A ekziston rreziku i përhapjes së dhunës në gjithë Ballkanin?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tek një veprim i fortë politik siç është integrimi i gjithë rajonit në BE, duhet gjetur guri i themelit për të deshifruar enigmën ballkanike, e cila po ndërlikohet edhe një herë për shkak të përplasjeve të fundit midis Serbisë dhe Kosovës. Kështu shprehet Andrea Carteny, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Sapienza të Romës.

Ai shpjegon arsyen pse Marrëveshja e Ohrit, e arritur pak javë më parë midis Prishtinës dhe Beogradit, ka dështuar të shmangë rikthimin e dhunës, teksa rekomandon për vigjilencë, sepse ekziston rreziku i infektimit nga dhuna dhe destabiliteti i gjithë rajonit të Ballkanit.

Si mund të shpjegohen përplasjet e ditëve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm disa javë pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila u duk sikur i kishte sheshuar mosmarëveshjet?

Zbatimi në terren i marrëveshjeve ka gjithmonë një shkallë të lartë ndjeshmërie dhe me një kompleksitet të konsiderueshëm, sidomos në Ballkan. Është e vërtetë që Marrëveshja e Ohrit e muajit marsit, u duk sikur konfirmoi angazhimet e marra 10 vjet më parë në Bruksel, dhe për këtë arsye vendosi një themel të fortë në procesin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por ekzistojnë ndërkohë të gjitha rreziqet e një rikthimi të krizës. Së pari sepse marrëveshja u arrit vetëm gojarisht. Presidenti serb Vuçiç – por edhe kryeministri kosovar Kurti – e bëri të qartë se marrëveshja mund të nënkuptojë shumë gjëra (pranim të sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe të Asociacionit të Komunave Serbe nga Kosova).

Por zbatimi i saj mbeti i parakohshëm, duke pasur parasysh krizën ende të freskët të shkaktuar nga debati mbi targat, si dhe nga dorëheqja e zyrtarëve serbë brenda institucioneve lokale. Në këto kushte, zgjedhjet e kontestuara lokale në veri të Kosovës e riaktivizuan në kulm konfliktin, diçka e lehtësuar edhe nga polarizimi ndërkombëtar i shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë.

Pse Prishtina këmbënguli të mbante në këto kushte zgjedhjet lokale në veri të Kosovës?

Për qeverinë e Prishtinës, zgjedhja zyrtare ishte vazhdimi në rrugën e “ligjshmërisë”, duke u përpjekur të përdorte serbët e paktë që nuk janë në të njëjtën linjë me Beogradin,

që në veri përfaqësohet nga partia “Lista Serbe”. Megjithatë, edhe për kancelaritë perëndimore dhe për institucionet euroatlantike, ishte e qartë se kjo qasje do të ndikonte tek parimi tjetër, ai i “mundësisë”, që duhet mbajtur gjithmonë në konsideratë në situata të tilla delikate.

A ekziston rreziku i përhapjes së tensioneve në të gjithë rajonin, nga Shqipëria deri në Bosnje Hercegovinë?

Ballkani, sidomos zona e ish-Jugosllavisë, ka qenë gjithmonë në qendër të një rajoni që funksionon si një pellg, në të cilin kur hidhet një gur shkakton rrathë koncentrikë që i

përhap dallgët përreth. Bosnje Hercegovina konsiderohet nga shumë analistë si një shtet i “dështuar” që nuk funksionon, pikërisht për shkak të mekanizmave të “garancisë” (veto) që u jepen entiteteve përbërëse të shtetit, si Republika Serbe.

Lexo edhe :  Mister në Buenos Aires, lumi bëhet i kuq

Dhe zgjerimi i këtyre tensioneve në këtë zonë, është tashmë një realitet në terren për arsyet të brendshme (etno-fetare, të kujtesës kolektive, të dialektikës viktimë-autor) dhe për ato të jashtme gjithnjë e më të forta. Këto të fundit burojnë kryesisht nga pushtimi rus i Ukrainës, i cili e ka ringjallur përplasjen midis “lindjes sllavo-ortodokse”, pra rusëve në zonën post-sovjetike dhe serbëve në ish-Jugosllavi, dhe “perëndimit pro-altantist”, pra ukrainasve në ish-Bashkimin Sovjetik, shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Si duhet të trajtohet çështja e zgjerimit të aleancës në samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius? Çfarë hapash duhet të ndërmarrë BE-ja?

Samiti i NATO-s në korrik, do të ketë si prioritet luftën Rusi-Ukrainë (armatimet dhe trajnimet për Kievin, sigurinë ushtarake për anëtarët e NATO-s në zonën aty pranë, pranimet e reja të vendeve skandinave, kërkesat për anëtarësim nga vendet post-sovjetike).

Por nuk do të harrohet as dhënia e një mesazhi për uljen e tensioneve dhe bashkëpunimin në Ballkan. Rruga e integrimit rajonal në strukturat komunitare – siç e nënvizoi edhe ministri Tajani në Konferencën e Triestes në fund të janarit – është ndoshta e vetmja që mund të ndiqet aktualisht  dhe në të njëjtën kohë nga Prishtina dhe Beogradi.

Kjo për shkak të pikëpamjes së sigurisë dhe stabilitetit. Por edhe si një veprim i fuqishëm politik, integrimi në BE i këtij rajoni, është ndoshta strategjia dhe mjeti më i mirë për t’u përdorur edhe për interesat e Aleancës Atlantike.

Lojtarët e mëdhenj po i përdorin apo nxisin tensionet serbo-kosovare për të shmangur vëmendjen nga lufta në Ukrainë:

A mendoni se është e vërtetë kjo hipotezë që po qarkullon ditët e fundit? Dhe nëse po, për cilat arsye?

Është normale që ne të gjithë jemi të interesuar më shumë mbi përplasjet e reja që ndodhin, si ato në Kosovë ditët e fundit, se sa për ato që vazhdojnë me muaj të tërë dhe pa asnjë perspektivë për një armëpushim, sikurse është Lufta në Ukrainë.

Në rastin konkret, rritet vëmendja për viktimat (për fat të mirë vetëm të plagosur), të cilët janë ushtarë italianë. Në fakt, në rast se demonstruesit serbë nuk do të kishin përdorur koktej molotovi dhe mjete shpërthyese kundër ushtrisë sonë, çështja nuk do të kishte arritur në faqet e para të mediave italiane si një zhvillim alarmant që duhet adresuar urgjentisht nga autoritetet qeveritare kombëtare dhe evropiane.

Ndoshta duhet menduar se më shumë se sa shpërqendrim, zgjerimi i frontit të konfliktit do të shërbente për të vërtetuar tezën e atyre që flasin për një konflikt global, të shkaktuarnga zgjerimi i pamatur i strukturave të NATO-s dhe në dëm të qytetërimeve dhe popullsive orientale sllavo- ortodokse.

Edhe për këtë arsye, një veprimi i fortë dhe i shpejtë nga ana e Perëndimit duhet t’i “detyrojë” qeveritë në rajon të arrijnë kompromise të qëndrueshme dhe efektive.

Të fundit

Transparency International: Kosova shënoi përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit

Kosova ka shënuar përparim në lehtë në luftimin e korrupsionit më 2024, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, të...

Vetëvrasje nga bullizimi? Pista kryesore e hetimit për vetëflijimin e një 17 vjeçareje

Ersi Meçollari 17 vjeç, nxënëse e klasës së 10-të në gjimnazin “Siri Shapllo” të Gjirokastrës i dha fund jetës në banesën e saj pasditen...

Kredia për turizmin, në nivel rekord, arriti në 12.8 miliard lekë në vitin 2024

Për zgjerim biznesi, likuiditet por dhe blerje pajisjesh, ecuria pozitive e sektorit të turizmit në 2024, i nxiti bizneset në vend të paraqiten më...

“Travel Awaits”: Shqipëria mes vendeve më të mira për një arratisje unike evropiane

Ballkani përfshin disa vende në rajonin juglindor të Evropës. Nga këto vende, ju ndoshta keni vizituar shtetin më të njohur: Greqinë, shkruan Tay Belgeri...

Akrepat që të numërojnë ditët! Ora e “vdekjes” nga Inteligjenca Artificiale bën “kërdinë”

Një "ore vdekjeje" e prodhuar nga Inteligjenca Artificiale ka rrëmbyer interesin e një numri të madh njerëzish. Kjo orë pretendon se mund të parashikojë...

Lajme të tjera

Web TV