14 maji/ Berisha: Do paraqesim dokumente që rrëzojnë në mënyrë përfundimtare zgjedhjet

Ish kryeministri Sali Berisha, në konferencën për mediat është shprehur se po finalizohet raporti në lidhje me shkeljet që janë bërë gjatë procesit zgjedhor.

Berisha nënvizoi se PD do të vazhdojë të paraqesë fakte dhe dokumente që rrëzojnë zgjedhjet e 14 Majit.

Nga ana tjetër ka paralajmëruar se në fund të raportit do të nisë organizimi për protestat.

Paraqesim fakte dhe dokumente që rrëzojnë në mënyrë përfundimtare zgjedhjet e 14 majit

E them përsëri, që përsëritja e të njëjtës temë nuk është ndonjëherë atraksion për mediat, por kur është një gjë themelore, shmangia e saj përbën një gabim të pafalshëm.

Pikërisht kjo më detyron mua të paraqes për të shumtën herë tek ju, fakte dokumente të cilët demaskojnë dhe rrëzojnë në mënyrë përfundimtare, zgjedhjet e 14 majit si procesi më i shëmtuar, më i pabarabartë, si procesi në të cilin u ushtruan të gjitha format e presionit mbi zgjedhësit shqiptarë, si procesi në të cilin ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit me kaosin e qëllimshëm të krijuar, me pushtimin e tyre nga një lukuni e tërë punonjës administrate që u sollën si polici elektorale, politike, proces zgjedhor nuk ka pasur.

Ne po finalizojmë raportin në të cilin faktojmë të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të këtyre zgjedhjeve. Ndaj dhe këtë bisedë me ju do ta filloj me këtë çështje”, ka thënë Berisha.