohet në qindra-mijëra snobistë natyrisht bien erë teknologjie e globalizmi, kanë gjenezën te revolucioni industrial për të marrë dhenë në shekullin e ri – siç shkruan Matei Călinescu “kitsch-i u ngjiz nga revolucioni industrial, në fillim si një nga produktet e tij periferik. Me kalimin e kohës, me zhvillimet rrafshuese shoqërore dhe psikologjike që solli zhvillimi industrial, “industria e kulturës” ka njohur rritje të qëndrueshme, deri në atë pikë ku sot, shoqëria post-moderne e orientuar në masë të madhe drejt shërbimeve, me theksin te begatia dhe konsumi, e ka kthyer kitsch-in në një nga faktorët qendror të jetës moderne të qytetëruar, në atë lloj arti që normalisht dhe pashmangërisht na rrethon ngado”. Estetika e momentit/çastit, e menjëhershmja, triumfi i së lehtës, krijojnë aureolën e shenjtërimit të begatisë dhe konsumit të cilat i përmend Călinescu. Avè begatia artistike & konsumi! Vet nocioni “industri” shënjon qartë idenë e biznesit me kulturën, allishverishet, prenotimet, rrenat e panumërta për snobët që hiqen si shkrimtarë, marrin pjesë në ngjarje kulturore, japin autografe, udhëtojnë nëpër Evropë, marrin qindra “likes”, shkruajnë pafundësisht poe(zi), pr(b)ozë, e lukuni shkrimesh tjera, mjaft që të jenë nën firmën e fituesit të aksh çmimit (të dhënë nga shokë e miq kafenesh) e të alamet emrit që e kanë krijuar me zor e sforcim. Po ta shohësh nga perspektiva radikale, gjithë ky konglomerat snobistësh ka diçka nga dadaizmi, absorbon disa elemente nga drejtimi i famshëm artistik nihilist – kryesisht në kuptimin që këta kanë arritur me efikasitet të shkatërrojnë gjithçka para tyre, ta marrin primatin, të krijojnë grupe… apo më mirë klane, me të cilat operojnë dhe ngritin sipas rendit emrin e ardhshëm artistik e letrar. Dhe një arritje e madhe alla dadaiste për të cilën duhet pajtuar se gjer më tani e kanë arritur: fishkja, venitja e shkrimtarit jo snob që lexon me ëndje duzinë librash, tenton të krijojë stil, autenticitet, perspektivë origjinale të shkrimit, pasuri të gjuhës, dell poetik e përmbajtje – ai ose do të luftojë me mullinjtë e erës, pa ia varur kush as edhe me disa “like” për hatër, ose do të serviloset, ose do të jetë kokëfortë në drejtimin e tij pa u ndalur por pa pasur kurrfarë përkrahje, ose në pastë sado pak fat – do të hap portat e snobizmit për t’iu futur në gjinj klaneve të ndryshme ku më pas (kur ta ketë lëshuar dorën e nivelin duke shkruar paçavure) ekspertët kritikë snobistë do të nisin t’i thurin palo-artikuj lavdërues, t’i trasojnë rrugën për krijimin e emrit dhe autoritetit në letërsi…

Snobi i sotëm, në këtë rast artist, letrar e shkrimtar, shkruan duzinë tekstesh shpeshherë të pa verifikuara, kopjon, është plagjiator ashiqare, lexon më pak sesa shkruan, hedh spirancën e idiotësisë, më tepër i preokupuar me agjenda e servilosje nëpër shtëpi botuese për t’i botuar aksh shkrimin në mënyrë që ta ruaj hapin e të mbetet aktiv, të jetë çdoherë në lojë e kurrsesi mos të ngelet në “heshtje”. Epoka e përçudshme, e sotme, që diktohet krejtësisht nga pamja e jashtme, nga e dukshmja, nga e shpërfaqura – ka lënë në gjumë letargjik shumë intelektualë e njerëz të dijes, ata për një mijë arsye preferojnë “ikjen” nga çoroditja kulturore-artistike duke u zhveshur nga misioni dhe duke dështuar në përmbushjen e objektivave të tyre. Edward Said shkruan se “intelektuali nuk është paqtues, as pagëzues i konsensusit, por dikush që angazhon e që vë në rrezik gjithë qenien e vet, duke u nisur prej një ndjenje vazhdimisht kritike, dikush që refuzon me çfarëdo çmimi formulat e lehta, idetë e gatshme, konfirmimet lëvduese të propozimeve apo të veprimeve që vijnë prej njerëzve të pushtetit apo prej personave të tjerë konvencionalë. S’është thjesht ai që refuzon pasivisht, por ai që aktivisht angazhohet e flet në publik.” Kurse Michel Foucault shprehet: “Intelektualëve tashmë u është bërë zakon të mos punojnë më me universalen, me shembulloren, me të drejtën e me të vërtetën për të gjithë, por të punojnë në sektorë të përcaktuar, në pika precize që ua diktojnë qoftë kushtet e tyre të punës, qoftë kushtet e tyre të jetës (strehimi, spitali, azili, laboratori, universiteti, raportet familjare apo ato seksuale). Kanë fituar kështu një ndërgjegje shumë më konkrete, diktuar prej betejave imediate.” (përkthyer nga Arbër Zaimi) Janë pikërisht intelektualët prej të cilëve pritet demaskimi i snobistëve dhe çlirimi i letërsisë e artit – megjithëse një gjë e tillë është tepër e vështirë për t’u bërë ngase shkarjet serioze të demokracisë mundësojnë një “liri” të tillë shprehjeje, gjegjësisht krijimi artistik dhe është problem specifik ruajtja e ambientit kulturor nga kontaminimi sepse snobi sot operon ku e si të dojë: hapësirat e mundësitë i ka të panumërta, mjaft një post në Facebook dhe dhjetëra miq virtualë që e çojnë në qiell me pëlqime të thata, komente të zbehta kortezie, një kontakt me shtëpi botuese mediokre, gjetje e dikujt që subvencionon botimin e 50-100 kopjeve të cilat natyrisht nuk i lexon askush, veç harxhojnë letrën dhe leverdisin për fotografi, respekt të rremë, dashamirësi e fjali lavdëruese boshe e monotone nëpër rrjete sociale apo promovime. Snobi mendon se duhet ndjekur trendi medoemos, ndaj i çmon këngëtaret shqiptare të pop-it pa e ditur pse, pa e vrarë mendjen për këndimin playback, tekstet e dobëta, kaosin melodik-ritmik; të kaluarën e sheh me rezervë, ka frikë ngase s’ka aftësi; ndjek turmën, shpallet i gjithëdijshëm, i gjithanshëm, di çdo gjë e pretendon dinjitetin.
Në artin e mirëfilltë nuk ekziston koha; nocionet “e vjetër” dhe “e re” shkrihen kur kemi të bëjmë me art të vërtetë. Një vepër e krijuar, fjala vjen, në fillim të 1700-ës edhe sot e gjithë ditën mund të na fascinojë e marrë me vete, neve njerëzve të periudhës së teknologjisë! Ajo vepër i bie të jetë “e re”, për secilën gjeneratë, secilën kohë! Nëse lexojmë fjala vjen filozofinë e Senekës, poezitë e Pindarit, romanet e Abatit Prevo apo dëgjojmë kompozimet brilante të Puccinit, ne s’e vrasim fare mendjen për vitin e krijimit (përveçse për informacion) sepse aq na bën për kohën – jepemi kokë e këmbë pas madhështisë së artit që tejkalon gjithçka dhe varet në piedestal të qenies njerëzore. Ndërkohë, duket idioteske shprehja (të cilën e dëgjoj shpesh të përdoret) “Old but gold”. Ajo fjala “old” nuk ekziston për mua dhe më acaron fort kur e shoh tek përdoret në këtë kontekst! Pra, pak a shumë i bie kështu: “vepër e artë megjithëse e vjetër” (?) Ose ato vështrimet e çuditshme kur ju flet njerëzve për veprat e viteve të mëparshme, që sikur të thonë: “ti ke mbetur me gjëra të vjetra! Ec me kohën!…” E pra, një paçavure (që janë të bollshme) e kohëve tona gjithsesi është “new” por assesi “gold”! Pse? Sepse arti sot bëhet ngutshëm, shpejt, lehtë & sipërfaqësisht. Bile cektësia artistike në shumë raste duartrokitet e “artisti i madh” matet me “liket” e “ndjekësve” mediokër që marrin gjithçka për art dhe s’e marrin mundin për të parë se në kohë të vjetra janë bërë gjëra madhështore. Më dhemb kur shoh se disa, p.sh. kulminacionin e poezisë e shohin te disa palo-poetë që veç sa e ndotin poezinë! Krijojnë ndotje artistike! Dhe, në fund të ditës “artisti i madh” thotë për aksh veprën se është “old but gold” – demek e vjetër, e mirë, e rënë nga vakti – por ja, unë e vazhdoj traditën me paçavuret “new and gold”. Gjynah!

Lexo edhe :  Xhaz në kohë lufte

“Moonlight Serenade” e viteve ‘40 apo “Stairway To Heaven” e viteve ‘70, shembull, janë çdoherë gold dhe do të jenë të tilla për vite & shekuj, por kurrë “old”! Sepse janë arte të përbotshme që i flasin çdo epoke. Nuk e di pse duhet të merret për bazë viti i krijimit të një vepre më shumë se vlerat që bart ajo? Me pak fjalë: nëse vepra artistike është vërtet e tillë, pra artistike, ajo do të jetë timeless! Sot kitsch-i e përjashton të kaluarën, e sheh si diçka të tejshkuar dhe të pavlerë, këtë e bën në mënyrë krejt pezhorative dhe alogjike; njeriu është gjithmonë në kërkim të diçkaje të re, por e “re” nuk duhet të nënkuptojë paaftësinë, konsumin e shfrenuar, “dëfrimin” me çdo kusht siç shkruan Adorno, mungesën e përgjegjësisë, talentit, gjuhës, karakterin vulgar e servilizmin në kulminacion! Ja, konstatimi i Călinescu-t: “Tipari themelor i hedonizmit modern të klasës së mesme është mbase të nxitë dëshirën për të konsumuar, deri aty sa konsumi të shndërrohet në një lloj ideali shoqëror rregullues. Më shumë se përmbushje e disa nevojave bazë, konsumi është bërë në njëfarë mënyre, pothuajse, detyrim – një mënyrë për të forcuar shëndetin ekonomik të kombit dhe, përtej ekonomisë, mënyrë për të rrokur dhe kuptuar botën.” Konsumi është shpirti i snobizmit. Nga aty derivon gjithçka, të gjitha devijimet, të gjitha lehtësirat, sipërfaqësia, hipokrizia, lavdet bajate në superlativ. Çdo ditë e më tepër po bëhet urgjencë reformimi social, revolucioni kundrejt idiotësisë e snobizmit, për ta krijuar një ambient ku secili ndërton duke punuar fort, duke derdhur mund e djersë, duke merituar suksesin, rritjen profesionale, logjikën e mendimin kritik. Jean Piaget shkruan: “Gjithë ndjenjat, emocionet, konsistojnë ose nga rregullat e energjisë së brendshme – emocionet, ndjenjat themelore – ose nga faktorë që kontrollojnë shkëmbimin e energjisë me mjedisin e jashtëm – vlerat e të gjitha llojeve. Vullneti vetë duhet menduar si një çështje e operacioneve afektive dhe ndoshta energjike, që sjellin vlera më të larta dhe duke i bërë ato të afta për kthyeshmëri dhe ruajtje – ndjenjat morale – pikërisht si sistemi i operacioneve logjike që vepron po kështu për konceptet.

Të fundit

Amerikanët po na japin leksionin e radhës: Si të ngrihemi në protesta

Nga Leonard Veizi Amerikanët u ngritën në protesta. Dhe ne e dimë mirë kush janë ata: një popull që nuk...

Përplasje me Ramën? Rroshi fushatë për të djathtën në Kavajë

Ish-kreu i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi, ka dalë hapur në fushatë krah kushëririt të tij Elton Rroshi, i cili kandidon në listat e hapura...

Beqarët mund të takojnë një person interesant, horoskopi për sot

Dashi Të lindur më: 21 Mars - 19 Prill Të hënën mund të ndiheni të shtyrë për të rishikuar marrëdhënien tuaj të dashurisë, jo për shkak...

Përse dhemb stomaku kur ushqimi ju bie rëndë

Dhimbja e stomakut mund të shfaqet për disa arsye siç janë problemet me tretjen, fryrjet, ulçera e të tjerë. Ka raste që dhimbja shfaqet menjëherë...

Lajme të tjera

Web TV